Tri gjenocide ndaj Kosovës/Goditja e Kurtit ndaj Serbisë në Bruksel, ky është skenari që pritet të ndodhë

Politika

Tri gjenocide ndaj Kosovës/Goditja e Kurtit ndaj Serbisë në Bruksel, ky është skenari që pritet të ndodhë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 22 korrik 2021 Në ora: 08:46
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiç, foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryeministri i Kosovës Albin Kurti dhe presidenti i Serbisë Aleksandër Vuçiq gjatë ditës së hënë kanë zhvilluar takimin e radhës në kuadër të dialogut Kosovë-Serbi.

Por, marrëveshja që po pritet të ndodh në mes të dyja vendeve, si duket është shumë larg, kjo për arsye se as në takimin e dytë gjatë këtij viti, të dyja shtetet nuk kanë arritur të kenë një dialog të mirëfilltë, shkruan “Bota sot”.

Takimi mes dy vendeve zgjati shumë shkurt duke mos u dakorduar kështu për asgjë.

Menjëherë pas takimit për media është deklaruar kryeministri i Kosovës Albin Kurti, i cili u shpreh se ka akuzuar Serbinë për tre gjenocide kundër shqiptarëve të Kosovës, gjatë takimit me Presidentin serb Aleksandër Vuçiq, në Bruksel.

Kurti ka thënë se gjenocidi i parë u krye në 1878 dhe i fundit në vitin 1999.

Përmendja e gjenocidit nga ana e Kurtit mori mendime pozitive, njëra ndër to që përgëzoi Kurtin ishte Melihate Tërmkolli nga radhët e LDK-së, e cila ka përgëzuar për paraqitjen kryeministrin e Kosovës në takim me palën serbe, duke thënë se ky shtet por edhe të tjerët duhet ta kuptojnë e ta pranojnë se kush bëri gjenocid ndaj shqiptarëve.

Natyrisht që ndaj këtyre akuzave nuk qëndroi indiferent presidenti Vuçiq, duke e kundërshtuar Kurtin dhe mos pranuar akuzat.

Por pavarësisht kësaj, Kurti në asnjë moment nuk hezitoi që t'ia përmend të bëmat e Serbisë dhe ia bërë me dije që Kosova tashmë nuk do të tolerojë asnjë gjë që dëmton vendin.

Qarri: Serbia do të pranojë se ka kryer gjenocid në Kosovë

Në lidhje me këtë temë, analisti politik Gani Qarri në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se Kurti në këtë takim i vërtetoi edhe njëherë Serbisë që nuk do t’i nënshtrohet asaj.

Image
Gani Qarri

Kurti i rikujtoi Serbisë për gjenocidit që bëri në Kosovë e që në fakt do të duhej Thaçi që në fillim të ia bënte me dije, mirëpo që me këtë ritëm që po vazhdon Kurti, Serbia do të detyrohet të pranojë gjenocidin që ka bërë në Kosovë.

“Përfundimisht me Albin Kurtin kryeministër të Qeverisë dhe udhëheqës të ekipit negociator, Kosova dhe Serbia po bëhen palë të barabarta në dialog, e për aq më tepër, si shtet i cili qysh nga vitit 1878 kur dhe filloi dëbimi i dhunshëm masiv me zjarr dhe hekur, i shqiptarëve nga trojet e tyre autoktone, që nga Nishi e Kurshumlija,nga kryeministri Kurti, Vuçiqit iu rikujtua edhe në Bruksel se Serbia të paktën tri herë ka kryer gjenocid shtetëror ndaj shqiptarëve. Ndaj, Serbia medoemos edhe do të detyrohet të pranojë, që jo vetëm të mos luajë më rolin e viktimës në bisedime, siç ka vepruar deri më tani, favor të cilin ia kishte dhuruar kuislingu Thaçi, për dhjetë vite me radhë, por edhe të zotohet se nuk do ta përsërisë agresionin ushtarak e policor dhe krimet e gjenocidin që ka kryer për më tepër se një shekull, ndaj shqiptarëve në të kaluarën, jo vetëm në Kosovën e sotme të ngushtë, por edhe në territoret e spastruara të shqiptarëve, që sot gjenden nën Serbi”, u shpreh ai.

Kryeministri Kurti po prek temën që do të duhej të trajtohej që në fillim të dialogut

Tutje, Qarri thotë se kryeministri Kurti është i pari dhe i vetmi që po i kujton Serbisë të gjitha dëmet që i ka bërë Kosovës.

“Madje kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, është i pari dhe i vetmi kryeministër dhe zyrtar i lartë shtetëror, që edhe në Bruksel ia bëri publikisht të ditur Aleksandër Vuciqit se Serbia,megjithëse ka kryer tri herë gjenocid ndaj shqiptarëve, me lejen e Thaçit & Co, prej vitesh luan artificialisht lojën e viktimës, në vend të agresorit siç edhe ka qenë në realitet dhe atë që nga vitit 1878 e këtej, kur dhe ka filluar agresionin masiv shtetëror kundër shqiptarëve të pambrojtur, agresion që përfundoi vetëm pas intervenimit të SHBA-së dhe NATO-s me 1999, kur si okupator që ishte, dhe u dëbua përfundimisht me luftë nga Kosova e sotme”, theksoi analisti.

Më tej, ai përmend edhe marrëveshjen paqësore me Serbinë që Kurti propozoi mirëpo që e njejta u refuzua nga Vuçiq.

E përveç kësaj marrëveshje atë se çfarë nuk përballoi tjetër Vuçiq ishte edhe ballafaqimi me të kaluarën.

“Për aq më tepër kryeministri Kurti propozoi edhe një marrëveshje paqeje me Serbinë, të cilën e refuzoi krimineli dhe bashkëpunëtori e ministri i informatave të Millosheviqit, Aleksandër Vuçiqi, i cili ishte pjesë e grupit shtetëror të Serbisë që projektoi dhe realizoi të gjitha krimet dhe masakrat të cilat u kryen gjatë viteve të luftës së fundit, ndaj shqiptarëve të pambrojtur në Kosovë, ku kishte edhe viktima fëmijë të moshës vetëm disamujore. Kështu që, i vetëdijshëm për barrën që mbanë mbi supe, për krimet dhe gjenocidin e kryer në Kosovë, dhe i frikësuar nga përgjegjësia që me ngritjen e padisë për krime lufte dhe gjenocid, duhet jap në të ardhmen ai personalisht, për ato që kanë ndodhur ndaj shqiptarëve derisa ky ishte një nga ministrat kryesor të Serbisë së Millosheviqit, Vuçiq refuzoi edhe kërkesën e dytë të kryeministrit Kurti për "Ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën" pa të cilën nuk mund të ketë paçe, arrihet marrëveshje as të zgjidhen problemet aktuale ndërmjet dy shteteve dialoguese”, potencoi Qarri për “Bota sot”.

Mehazi: Përmendja e tri periudhave gjenocidiale serbe ndaj shqiptareve ka zbuluar ndërgjegjën historike vrastare të Serbisë

Ndërsa, profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi në një bashkëbisedim me “Bota sot”, thotë se Kurti ka prezantuar denjësisht Kosovën para serbëve dhe evropianëve duke treguar haptazi qëllimet që ka Kosova karshi Serbisë.

Image
Sulejman Mehazi

Ai thotë se deklarata politike e kryeministrit të Kosovës, për mos-agresion, mos-luftë dhe zgjidhje paqësore të konfliktit mund të kundërshtohen vetëm nga krimineli i Serbisë, Vuçiq.

“Askush deri më tani nuk është prezentuar e paraqitur aq denjësisht para serbeve dhe evropianëve në Bruksel sikurse kryeministri i Kosovës Albin Kurti, aq i qartë, i hapur e i barabartë me qëllimet e tij politike sa që ia bëri me dije presidentin të Serbisë Vuçiqit, por edhe përfaqësuesve evropianë, Borrel dhe Lajçak se qytetarët e Kosovës kanë formuar qeverinë Kurti që do i del zot mëvetësise së Republikës së Kosovës dhe gjatë dialogut me Serbinë duan të barabartë e kurrsesi ndryshe. Deklarata politike e kryeministrit të Kosovës: "për mos-agresion, mos-luftë dhe zgjidhje paqësore të konfliktit" janë formula politike e diplomatike që askush nuk mund t'i kundërshtojë përveç presidentit kriminel të Serbisë, Vuçiq”, u shpreh profesori.

Profesori tutje thotë se përmendja e gjenocidit nga ana e Kurtit tregoi padrejtësisë që Serbia i bëri Kosovës dhe vrasjet e padrejta.

Ai i quan deklaratat e Kurtit për Serbinë leksione të pamposhtura politike ndaj serbëve dhe evropianëve.

“Përmendja e tri periudhave gjenocidiale serbe ndaj shqiptarëve që nga 1878 e deri më 1999 nga kryeministri i Kosovës në mes të Brukselit, ka zbuluar ndërgjegjen historike vrastare jo vetëm të Serbisë ndaj shqiptareve, por edhe padrejtësitë e fuqive të mëdha evropiane ndaj copëtimit të trojeve shqiptare me anë të pazareve të Londrave, Berlinave e Moskave në dëm të Kosovës. Deklarata e Albin Kurtit, "për mos-agresion, mos-luftë dhe zgjidhje paqësore të konflikteve" në Bruksel është një manifest i nivelit të antologjisë politike jo vetëm në mes dialogut Kosovë-Serbi, por edhe të gjitha shteteve ballkanike. Me një fjalë, janë leksione të pamposhtura politike ndaj serbëve dhe evropianeve”, përfundoi Mehazi për “Bota sot”.

Kujtojmë që takimi i radhës në nivelin e delegacioneve do të mbahet në fund të gushtit, ndërsa në shtator do të mbahet raundi i tretë Kurti – Vuçiq.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat