Analisti reagon ashpër ndaj PDK-së pak ditë para zgjedhjeve, i jep paralajmërimin e fundit

Politika

Analisti reagon ashpër ndaj PDK-së pak ditë para zgjedhjeve, i jep paralajmërimin e fundit

Nga: M.H. Më: 1 korrik 2021 Në ora: 14:51
Enver Hoxhaj

Partia Demokratike e Kosovës (PDK), që nga nëntori i vitit të kaluar, ka mbetur pa kryetar, pasi ish-kryetarit të saj Kadri Veseli iu konfirmua aktakuza për krime lufte nga Gjykata Speciale.

PDK e gjendur në këtë situatë, ka shpallur zgjdhjet e brendshme, të cilat do mbahen më 3 korrik, shkruan “Bota sot”.

Konventa e Përgjithshme e Partisë Demokratike të Kosovës është organi më i lartë i partisë që gjithashtu zgjedh edhe kryetarin e partisë.

Në anën tjetër, Konventa e Përgjithshme e PDK-së ka një përbërje e cila lejon që në zgjedhjet e brendshme të ketë një proces zgjedhor të mirëfilltë.

Mirëpo, se kush do të jetë emri i radhës që do të përfaqëojë PDK-në, mbetet të shihet pas dy dite, kur edhe do të mbahen zgjedhjet.

Në lidhje me këtë temë, opinonisti dhe analisti nga Amerika, Binak Maxharraj, në një prononcim për “Bota sot”, tha se që nga zgjedhjet e 14 shkurtit, PDK ka qenë në ditët më të vështira të saj, duke përjetuar kështu një rënie politike.

“PDK e Kosovës pas zgjedhjeve të 14 shkurtit 2021 po i përjeton ditët më të vështira në jetën e vet sepse shënoi rënie drastike të votuesve në këto zgjedhje.Që atëhere PDK nuk po mund të gjejë vetën e as po mundohet ta gjejë, sepse si duket nuk ka fajtor brenda saj, kurse jashtë për humbjen e saj e akuzojnë elektoratin, votusit se pse ata e votuan LVV me Listën “Guxo” te cilët morën mbi 50% të votave. Pas humbjes katastrofale PDK nuk ndërmori asgjë të mençur për ta reformuar partinë”, u shpreh analisti.

Më tej, Maxharraj ka cekur katër elemente që PDK-së i mungojnë, duke filluar nga pastrimi i njerëzve të korruptuar pasiqë sipas tij ky është një fakorë që PDK ka pësuar humbje.

Image
Binak Maxharraj

“Së pari, PDK duhet të pastrohet nga njerëzit e korruptuar, nga njerëzit te cilët në emër të luftës erdhën në pushtet dhunshëm, vodhën, plaçkitën, u pasuruan pa masë, që do të thotë u korruptuan deri në fund saqë nuk u mbeti as sy e faqe në popull. Mu për këtë, votuesit nuk e votuan në masë më të madhë këtë parti në zgjedhjet e fundit. Pra, Konventa duhet të bëjë pastrimin nga njerëzit e korruptuar, qofshin ata komandantë apo të tjerë, sepse duke e parë sjelljet e tyre për të gjitha këto vite nëse ata nuk largohen por edhe më tutje mbesin në strukturat e partisë. PDK veç sherrin do t'ua shohë. PDK duhet të freskohet me figura të reja, të afta të menaxhojnë mençur me PDK dhe të tillë ka si brenda por edhe jashtë saj”, thotë ai.

Analisti cek elementin e dytë duke u shprehur se Konventa duhet të pastrohet nga SHIK-u, pasi që mbetet një organizatë që ka ndikim të madh në këtë parti.

SHIK nuk ka lejuar kurrë që të hetohen nga Komisoni Parlamentar vrasjet e veprimtarët dhe sipas tij, për këtë arsye ajo duhet të zhduket.

“Së dyti, Konventa duhet njëherë e mire ta pastrojë veten edhe nga SHIK-u. SHIK ishte dhe mbetet një organizatë fantome qe kurrë nuk u mësua qëllimi i formimit te saj dhe cili ishte qëllimi i saj përveç që ashtu siç ishte në kuadër dhe shërbim të PDK-së me qëllim që fillimisht t’i ndihmojë PDK-së në kapjen e shtetit u formu gjoja në mbrojtjen e interesave të shtetit. Por SHIK edhe pse ndodhën gjitha ato vrasje te veprimtarëve pas luftës nuk qenë në gjendje apo nuk deshti të zbulojë bile ndonjërën nga ato, bile shpesh edhe akuzohej dhe dyshohej se ka bërë edhe krime. Bile SHIK shpesh akuzohej edhe në Parlamentin e Kosovës për dyshime për pjesëmarrje ne krime, por deputetët merrnin përgjegjie se “do të ju ngopi SHIK” dhe asgjë tjetër. Mu për këtë arsye SHIK nuk u lejua kurrë që të hetohet nga Komisoni Parlamentar për të mësuar të vërtetën lidhur me të”, theksoi Maxharraj.

Tutje ai vazhdon të tregojë edhe pikën e tretë që Konventa e PDK-së është e dobët, duke thënë se ajo ka përfituar shumë në emër të lavdisë së luftës dhe pa krijuar reforma të reja nuk mund të shkojë përpara.

“Së treti, Konventa e PDK-së fuqimisht duhet të merret me shpalosjen e reformave sepse PDK është një parti e ngurtë e cila nuk ka bërë reforma të duhura që nga themelimi i saj por që zgjedhjet i fitonte në emër të lavdisë së luftës, lavdisë heroike të UÇK-së e cila shumë herë edhe është keqpërdor emri i saj për interesa personale të komandantëve. Pa reforma të mirëfillta PDK nuk mund të shkojë përpara, nuk mund të dalë kurrë nga gremina e opozitës në të cilën ka rënë”, potencoi analisti.

Ndëra, pika e katërt sipas profesorit është gjetja e një lidershipi për partinë, pasi që nuk ka dhe i mungonë, ai nuk lë pa përmend edhe emrat që po lakohen për kryetar të partisë, duke u shprehur që PDK ka shumë emra më bagazh të madh politik.

“Së katërti, PDK në këtë Konventë duhet të gjejë lidershipin. Kjo parti nuk ka lidërship, ka nevojë për lidership që tash për tash i mungon, por ato duhet t’i gjejë brenda saj, PDK ka figura me bagazh të pasur dhe autoritet politik. Kohët e fundit po flitet dhe përflitet, po lakohen shumë emra për kandidatë për të parin e PDK-së. Ndër më të lakuarit po përmenden Enver Hoxhaj, Memli Krasniqi, Vlora Çitaku, Uran Ismaili, Gent Cakaj,etj”, shprehet profesori.

Në fund, ai thotë se Konventa e PDK-së mbetet të merret me kandimin e Memli Krasniqit dhe Enver Hoxhjat por që asnjëri nuk është i denjë për të qenë kryetar i PDK-së.

Njerëzit e tillë servilë nuk mund të kenë sukses në menaxhimin e PDK-së, shton profesori.

“Konventa e PDK mbetet të merret më kandidimin e Memli Krasniqit dhe Enver Hoxhaj për kryetar të PDK. Por që të dy këto figura nuk janë të përshtatshme, nuk janë të shëndetshme, nuk kanë karizëm për të qenë kryetar i PDK-së, të dytë janë si t’i quaj laskica, servilë që marrin sinjale anash dhe si të tillë nuk e kanë as autoritetin për kryetar sepse janë të kapur nga të tjerët që dërgojnë vazhdimisht sinjale se çfarë duhet bërë me partinë si ta menaxhojnë. Njerëzit e tillë servilë nuk mund të kenë sukses në menaxhimin e PDK-së”, përfundon Maxharraj për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat