Kryeministri i Kosovës stoik ndaj Serbisë, çfarë pritet nga takimi Kurti-Vuçiq me 19 korrik?

Politika

Kryeministri i Kosovës stoik ndaj Serbisë, çfarë pritet nga takimi Kurti-Vuçiq me 19 korrik?

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 16 korrik 2021 Në ora: 08:56
Takimi i 15 qershorit

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq do të takohen të hënën e ardhshme në Bruksel.

Këtë takim e ka konfirmuar edhe Bashkimi Evropian. Zëdhënësi i Bashkimit Evropian, Peter Stano, ka deklaruar se ky takim do të jetë vazhdimësi e bisedimeve në kontekstin e dialogut për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë.

"Ky takim i nivelit të lartë të dialogut, do të fokusohet në diskutimin për progresin e arritur – për hapat e ardhshëm në dialog, i cili është shumë i rëndësishëm për perspektivën evropiane të Kosovës dhe Serbisë", ka deklaruar Stano.

Ndërkaq, ende nuk është bërë e ditur se cilat do të jenë temat që do të diskutohen në takim.

Gjatë takimit të parë të zhvilluar në Bruksel, më 15 qershor kryeministri i Kosovës, kishte prezantuar katër propozime, tri nga këto u refuzuan nga ana e Serbisë.

Kryeministri  Kurti vazhdimisht ka insistuar që Kosova dhe Serbia duhet të jenë palë të barabarta në dialog. Të njëjtin qëndrim, pritet që ta mbaj edhe në takimin e 19 korrikut. Analistët politikë presin që kryeministri do të jetë konsekuent edhe në këtë takim me Vuçiçin, kurse në anën tjetër kanë kritikuar Bashkimin Evropian për heshtjen ndaj deklaratave të Beogradit.

Qarri: Takimi Kosove - Serbi, nuk mund të ketë rezultate të mëdha në bisedime

Analisti politik, Gani Qarri, në bashkëbisedim për “Bota sot”, ka thënë se Qeveria do duhet të përqendrohet te pastrimi urgjent i elementeve të inkriminuar dhe bashkëpunëtorëve të UDB-së në Kosovë.

Image
Gani Qarri

“Duke pasur parasysh pengesat e vazhdueshme të mafisë politike dhe ish qeveritarëve të kriminalizuar politik, të cilët më tepër se vet shteti serb keqpërdorin edhe rastin e "refugjates" serbe Dragica Gashiq, për ta gjunjëzuar Qeverinë dhe shtetin e Kosovës para Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare, me akuzat se Qeveria Kurti nuk po u siguron kushte bashkëpunëtores së MUP-it serb D.Gashiq dhe serbëve që duan të kthehen në Kosovë, Qeveria më tepër do duhej të përqendrohej te pastrimi urgjent i elementëve të inkriminuar dhe bashkëpunëtorëve të UDB-së, në Kosovë, si dhe reformave jetike për qytetarët e vendit, të kërkuara nga BE, se sa të merrej vetëm me çështjen e bisedimeve me Serbinë”, ka thënë ai.

Sipas pas tij, përgjatë dialogut është parë që Serbia nuk është e interesuar për arritjen e një marrëveshje me njohje reciproke.

“Madje edhe në negociatat e deritanishme mbi një-dekadëshe, është parë hapur se Serbia, as që është e interesuar për arritjen e një marrëveshje me njohje reciproke, por vetëm për imponimin e një ngrehine kundër kushtetuese si “zajednica” për bosnjëzimin e Kosovës, forcimin e strukturave paralele dhe ndërhyrjen në rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Qarri ka thënë se nga ky takim nuk pret rezultate, ndërkaq i ka quajtur të drejtë insistimin e kryeministrit Kurti që bisedimet të zhvillohen në pozita të barabarta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë.

“Nisur nga përvoja mese dhjetëvjeçare e bisedimeve me Serbinë, ku Aleksandër Vuçiq është mësuar që vet ti caktojë temat dhe dirigjojë negociatat me kuislingun Thaçi i cili pati kthyer edhe Kosovën në një krahinë të Serbisë, duke i vënë pavarësisë tonë fusnotën dhe shndërruar shtetin tonë të pavarur, në vend me status të papërcaktuar, njëjtë si takimi i kaluar, as nga ky takim nuk pres rezultate, për vet faktin se kryeministri Kurti me të drejtë insiston që bisedimet të zhvillohen në pozita të barabarta ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjë që Serbia shoviniste nuk dëshiron ta pranojë”, ka vlerësuar Qarri për “Bota sot”.

Edhe një herë, Qarri e ritheksoi se qëndrimi i kryeministrit Kurti pritet të jetë konsekuent dhe se nuk do të ndryshojë as në këtë takim.

“Kështu që përderisa Aleksandër Vuçiqi, kërkesën për njohjen e pavarësisë së Kosovës edhe mbi 22 vite pas çlirimit, e konsideron si kërkesë ekstreme, dhe njëkohësisht shpreh publikisht pretendime territoriale ndaj shtetit tonë, ndërsa edhe vet BE, lejon në heshtje, që Serbia edhe më tej, ta trajtojë Kosovën si koloni të saj, megjithëse të gjithë e dinë se qëllimi kryesor i negociatave, është njohja nga Serbia e pavarësisë së Kosovës dhe pranimi i ndërsjellë, ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, nuk mund të ketë rezultate të mëdha në bisedime, për vet faktin se qëndrimi i kryeministrit Kurti pritet të jetë konsekuent dhe të mos ndryshojë as në këtë takim, sidomos kur janë në pyetje çështja e shtetit të Kosovës, kthimi i të pagjeturve si dhe krimet dhe gjenocidi i shkaktuar nga Serbia okupatore ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, të cilat qeveritë e kaluara, shihet hapur, se nuk i kanë trajtuar asnjëherë me seriozitet”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Bytyçi: Është koha e fundit t'i thuhet Serbisë stop, nuk ka më koncesione tjera

Ndërsa, opinionisti Adem Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, nuk pret ndryshim qëndrimi nga kryeministri Kurti.

Image
Adem Bytyçi

“Nuk mendoj se në takimin e radhës në Bruksel në mes Kurtit dhe Vuçiqit, Kurti do të ndryshojë qëndrim nga takimet e kaluara sa u përket kërkesave të Vuçiqit në dëm të Kosovës”, ka thënë ai.

Më tej, Ademi ka treguar se për çfarë është Kurti i vetëdijshëm.

“Kurti është i vetëdijshëm se nëse vazhdohet me koncesione Serbisë si në të kaluarën Kosova do të jetë një shtet jo funksional gati dhe ndoshta si ai i Bosnjës Hercegovinës , prandaj këtë qëndrim Kurti ia ka bërë me dije jo vetëm Vuçiqit, por edhe ndërmjetësve Evropianë dhe bashkësisë ndërkombëtare”, ka theksuar Bytyqi.

Gjithashtu, ai ka deklaruar se është koha e fundit që t'i thuhet Serbisë “stop nuk ka më koncesione tjera”.

“Edhe njëherë tjetër e pata potencuar se Serbia as njëherë nuk do të ngopet me koncesione në dëm të sovranitetit të shtetit të Kosovës pa u bindur se prania e Serbisë në Kosovë do të jetë e pa evitueshme, tani është koha e fundit t'i thuhet Serbisë stop nuk ka më koncesione tjera”, ka potencuar Ademi për “Bota sot”.

 
commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat