Thirrja e LDK-së dhe AAK-së për protesta kundër Albin Kurtit, vjen përgjigjja nga VV-ja: Nuk do t’i angazhojmë snajperistët si qeveria e mëparshme

Politika

Thirrja e LDK-së dhe AAK-së për protesta kundër Albin Kurtit, vjen përgjigjja nga VV-ja: Nuk do t’i angazhojmë snajperistët si qeveria e mëparshme

Nga: N. H Më: 17 korrik 2021 Në ora: 10:48
Ramush Haradinaj, Albin Kurti dhe Lumir Abdixhiku

Nuk janë bërë më shumë se 120 ditë prej që “Qeveria Kurti II” ka ardhur në pushtet, dhe dy partitë opozitarë; Lidhja Demokratike e Kosovës dhe Aleanca për Ardhmërinë e Kosovës, po e kërkojnë me ngulm rrëzimin e kryeministrit Albin Kurti.

Lideri i Aleancës për Ardhmërinë e Kosovës, Ramush Haradinaj, ka kërkuar që të organizohen protesta nga qytetarët pasi që Qeveria e Kosovës ka vendosur një taksë krejtësisht të re, në vlerë prej 5 euro.

E, në lidhje me këto paralajmërime “Bota sot” ka kontaktuar Driton Talin, ish-këshilltar i kryeministrit Kurti, aktualisht këshilltar i kryeparlamentarit Konjufca.

Driton Tali, këshilltar i kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka thënë se nuk ka asgjë kundër protestave të paralajmëruara nga opozita, të thirrura kundër Qeverisë Kurti 2.

Tali ka inkurajuar LDK-në dhe AAK-në, por edhe partitë dhe organizatat tjera, që të organizojnë protesta nëse e kanë kauzën, pasi që sipas tij, dalja masive e qytetarëve do të nënkuptonte se opozita e ka mirë, kurse qeveria e ka humbur busullën.

Image
Albin Kurti dhe Driton Tali

“Protesta është njëra nga mekanizmat kryesore të demokracisë, andaj në parim nuk kam asgjë kundër të protestuari nga kushdo qoftë dhe për çfarëdo kauze qoftë. Sëkëndejmi, në këtë kontekst, unë i inkurajojë LDK-në dhe AAK-në, por edhe partitë dhe organizatat tjera, të organizojnë protesta nëse e kanë kauzën. Kjo do ju ndihmojë atyre në kuptimin e përkrahjes që e kanë te qytetarët. Natyrisht edhe “Qeverisë Kurti 2” do t’i ndihmonte. Dalja masive e qytetarëve do të nënkuptonte se opozita e ka mirë dhe se Qeveria e ka humbur busullën, ndërsa mosdalja të kundërtën”, ka thënë Tali, të shtunën për gazetën “Bota sot”.

Mirëpo, ai konsideron se kjo protestë do të jetë shumë e zbehtë, ndërsa shprehet se në rast se kjo bëhet veç e veç, këto parti do të pësojnë debakël në mungesë të përkrahjes, pasi që deklaron se edhe me tej qytetarët i kanë të freskëta të bëmat e PLAN-it.

“Personalisht, si qenie politike që jam, mendojë se ajo protestë do të jetë shumë e zbehtë, nëse pra LDK dhe AAK dakordohen që së bashku ta bëjnë sepse veç e veç do të pësonin debakël - cirkuzi dynjasë do të bëheshin. Për faktin se hiqi strukturat e ngushta partiake, dhe aty këtu ndonjë qytetar i rastit, askush tjetër nuk do t’i bashkohet ngase qytetarët e Kosovës jo që i kanë ende të freskëta të bëmat e PLAN-it, por edhe nuk kanë kauzë të arsyeshme të protestojnë kundër “Qeverisë Kurti 2”“, është shprehur ai.

Në fund, këshilltari i kryeparlamentarit Konjufca ka theksuar se për këto pak muaj ka performuar shumë larg ma mirë se qeveritë e kaluara.

Ndërsa, ka nënvizuar se opozitën duhet inkurajuar për protesta pasi që si ekzekutiv nuk do t’i angazhojnë snajperistët nëpër kulmet e ndërtesave të Sheshit të Prishtinës siç kishin vepruar në të kaluarën qeveritë e mëparshme.

“Unë e kam parasysh se qytetarët presin shumë nga kjo qeveri, mbase edhe mund t’i jepet ndonjë kritikë për ndonjë lëshim menaxherial të rastit (nuk thuhet kot “kush punon edhe gabon”) ama kjo qeveri për këto pak muaj ka performuar shumë larg ma mirë se ato të PLAN-it. Për mos ta zgjatur, pra unë opozitën kisha për ta inkurajuar që të protestojnë (pa gajle se nuk do t’i angazhojmë snajperistët nëpër kulmet e ndërtesave të sheshit si qeveria e mëparshme) sa here që ajo të mendojë se ka kauzë. Pra, ato protesta do t’i ndihmonin edhe qeverisë”, ka deklaruar për “Bota sot”, Driton Tali, këshilltar i Kryetarit të Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat