Kosova po rrezikohet nga provokimet e Serbisë, ja kush ra në kurthin e ngritur nga Beogradi!

Politika

Kosova po rrezikohet nga provokimet e Serbisë, ja kush ra në kurthin e ngritur nga Beogradi!

Nga: A.Morina Më: 22 korrik 2021 Në ora: 17:11
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - ilustrimi Bota sot

Ministri i Punëve të Brendshme i Serbisë, Aleksandër Vulin, padyshim që është njëri nga politikanët më provokues serb, Ku, së fundi Vulin proklamoi sërish idenë e “Botës serbe”.

Këtë deklaratë, ministri Vulin e bëri gjatë shënimit të 13-vjetorit të subjektit politik që ai drejton, Lëvizjes Socialiste, në të cilën ceremoni ishte i pranishëm edhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq, si kryetar i Partisë Përparimtare Serbe.

“Në mënyrë që ‘Bota serbe’ të bëhet, Serbia duhet të jetë e suksesshme ekonomikisht, Serbia duhet të udhëhiqet mirë, duhet të ketë një ushtri që është në gjendje ta ruajë vet Serbinë dhe serbët kudo që jetojnë. Për të ruajtur një Serbi të tillë, ne duhet të bëjmë gjithçka që të vazhdohet politika e Aleksandër Vuçiqit. Vetëm ajo është fitore, vetëm ajo është një garanci për mbijetesën e popullit tonë dhe asgjë tjetër”, ka thënë Vulin.

Kjo ripërtëritje e idesë për “Bota serb” nxiti reagime të mëdha në Kosovë dhe vendet e rajonit, duke kundërshtuar dhe linçuar idenë e ministrit serb.

E lidhur me deklaratën kërcënuese dhe provokuese të Aleksandër Vulin në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka folur njohësi i çështjeve politike nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Sipas tij, shtetet e vetme që kuadrot ushtarake i kanë kthyer në politikë, janë Kosova dhe Serbia. Ai tha se komandantët e luftës së këtyre shteteve emërues të përbashkët kanë vrasjet e shqiptarëve të pafajshëm.

Image
Njohësi i çështjeve politike nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

“Serbia dhe Kosova, janë të vetmet shtete, të dala nga luftërat e viteve `90-a, në Ballkan, që kanë ricikluar kuadrot ushtarakë në politikë, gjatë dy dekadave! Arsyet janë se disa kuadro, u zhytën në krime. Dhe, duke qenë në politikë, mbrohen nga gjykatat, pasi drejtësinë e rrënuan dhe e bllokuan punën normale të saj. Komandantët e luftës, zyrtarë në paqe, të këtyre dy shteteve, emërues të përbashkët kanë vrasjen e shqiptarëve të pafajshëm!”, deklaroi analisti.

Si fillim, Zeqiraj rikujtoi konfrontimin e disa javë më parë mes Vulinit dhe Vuçiqit. Ai tha se Vulin u mundua ta tejkalojë këtë zënkë, përmes deklaratave për ‘bashkim të serbëve’, mirëpo në praktike u dëshmua e kundërta.

“Aleksandër Vulin, eksponent i luftës së djeshme, sot është hiç më pak se ministër i Brendshëm i Serbisë! Javë më parë, kërcënoi , madje, fizikisht, presidentin Vuqiç, duke i kërkuar "mejdan" jashtë zyrës, për t`iu shmangur akuzës "të sulmit ndaj personit zyrtar, në cilësinë e presidentit!" U tejkalua edhe kjo zënkë dhe, tashmë, Vulin e ka përzgjedhur, pikërisht, presidentin Vuçiq, për ta realizuar "bashkimin e serbëve", qoftë edhe me luftë"! Sepse, sipas nacionalistëve serbë, "Serbia fiton në luftë, por humbë në paqe"!? Ndërkohë që, në praktikë, është dëshmuar e kundërta”, theksoi ai.

Gjithashtu, analisti nga Gjermani u tregua i ashpër me Aleksandër Vulinin, duke thënë se ai është një prepotent I vrazhët, që fyen dhe kërcënon kundërshtarët e tij, përfshirë edhe kryeministrin Kurti.

“Kryepolici serb Vulin, justifikon postin e tij, sepse është prepotent, mujëshar, i vrazhdët. Fyen e kërcënon, pa reshëm, këdo që ai e konsideron kundërshtar, armik. Në rastin konkret, ai nuk kursen as shqiptarët, përfshirë edhe kryeministrin Albin Kurtin. Ai i përngjanë një fëmije rrugash, i cili, i mundur në përballje, ia "bënë benë", se, "veç mos ardhsh nga dera ime...!"”, nënvizoi Zeqiraj.

Në vazhdim, ai përmendi edhe ‘vajtimet’ që po bëhen në Beograd, duke u dezinformuar qëllimisht opinion në Serbi, duke shpërndarë panik se “serbët në Kosovë po provokohen dhe rrezikohen, nga shumica shqiptare”.

Zeqiraj përmendi rastin e Xhorgjit në Gjilan dhe rastin e planifikuar të Dragica Gashiç në Gjakovë.

“ "Vajtimi" i shtirur i pushtetarëve të Beogradit, për "diskriminimin e keqtrajtimin e pakicës serbe në Kosovë", bëhet me qëllim të dezinformimit të opinionit në Serbi dhe, në veçanti, të opinionit ndërkombëtar. Kështu filloi Millosheviçi, me bandën e tij pushtetare, në vitet `80-a, duke mbjell panik se "serbët në Kosovë po provokohen dhe rrezikohen, nga shumica shqiptare, por, ne do t´i mbrojmë ata!"

Si dikur, me Xhorgjin e Gjilanit, me shishen në anus, tani, bënë provën e porositur me Dragica Gashiç, e cila erdhi në shtëpinë e saj, në Gjakovë, për të jetuar. Çuditërisht, Shoqata "Thirrja e Nënave", në Gjakovë, ra në kurthin e ngritur nga Beogradi. Në vend që ta heshtnin rastin dhe organet përkatëse të survejonin sjelljen e saj, ato kërkuan vetëgjyqësi, dëbimin e saj nga Gjakova”, potencoi ai.

Tutje, analisti nga Gjermania kritikoi reagimin e kryetari të komunës së Gjakovës, Ardian Gjini, lidhur me rastin e Dragica Gashiç, që sipas tij lidhet me fushatën parazgjedhore.

Zeqiraj tha se përmes propagandës në Beograd, Vuçiq, Daçiq dhe Vulin po mbajnë peng me gënjeshtrat e tyre, eksponentët e krimit serb në Kosovë.

“Edhe kryetari i komunës, Ardian Gjini, për fushatë parazgjedhore, zhurmoi gabueshëm, kinse, në përkrahje të grave, të cilat, padyshim, kanë plagë të hapura! Por, qëndrimi apo dëbimi i Dragicës, nuk zgjidhë dhe nuk shëron plagët e tyre. Aq më pak konspiracionet se "ajo ka qenë UDB-ashe", kur demantohet, faktueshëm, se ajo ka qenë vetëm punëtore pastrimi! Kështu e bënë Dragicën "yll" të televizioneve të Serbisë dhe të botës!

Trojka aktive pushtetare në Beograd, Vuçiq, Daçiq, Vulin, duke qenë eksponentë të krimit serb në Kosovë, po mbajnë peng, me gënjeshtra e sajime shpifarake, Serbinë dhe dialogun e mirëfilltë Kosovë-Serbi. Dhe, këtë peng marrje, paturpësisht, ia faturojnë kryeministrit Kurti, përkatësisht, palës kosovare!?”, deklaroi ai.

Në fund, analisti Zeqiraj tha se ideja për “Bota serbe” nuk është e re, përkundër, është ide që daton nga shekulli i 19-të.

Ai tha se me këto deklarata Vulin po e ushqen Akademinë Serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe

“Kryepolici serb, Aleksandër Vulin, kulmon në provokimin dhe kërcënimin e tij ndaj Kosovës dhe të fqinjëve tjerë ballkanikë, duke propozuar idenë, për formimin e "Botës serbe", në krye me presidentin Vuçiq! Ideja e Vulinit nuk është e re. Përkundër, daton në shekullin e 19-të, me "Naçertanija" e Garashaninit, më 1844, për t`u bartur në shekujt pasues nga Akademikët serbë Cvijiq, Qubrilloviq, Andriq, Qosiq e deri ke monstrumi i fundit Millosheviç.

Deklarimi publik i Aleksandër Vulin-it, është vijimësi e përcaktimit hegjemon, që e ushqen Akademinë Serbe dhe Kisha Ortodokse Serbe. Është një skandal sui generis, i llojit të vet, që ngjalli reagimin e të gjitha shteteve fqinje, duke akuzuar se Serbia ka qenë dhe mbetet vatër e rrezikshme luftënxitëse, me oreksin e madh gllabërues, të shtrirjes territoriale, për ëndrrën satanike të Serbisë së Madhe!”, përfundoi Idriz Zeqiraj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat