Albin Kurti ia ndryshoi lojën Serbisë, ja pse do ta ketë të vështirë përballë kryeministrit të Kosovës

Politika

Albin Kurti ia ndryshoi lojën Serbisë, ja pse do ta ketë të vështirë përballë kryeministrit të Kosovës

Arife Morina Nga Arife Morina Më 18 korrik 2021 Në ora: 10:30
Albin Kurti

Ditë më parë, kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, ka deklaruar se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës nuk ka qenë kurrë më i vështirë. Ajo theksoi se ishte e pamundur të flitej me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurtin. 

"Bërnabiq deklaroi se dialogu midis Beogradit dhe Prishtinës është jashtëzakonisht i vështirë sepse njerëzit që negociojnë nuk janë pragmatikë dhe nuk janë të interesuar për projekte rajonale, por vetëm dërgojnë mesazhe që Serbia duhet të gjunjëzohet dhe se është çështje ditësh kur Serbia do të njohë pavarësinë e Kosovës”, raportojnë mediat serbe. 

“Ata nuk duan të flasin për asgjë tjetër. Është një situatë jashtëzakonisht e vështirë, por ne duhet të qëndrojmë në dialog,” u shpreh Bërnabiq. 

Po ashtu, ajo ka thënë se shumë gjëra dhe marrëveshje që janë arritur në samite që janë organizuar për Ballkanin Perëndimor nuk kanë filluar të realizohen, si pasojë e pengesave nga politikanët e Prishtinës.

Analistët politik këto deklarata të kryeministres serbe, i vlerësojnë si propagandë.

Ata në prononcimet e tyre për gazetën “Bota sot”, thanë se Bërnabiq po tenton ta paraqes Serbinë si viktimë, para bashkësisë ndërkombëtare.

Krasniqi: Serbia po e luan lojën e viktimës 

Njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi, në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq po e luan lojën e viktimës.

Image
Islam Krasniqi

Ai u shpreh se përmes viktimizimit, Serbia po tenton ta ulë Kosovën në bankën e të akuzuarve para bashkësisë ndërkombëtare.

“Është e vërtetë se Serbia gjithmonë e ka luajtur lojën e viktimës, e cila përmes kësaj arriti të na ulë në bankën e të akuzuarve në sy të bashkësisë ndërkombëtare”, u shpreh Krasniqi.

Sipas analistit, tani me ardhjen e kryeministrit Kurti në krye të Qeverisë së Kosovës, ka ndryshuar edhe formati i dialogut. Ai tha se Serbia tani po ka vështirësi në zhvillimin e dialogut, pasi për dallim nga e kaluara tani pala nga Kosova është më e përgatitur.

“Por mos të harrojmë të cekim se ka ndryshuar edhe formati i dialogut nga pala kosovare të cilët janë  me të vendosur dhe më të qartë në kërkesat e tyre, duke i krijuar Serbisë vështirësi në këtë proces. Pasi që ishte mësuar të shfrytëzojë mos përgatitjen e palës kosovare, ku përmes këtij dialogu realizoi shumë projekte të saj dhe dëmtoi sovranitetin e shtetit tone”, theksoi ai.

Tutje, ai përmendi edhe disa marrëveshje të cilat u nënshkruan në dëm të Kosovës, e disa nga ato janë: asociacioni, integrimi i strukturave paralele në kuadër të Policisë së Kosovës, marrëveshja për mos pengimin e njëra-tjetrës në rrugën ndërkombëtare, të cilën shteti serb nuk e ndali asnjëherë.

“Duke filluar nga marrëveshja për normalizim, pastaj e fusnotës, asociacioni, integrimi i strukturave paralele në kuadër të Policisë së Kosovës, krijimi i një të Gjykatës së Apelit me gjyqtar serb për t'i trajtuar problemet e serbëve, pa harruar të cekim edhe marrëveshjen për mos pengimin e njëra-tjetrës në rrugën ndërkombëtare, e që Serbia nuk e ka ndalur asnjëherë këtë fushatë etj etj", radhiti Krasniqi.

Në fund, ai u shpreh i kënaqur me qeverinë e re, duke thënë se ajo ka një vizion të qartë dhe po qëndron prapa parimeve të saj.

“Qeveria e re ka një vizion të qartë dhe është fokusuar në këtë proces duke qëndruar prapa parimeve duke ja treguar vendin Serbisë dhe duke ja kujtuar edhe krimet dhe gjenocidin e kryer, e për ta është e rëndë pasi që me qeveritë e kaluara ishin tema të mbyllura këto dhe për këtë arsye është i vështirë dialogu me qeverinë e re”,  përfundoi Islam Krasniqi.

Bytyçi: Serbia do ta ketë shumë të vështirë përballë kryeministrit Kurti 

Edhe analisti tjetër politik, Adem Bytyçi, është i mendimit se kryeministrja serbe po përpiqet ta paraqesë shtetin e saj si viktimë në raport me Kosovën.

Image
Adem Bytyçi

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se Serbia historikisht u paraqit si viktimë në tryezën e bisedimeve.

“Kryeministrja e Serbisë, Ana Bërnabiq, lidhur me negociatat Kosovë - Serbi, duke pohuar se është vështirë të negociohet me kryeministrin Kurti, ka për qëllim që ta paraqesë Serbinë si viktimë në raport me Kosovën. Zaten Serbia  historikisht sa herë i ka humbur luftërat pushtuese në të cilat ka qenë agresore, në tryezë duke e paraqitur veten viktimë e palën tjetër agresor, i ka fituar luftërat”, deklaroi Bytyçi.

Në vazhdim, ai përmendi faktin se qeveritë e kaluara kanë bërë marrëveshje me Serbinë në dëm të Kosovës, gjatë bisedimeve në Bruksel. 

“Madje Serbisë, para se të fitonte zgjedhjet Qeveria Kurti, Qeveritë e kaluara i kanë bërë koncesione të shumta në dëm të Kosovës në negociatat e Brukselit. Tani, kryeministri Kurti e ka ndryshuar qasjen në negociata Kosovë- Serbi, duke ia bërë me dije Serbisë dhe bashkësisë ndërkombëtare se nuk do të bëhen koncesione tjera në dëm të sovranitetit dhe rregullimin politik dhe kushtetues në gjithë territorin e shtetit të Kosovës”, theksoi ai.

Krahas kësaj, analisti tha se shqetësimi kryesor i kryeministres Bërnabiq është qëndrimi i kryeministrit të ri të Kosovës, Albin Kurti.

Për këtë shkak, ajo po përpiqet ta paraqet Serbinë si viktimë para bashkësisë ndërkombëtare. 

“Ky qëndrim i Kurtit e ka shqetësuar kryeministren serbe, Ana Bërnabiq, prandaj orvatet ta paraqes Serbinë viktimë, në vend të agresorit në raport me Kosovën para bashkësisë ndërkombëtare, me shpresë se bashkësia ndërkombëtare të bëjë trysni mbi palën kosovare që t'i bëjë edhe koncesione tjera Serbisë në dëm të shtetit të Kosovës“, nënvizoi Bytyçi.

Tutje, ai shtoi se diplomacia serbe historikisht është karakterizuar nga gënjeshtrat dhe propaganda e saj karshi Kosovës, duke u paraqitur si viktimë në luftërat dhe gjenocidet që i ka zhvilluar ajo. 

“Diplomacinë serbe historikisht e ka karakterizuar gënjeshtra në raportet ndërkombëtare me shtetet tjera në rast të arritjeve të marrëveshjeve paqësore me shtetet me të cilat ka qenë në luftë, përherë vetë e ka luajtur rolin e viktimës edhe pse vetë i ka filluar luftërat, vetë ka bërë gjenocid dhe krimet më makabre ndaj popujve tjerë, edhe vetë i ka humbur të gjitha luftërat dhe në fund me gënjeshtra në tryezën e negociatave shpesh ka ndodhur t'i kompensojë humbjen e betejave luftuese", potencoi analisti. 

Në fund, ai tha se lojën e viktimës Serbia e ka të pamundur ta  luajë përballë kryeministrit Kurti. 

“Këtë e shpreson edhe në negociatat Kosovë ‐ Serbi, por këtë do ta ketë të pamundur, përderisa z.Kurti i përfaqëson interesat e Kosovës në këto negociata”, përmbylli Adem Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat