Lëshimet dramatike për 10 vite në dialog, çfarë fshihet pas akuzave të habitshme të opozitës ndaj Kurtit?

Politika

Lëshimet dramatike për 10 vite në dialog, çfarë fshihet pas akuzave të habitshme të opozitës ndaj Kurtit?

Albulena Muji Nga Albulena Muji Më 23 korrik 2021 Në ora: 08:45
Albin Kurti

 Të hënën u zhvillua rundi i radhës i bisedimeve Kosovë-Serbi në Bruksel. Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, u takua me presidentin e Serbisë, Aleksandër Vuçiq, në kuadër të dialogut.

Gjatë këtij takimi, pala e Kosovës dhe ajo Serbisë nuk gjetën pikë dakordimi.

Kosova parashtroi gjatë takimit një marrëveshje gjashtë nenesh, për paqe mes Serbisë dhe Kosovës, por ajo u refuzua nga ana Serbe.

Pas takimit, Vuçiq reagoi ashpër kundër Kurtit dhe delegacionit të Kosovës. Por, këta të fundit u kritikuan edhe nga opozita në Kosovë.

Sipas njohësve të çështjeve politike, reagimi i Vuçiqit ka qenë i pritur, kurse kanë kritikuar opozitën në Kosovë. Sipas tyre, kryeministri Kurti është i vetmi që ka përmendur krimet serbe të kryera në Kosovë.

Ndërkaq, ata potencojnë se partitë opozitare në Kosovë më shumë i pengon kryeministri Kurti se sa Vuçiqi e  Serbia.

Mehazi ka disa pyetje për opozitën

Profesori Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se si kurrë më parë, Kosova me Kurtin nuk ka qenë në qendër të vëmendjes sikurse në takimin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel.

Image
Sulejman Mehazi

Po ashtu, ai ka treguar se mendjen e kujt e ka trazuar Platforma politike e krimeve serbe në Kosovë që e ka prezantuar pala e Kosovës në Bruksel.

“Lisin e lartë e merr era, në këtë rast lisi i lartë politik i dialogut në mes Serbisë e Kosovës në Bruksel ishte Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti. Si kurrë më parë, Kosova me Kurtin nuk ka qenë në qendër të vëmendjes sikurse në takimin e fundit të dialogut Kosovë-Serbi në Bruksel. Platforma politike e krimeve serbe në Kosovë që nga 1878 e deri në fund të shek.XX, 1999 ka trazuar mendjet e sëmura jo vetëm serbe, por edhe të partive opozitare në Kosovë, të cilët gjatë qeverisjes njëzetvjeçare, nuk guxonin Vuçiqit  një fjalë të vogël të vrasjeve e jo më t'ia përmendnin gjenocidet serbe të bëra ndaj shqiptarëve që nga formimi i Lidhjes së Prizrenit, 1878 e këndej”, është shprehur ai.

Po ashtu, profesori ka treguar se çfarë ka zbuluar Kurtit në mes të Brukselit.

“Periudha argumentuese, dëshmuese dy shekullore e dëbimeve, vrasjeve, varrezave masive e pastrimeve etnike serbe ndaj shqiptarëve nga ana e Albin Kurtit në mes të Brukselit, ka zbuluar e ka nxjerrë në shesh racizmin dhe diagnozën skizofrenike politike serbe ndaj Kosovës e shqiptarëve në përgjithësi”, ka thënë Mehazi për “Bota sot”.

Sipas profesorit, është absurditeti më i madh është të kritikohet kryeministri nga opozita.

“Të kritikohet kryeministri Albin Kurti nga Vuçiqi e mediat serbe është e logjikshme, ama absurditeti më i madh është të kritikohet kryeministri nga opozita, të cilët deri sa ishin në pushtet i rrinin gatitu Vuçiqit aq sa krenoheshin vetëm pse ishin takuar me te e jo më të mbronin Kosovën”, ka potencuar profesori.

Gjithashtu, Mehazi i ka parashtruar disa pyetje opozitës lidhur me pikat politike të Kurtit.

“E pyesim opozitën e Kosovës se pikat politike të Kurtit:

1. Mos-agresion, 2. mos-luftë dhe 3. zgjidhje paqësore të konflikteve" me gjashtë nënpika nenesh ndaj Serbisë a nuk janë platforma të fuqishme? Po si nuk janë, bile më shumë dhe se opozita e Kosovës a pajtohet me gjenocidet serbe ndj Kosovës që nga 1878 e deri më 1999?

Dhe një pyetje për opozitën, deri sa ishin në pushtet PDK-ja, LDK-ja, AAK-ja, le të na tregojnë vetëm një platformë politike të dialogut të stërzgjatur me Serbinë? Po, platforma e tyre dialoguese me Serbinë ka qenë shkëmbimi i territoreve, ndarja dhe nënçmimi i Kosovës”, ka deklaruar Sulejman Mehzi për “Bota sot”.

Qarri: Opozita gjatë bisedimeve i ka bërë lëshime dramatike Serbisë

Ndërkaq, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se pala serbe edhe para ndërmjetësuesve të Bashkimit Evropian nuk e pranoi marrëveshjen për paqe dhe paktin për mos-sulmim ndaj Kosovës.

Image
Gani Qarri

“Vet fakti që Serbia edhe para ndërmjetësuesve të BE-së, në Bruksel, nuk pranoi as marrëveshjen për paqe dhe paktin për mos-sulmim ndaj Kosovës, dëshmon edhe njëherë më tepër se ministri i informatave dhe bashkëpunëtori i kasapit Sllobodan Millosheviq, krimineli Vuçiq, ashtu siç deklaron në vijimësi publikisht, as që e ka ndërmend njohjen e Kosovës dhe arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse me vendin tonë, por vetëm shtyrjen e agjendës së Serbisë përpara, për hapjen e kapitujve të ri me BE-në dhe pritjen e momentit të volitshëm për ta ri-okupuar Kosovën, përsëri me dhunë!”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Po ashtu, Qarri ka përmendur edhe reagimin e presidentit serb pas takimit.

“Madje kjo u pa më së miri edhe nga reagimi tepër cinik i Vuçiqit, pas përfundimit të takimit të radhës në Bruksel me kryeministrin e Kosovës, z. Albin Kurti, vetëm pse kryeministri i vendit tonë kërkoi që në deklaratën mbi takimin e mbajtur ndërmjet të dy vendeve negociuese në kryeqytetin e BE-së, të futej paragrafi për "Ballafaqimin me të kaluarën", me të cilin u pajtua edhe z, Josep Borell, por i mësuar për dhjet vite me radhë, të luajë si "macja me miun" me Thaçin dhe të tjerët, akti i z Kurti, e nxori tërësisht jashtë kontrolli kriminelin Aleksandër Vuçiq”, ka potencuar ai.

Sipas tij, kjo sjellje e Vuçiq-it është pritur, kurse ai ka përmendur edhe reagimin e opozitës në Kosovë.

“Për aq më tepër, megjithëse nga presidenti serb Vuçiq edhe janë pritur sjellje dhe inskenime të tilla, për vet faktin se ai për më tepër se një dekadë bisedime me udhëheqësit e nënshtruar dhe të shantazhuar të qeverive të kaluara, vet ka shkruar e vulos dhe vendosur siç ka dëshiruar, për çdo gjë, duke biseduar vetëm për çështjet dhe rregullimin e brendshëm shtetëror të Kosovës, popullin e Kosovës e habiti opozita e inkriminuar, e cila dëshmoi kulmin e injorancës dhe papërgjegjësisë totale, politike e shtetërorë, me sjelljet më të ashpra kritike ndaj kryeministrit të Kosovës z.Kurti, se sa vet partitë politike dhe qeveria në Serbi”, ka deklaruar Qarri për “Bota sot”.

Më tej, ai ka shtuar se partitë opozitare në Kosovë më shumë i pengon Kurti se Serbia.

“Këtu shihet publikisht se partitë e korrupsionit dhe krimit të organizuar, i pengon shumë më shumë se vet Serbisë, mënyra me të cilën kryeministri Kurti po i qaset vazhdimit ri të dialogut me këtë shtet okupator, duke e vendosur Kosovën në pozitë të barabartë negocimi me Serbinë dhe dhënë kuptimin e njëmendtë statusor, shtetit të pavarur të Kosovës, të cilin Thaçi me opozitën aktuale i patën vënë fusnotën mbi status dhe kthyer në krahinë të Serbisë, për ta kënaqur Vuçiqin”, ka thënë ai.

Qarri ka treguar se çfarë i ka futur në dyshim qytetarët e Kosovës.

“Opozitë e cila pas ndarjes së Mitrovicës, spastrimit etnik të këtij qyteti me nam të minatorëve nga shqiptarët, kolonizimi i veriut të vendit tonë me ardhacak serb edhe nga Bosnja e Kroacia, ku ata mund të kenë kryer edhe krime lufte, nënshkrimi dy herë i Asociacionit kundër kushtetues një etnik serb dhe ndërtimet ilegale të gjysmë qyteteve të tëra me nga 300 e më tepër shtëpi për lagje, nga Serbia, pa lejen e asnjë organi komunal e shtetëror të Kosovës, kërkesa publike drejtuar ndërkombëtarëve nga Thaçi & Co, për ndarjen e Kosovës dhe pagesat qindra mijëra euro, firmës franceze "Majorelle PR & Event" nga qeveria e PAN-it, për propagandimin e kësaj ndarje, ka fut në dyshime të mëdha të gjithë qytetarët e Kosovës, se opozita aktuale, mund të jetë kthyer në një ndërmarrje kriminale, me mision vrasjen e ardhmërisë së shqiptarëve dhe zhdukjen përfundimtare të shtetit të Kosovës”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Qarri ka shtuar se opozita gjatë kohës së kur ishin në pushtet, për dhjet vite me radhë gjatë bisedimeve kanë bërë  lëshime nga më dramatiket Serbisë.

“Përndryshe aventurat e opozitës për dhjet vite me radhë bisedime, duke i bërë lëshime nga më dramatiket Serbisë okupatore dhe deklaratat e tanishme, kundër kryeministrit të Kosovës, vetëm pse ai guxoi t`ia përmend Serbisë tri gjenocidet që nga vitit 1878, ajo ka kryer mbi shqiptarët, dhe jo kundër kriminelit Aleksandër Vuçiq i cili ishte pjesë e qeverisë së Millosheviqit edhe kur u bënë të gjitha masakrat dhe vrasjet e kidnapimet e të rinjve shqiptar në Kosovë, nga Serbia okupatore, trupat e të cilëve edhe mbi 22 vite pas lufte ende i mban peng në Serbi, me organet njerëzore të të cilëve askush, përveç Serbisë fashiste, nuk e di se çfarë ka ndodhur, gjë që mund të jetë edhe arsye për ti humbur gjurmët e krimit, me moskthimin e trupave të tyre në Kosovë, nuk ka se si të kuptohen nga shqiptarët jo vetëm në Kosovë, por në të gjitha trojet tona etnike, ku ata ende jetojnë”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat