Të fshehtat e misionit të EULEX-it në Kosovë, kërkohet ndërhyrja e BE-së - ja si të veprojë Qeveria

Politika

Të fshehtat e misionit të EULEX-it në Kosovë, kërkohet ndërhyrja e BE-së - ja si të veprojë Qeveria

Arife Morina Nga Arife Morina Më 25 qershor 2021 Në ora: 08:47
Qeveria e Kosoves

Ish kryetari i gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons, kishte dërguar në drejtim të kryeministrit Albin Kurti një pjesë të dëshmisë së tij për skandalet e kryera nga misioni i BE-së për sundim të ligjit (EULEX).

Mbi këtë bazë, Simmons ka kërkuar të raportojë në Kuvendin e Kosovës për të gjitha këto pretendime. 

Në dëshminë e Simmons drejtuar kryeministrit, përveç ndikimeve politike, bashkëpunimit të EULEX-it me prokurorinë në Beograd, Simmons jep detaje dhe shpreh dilema për punën e Gjykatës Speciale.

Kësaj kërkese për raportim të Simmonsit, ende nuk iu është përgjigjur kryeministri Albin Kurti, i cili së fundi ka zhvilluar takime dhe ka bërë vizita në disa vende të botës.

Mirëpo, akuzave të ish-gjyqtarit, Malcom Simmons, iu është kundërpërgjigjur EULEX-i përmes një deklarate publike. 

Nga EULEX-i deklaruan se dorëzimi i dosjeve për krimet e luftës në prokurorinë e Serbisë është bërë edhe në praninë e prokurorëve të Kosovës, ku më pastaj, sipas tyre të gjitha dosjet origjinale janë kthyer në Kosovë me përfundimin e misionit të tyre. 

“Në përpjekjet e tyre për të siguruar përgjegjësi për krimet e luftës që pretendohej se ishin kryer nga individë që besohej se ndodheshin jashtë Kosovës, prokurorët e EULEX-it herë pas here ndanin informacione mbi këta individë me shërbimet prokuroriale të juridiksioneve të tjera, duke përfshirë por pa u kufizuar në autoritetet prokuroriale të Serbisë. Në përputhje me ligjin e Kosovës, deri në qershor 2014, Prokurorët e EULEX-it kanë shkëmbyer informacione dhe u dhanë ndihmë autoriteteve serbe, në prani të prokurorëve të Kosovës, për disa raste të krimeve të luftës. Midis 2014 dhe 2018, ndërsa mandati i Misionit ndryshoi, kjo praktikë u ndërpre gradualisht”, thuhej në njoftimin e EULEX-it.

Lidhur me këtë temë, analistët politik në prononcimet e tyre dhanë komentet e tyre lidhur me akuzat mbi misionin e EULEX-it dhe mundësinë e raportimit të ish-kryetarit të gjyqtarëve të EULEX-it, Malcom Simmons.

Krasniqi: Malcolm Simmons ka kërkuar edhe nga qeveria e kaluar që të vijë dhe të raportojë në Kuvend

Avokati i shtetit, Islam Krasniqi, gjatë prononcimit të tij për gazetën “Bota sot”, rikujtoi se ish-gjykatësi Malcolm Simmons ka kërkuar edhe nga qeveritë e kaluara të raportojë për skandalet e EULEX-it.

Image
Islam Krasniqi

Mirëpo, sipas tij qeveritë e kanë refuzuar fshehurazi kërkesën e Simmons.

“Ish-kryetari i gjykatësve të misionit evropian në Kosovë, EULEX, Malcolm Simmons ka kërkuar edhe nga qeveria e kaluar që të vijë dhe të raportojë në Kuvendin e Republikës së Kosovës, mirëpo qeveritë e kaluara kishin refuzuar heshturazi kërkesën e tij, derisa për media jepnin arsyetime banal”, deklaroi Krasniqi.

Tutje, analisti përmendi edhe faktin se kryeministri aktual i Kosovës, Albin Kurti ka qenë kundër misioneve ndërkombëtare të EULEX-it dhe UNIMK-ut.

“Kryeministri ka qenë kundër këtyre misioneve siç është EULEX-i, por edhe siç ka qenë UNMIK-u, por tani si shef i qeverisë po vazhdon me praktikën e qeverive të kaluara duke heshtur e jo të aprovojë kërkesën e tij për ta mësuar të gjithë të vërtetën dhe keqpërdorimet brenda këtij misioni”, theksoi ai.

Krasniqi kërkoi që të bëhet ankesë për veprimet skandaloze të EULEX-it te ndërkombëtare dhe nëse vërtetohen  akuzat, atëherë të ndëshkohen ashpër.

“Unë besoj se kjo është një praktikë e keqe që të mbulohet e vërtetat, ne duhet të ankohemi për çdo veprim të keq të EULEX-it te bashkësia ndërkombëtare, sepse edhe ata paguhen nga taksat e qytetarëve të atyre shteteve që i kanë dërguar dhe janë të obliguar të raportojnë te bashkësia ndërkombëtare dhe nëse akuzat janë të vërteta edhe të ndëshkohen”, nënvizoi ai.

Në fund, Krasniqi bëri apel te kryeministri Kurti që ta pranojë kërkesën e raportimit të ish-gjykatësit Simmons.

“Z.Kurti nuk duhet ta pengojë dialogu për raportimin e keqpërdorimeve në EULEX, unë besoj se ky raportim e bën më të fortë, duke kërkuar që të korruptuarit të ndëshkohen e jo të amnistohen”, përmbylli Islam Krasniqi për gazetën "Bota sot".

Kelmendi: UE ka dështuar në dënimin e gjenocidit serbomadh 

Ndërsa, njohësi i çështjeve kushtetuese dhe profesori, Muhamet Kelmendi kujtoi gjenocidet qe kreu Serbia në shtetet Ballkanike, ku nga ato u mbushen varret me njerëz të masakruar.

Image
Muhamet Kelmendi

“Pas LDB, në Ballkan u bë gjenocidi më i rëndë nga shteti serb, ranë nga dora gjakatare serbomadhe me qindra e mijëra veta në Ballkan, u mbushën varret me njerëz të masakruar. Derisa në Bosnjë e Hercegovinë ishte përgjegjëse ushtria kriminale serbe, në Kroaci e në Kosovë, dhuna dhe gjenocidi u krye nga shteti serb”, deklaroi ai.

Pavarësisht të gjitha këtyre krimeve dhe masakrave, Kelmendi në prononcimin e tij për gazetën “Bota sot”, tha se Bashkimi Evropian dhe Shtetet e Bashkuara të Amerikës, nuk ia dhanë dënimin e merituar Serbisë. 

“Në Kosovë u masakruan mbi 13 mijë veta dhe u dëbuan mbi 1 milion shqiptarë jashtë vendit. Nga ky shtet serb nëpërmjet kriminelëve u përdhunuan mbi 20 mijë femra shqiptare dhe u shkatërruan rreth 150 mijë objekte të ndryshme. Këtë dhunë dhe gjenocid, pas luftës nuk e dënojë UE dhe SHBA me masa penale përgjegjëse, dënimi do të ishte protektorati mbi Serbinë, mirëpo kjo nuk u bë. Megjithatë, nuk mund të përjashtohen nga përgjegjësia njerëzit e pushtetit të dhunës serbomadhe, këtu është fjala te krimineli Vuçiq, Vulin, Daçiq etj., që ishin bartës të gjenocidit në Kosovë”, theksoi ai.

Sipas tij, EULEX-i, UNMIK-u dhe Gjykata Ndërkombëtare janë fajtorët kryesorë që Serbia nuk i mori dënimet e merituara për krimet e kryera.

Madje, profesori deklaratën e ish-gjykatësit Simmons nuk e cilësoi me peshë të madhe, pasi krimi serbomadh është toleruar dhe tash nga UE dhe nga SHBA. 

“Dështimet në dënimin e krimit serbomadh u bënë nga Gjykata Ndërkombëtare për krimet e luftës dhe natyrisht vetë UNMIK dhe EULEX dështuan në luftimin e këtij krimi makabër serbomadh. Deklarata e Simmons nuk ka fare peshë kundruall fakteve të theksuara, mund të ketë mendime e mendime mbi këtë, por fakti i dështimit të UE mbetet. Mbetet krimi serbomadh është toleruar dhe tash nga UE dhe nga SHBA, pa bërë fjalë për OKB-në, po bashkëpunohet me kriminelët”, nënvizoi Kelmendi.

Juristi beson që tolerimet e Bashkimit Evropian iu kanë dhënë hapësirë kriminelëve serbë që të kryejnë krimet e tyre, ku përmes forcimit të tyre, Serbia nuk u gjykua për krime dhe gjenocid, por Kosova.

“Kjo formë e punës ka  krijuar forcë dhe tash kriminelët serbe po marshojnë përpara, tamam sikur vendin i tyre të ishte gjakosur. Ky është turpi i UE dhe çdo shteti tjetër në bote që thirret në demokraci dhe në liri. Kështu u forcua shteti serb dhe u ndërruan pozicionet, kriminelët serbë dhe Serbia nuk gjenden në Dene Hagë për tu përgjigjur për gjenocid, por Kosova si vend. Nuk më dhimbsen individët shqiptare, më dhimbset drejtësia dhe fakti se kështu UE i forcojë shtetet kriminale dhe la për të kuptuar se forca nuk njeh drejtësi”, potencoi Kelmendi.

Krejt në fund, ai kërkoi nga institucionet e Kosovës që domosdo të padisin shtetin serb për gjenocid, për faktin e mos përgjegjësisë së BE-së në raport me krimet serbe. 

“Kjo të dërgon natyrisht te fakti se Kosova dhe organet e Kosovës vetë duhet të i ndjekin kriminelët serbomëdhenj dhe të përpiqen që domosdo të padisin shtetin serbe për gjenocid. Në fakt kjo mos përgjegjësi duhet të jetë edhe fakt në raportet e shtetit të Kosovës me shtetin serb dhe edhe me ndërmjetësuesit e UE dhe të shteteve nga vijnë ata. Janë këto 5 shtete të UE që kanë ndihmuar për të bllokuar përgjegjësinë serbe dhe tash e kanë vënë Kosovën me shpatulla për muri”, përfundoi profesori Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat