“Kështu do t’i kuptojë më mirë...”, çfarë po e ndryshon Lumir Abdixhiku LDK-në?

Politika

“Kështu do t’i kuptojë më mirë...”, çfarë po e ndryshon Lumir Abdixhiku LDK-në?

Nga: P.R Më: 24 qershor 2021 Në ora: 21:17
Lumir Abdixhiku gjatë vizitës në Suharekë

Tashmë kur po afrohen zgjedhjet lokale, kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku, ka filluar të jetë shumë aktiv në terren.

Pasi LDK ka zyrtarizuar shumicën e kandidatëve për kryetar komunash, Abdixhiku po viziton çdo Komunë të Kosovës duke prezantuar kandidatët e tij dhe duke u takuar me elektoratin e LDK-së.

E daljen në terren të Adixihikut, edhe pse jemi 4 muaj lar zgjedhjeve lokale, veprimtari dhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi, e sheh si një nga hapat më të duhur të kryetarit të porsazgjedhur të LDK-së.

“Ditëve të fundit LDK ka filluar prezantimin e kandidatëve për kryetar të Komunave apo edhe për Kuvend Komunal. Besoj se do të shohim një garë interesante, duke marrë parasysh proceset e kaluara të zgjedhjeve lokale, edhe në këto zgjedhjet të këtij viti mijëra kandidatë do të garojnë për pozitën e kryetarit në gjithsej 38 komuna apo edhe për ulëse në Kuvendet Komunale. Ndërkohë, shumica e kryetarëve aktualë të LDK-së që udhëheqin nëpër komuna të Republikës së Kosovës, vetëm se janë rikandiduar për të garuar sërish për të parin e komunës. Në kuadër të takimit me degët e LDK-së, kryetari i LDK-së z. Lumir Abdixhiku sëbashku me kryesinë, po i bëjnë hapat e duhur duke u takuar me struktura të Degëve dhe votuesit e LDK-së”, thotë Latifi për “Bota sot”.

Sipas tij, LDK ka nevojë t‘i fuqizoj lidhjet me degët ose strukturën e saj nëpër komuna.

Image
Haki Latifi

“Mendoj se LDK në të kaluarën e afërt nuk është dëgjuar aq sa duhet zëri i qytetarëve dhe votuesve të LDK-së. Ku si pasojë ka disa elemente të cilat mund t’i atribuohen kësaj rënie në zgjedhjet parlamentare e mos mbështetjes qytetare. Andaj , LDK ka nevojë t‘i fuqizoj lidhjet me degët ose strukturën e saj të cilët i kanë, në mënyrë që të arrijnë të kuptojnë më mirë se cilat janë kërkesat e elektoratit në nivelin më të ulët, pra në nivelet e komunave dhe të fshatrave. Me një komunikim të tillë të daljes në terren dhe takimi me bazën, Kryetari i LDK -së z, Abdixhiku do t’i kuptoj më mirë se cilat janë kërkesat e qytetarëve”, shprehet Latifi.

Më tej, Latifi deklaron se pozita e LDK-së si opozitë, do ta ndihmojë që ta rikthejë elektoratin e saj.

“LDK tani është në opozitë dhe do të ketë më tepër kohë për të reflektuar, analizuar cilat kanë qenë problemet e organizimit brenda saj, në mënyrë që për ta rikthyer LDK-në në një afat të gjatë por me shumë vendosshmëri, me shpresë që votuesit e saj që kanë ikur në të kaluarën mund të kthehen”, thekson Latifi.

Për fund, Latifi shpreson që prishtinasit ta vlerësojnë kandidatin e LDK-së për kryetar komune, Përparim Rama.

“Sa i përket kandidimit për kryetar të Prishtinës të z. Përparim Rama edhe pse personalisht nuk e njohë, fletë për një personalitet me një biografi të pasur profesionale, një intelektual shqiptar me pikëpamje të vlerave të qytetërimit perëndimor. Duke shpresuar që qytetarët e Prishtinës do të dinë ta vlerësojnë”, përfundon për “Bota sot”, veprimtari dhe ish kryetari i LDK-së në Zvicër, Haki Latifi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat