Deklarata e Simmons dhe dështimi i drejtësisë nga EULEX, flasin juristët, kërkojnë hetime

Politika

Deklarata e Simmons dhe dështimi i drejtësisë nga EULEX, flasin juristët, kërkojnë hetime

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 14 korrik 2021 Në ora: 18:55
Ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons

Ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, ka raportuar të hënën para deputetëve të Kuvendit të Kosovës.

Ai gjatë raportimi ka përmendur disa nga skandalet e EULEX-it në Kosovës, përfshirë ndërhyrjet politike, manipulimin e provave dhe ndikimet tek dëshmitarët.

Ai po ashtu ka thënë se EULEX ka dashur t’i heq nga skena politike disa “peshqit të mëdhenj”.

Por pas kësaj deklarate ka pasur reagime të shumta nga skena politike dhe nga OVL e UÇK-së.

Por, si duhet vlerësuar këto deklarata të Simmons dhe a do të duhej të kishte hetim për deklarata të tilla për misionin e EULEX-it në Kosovë?

Juristët vlerësojnë se ky mision ka dështuar në Kosovë.

Kelmendi: EULEX ka dështuar në Kosovë

Image
Muhamet Kelmendi

Profesori dhe juristi Muhamet Kelmendi, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se EULEX në Kosovë nuk ka ardhur për ta rregulluar skenën politike, por për të ndërtuar sistem juridik të drejtë dhe me ligj.

“EULEX nuk ka ardhur ne Kosovë për të rregulluar skenën politike. Ai nuk ka dhe nuk kishte kompetenca për të hequr nga skena disa "peshqi të mëdhenj". Skenën politike në Kosovë e përcaktojnë zgjedhjet me votat e qytetarëve të Kosovës. Ky mekanizëm evropian ka qenë dhe është në Kosovë për të ndërtuar sistem juridik të drejtë dhe me ligj. Fillimisht kishte kompetenca të gjera. Dhe, në këtë drejtim ka dështuar ky mision evropian në Kosovë. Këtë më së miri e di z.Simmons, sepse ishte në krye të Asamblesë gjyqësore të EULEX-it në Republikë. E keqja është se ky mision devijojë nga detyra e vet dhe pothuajse se dështojë në tërësi”, ka thënë juristi.

Ai thotë se ky mision nuk e luftoi as kriminalitetin e as dhunën që iu bë Kosovës nga forcat serbe.

Sipas tij, EULEX asnjë kriminel serb nuk e futi në përgjegjësi.

“Nuk e luftoi kriminalitetit e dhunën shfarosëse të bërë në Kosovë nga forcat serbe. Asnjë kriminel serb nuk e futi në përgjegjësi. Në fakt edhe nuk kemi raste. I futi në procedurë disa grupe si ai Kleçkës, i Drenicës etj., dhe natyrisht nuk kishte prova. Kjo vjen nga fakti se u mbështet në propagandë shoviniste serbe dhe si propagandë nuk i shërbeu këtij mekanizmi në nxjerrjen e provave dhe në dënimet e paditurve për vepra penale në lufte dhe pas luftës”, shprehet ai.

Në gjithë këtë bujë të madhe të bërë, Kelmendi deklaron se Vettingu sa më parë duhet të vijë në Kosovë, sepse vetëm me atë mjet juridik shërohet ky sistem tërësisht i dëmtuar nga ana e UNMIK dhe EULEX në Republikën tonë.

“Mirëpo, dështimi kryesor qëndron në ndërtimin e sistemit prokurorial e gjyqësor në Kosovë. Nën ombrellën e informacioneve serbe u vendosen prokurorë dhe gjyqtarë të ish sistemit serbo-jugosllav. Si të tillë ata e degjeneruan këtë fushë të sistemit juridik dhe shteti ligjor dështoj me te madhe. Është e domosdoshme që çështja të kalojë në Kuvend dhe aty të shqyrtohet puna e këtij mekanizmi. Natyrisht se asgjë nuk mund të bëhet kundër këtij komisioni, përveç të rehabilitimit të të persekutuarve nga UNMIK e EULEX. Dhe, në anën tjetër, ky është shembull, se VETTING-u sa më parë duhet të vijë në Kosovë. Vetëm me atë mjet juridik shërohet ky sistem tërësisht i dëmtuar nga ana e UNMIK dhe EULEX në Republikën tonë|, ka deklaruar juristi Muhamet Kelmendi për gazetën “Bota sot”.

Krasniqi: EULEX mendjen e ka pasur në Serbi vetëm këmbët në Kosovë

Image
Islam Krasniqi

Edhe juristi Islam Krasniqi, lidhur me këtë ka thënë se ky mision ka dështuar. Sipas tij, vetëm ngritja e aktakuzave, mbledhjet e provave, sigurimi i dëshmitarëve, lë të kuptohet se EULEX-i nuk ka të bëjë asgjë me drejtësi por pa drejtësi.

“Është shumë e vërtet ajo çfarë ka cituar ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons, pasi që misioni i tyre është i gabuar edhe pse në esencë titullohet Misioni i Drejtësisë. Nëse ndalemi dhe i shikojmë ndërtimin e aktakuzave se si i kanë përgatitur, mbledhjet e provave, sigurimin e dëshmitarëve ajo të jep të kuptohet se EULEX-i nuk ka të bëjë asgjë me drejtësi por pa drejtësi”, ka thënë ai.

Krasniqi është i mendimit që duhet të ketë hetime që të dalë e vërteta në pah, sepse EULEX mendjen e ka pasur në Serbi vetëm këmbët këtu sepse pa punuar me aktakuza të Serbisë.

“Pa dyshim se duhet të ketë hetime dhe të nxirret e vërteta, sepse një pjesë e EULEX-it mendjen e ka pasur në Serbi vetëm këmbët këtu sepse pa punuar me aktakuza të Serbisë, duke i ndëshkuar çlirimtarët me thashetheme, të cilat më së paku mund të jenë të vërteta, duke u thyer moralin atyre që dikur dhanë gjymtyrët e trupit për lirinë që sot ne e gëzojmë”, deklaron juristi.

Ai thotë se deklarata e Simmons na bind se gjithçka ishte politike.

"Deklarata e ish-kryetari i asamblesë së gjykatësve të EULEX-it, Malcolm Simmons na bind se gjithçka ishte politike ku edhe disa gjyqtarë tjerë janë deklaruar njëjtë, e që si shembull mund të marrim rastin Kiqina – Ramadani kur gjyqtari i këtij misioni të padrejtësisë thotë “ne e dimë që janë të pafajshëm, por duhet t’i dënojmë”, e që sikur të ishim në rregull ne vetë nuk do të kalonin kështu këto procedura as këto politika", përfundon Krasniqi për "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat