Ndizet alarmi: Aleksandër Vuçiq ndryshon strategji, ja pse është i tmerruar nga Albin Kurti

Politika

Ndizet alarmi: Aleksandër Vuçiq ndryshon strategji, ja pse është i tmerruar nga Albin Kurti

Nga: P.R Më: 23 korrik 2021 Në ora: 20:39
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

“Administrata amerikane e udhëhequr nga presidenti Joe Biden, gjatë vazhdimit të negociatave mes Kosovës e Serbisë, do të ushtrojë më shumë presion ndaj presidentit serb Aleksandër Vuçiq, se sa ndaj kryeministrit të Kosovës Albin Kurti, në mënyrë që të arrihet një zgjidhje kompromisi. Sa i përket Kurtit, se ai "gëzon mbështetjen e Amerikës në shumicën e segmenteve politike", megjithëse konsiderohet një "bashkëbisedues më i pakëndshëm" i Amerikës sesa paraardhësi i tij në detyrë, Avdullah Hoti”. Kështu ka raportuar gjatë ditës së djeshme gazeta ditore ndër të vetmet të pavarura në Serbi, Danas, sipas së cilës, një përfaqësues jozyrtar i qarqeve diplomatike nga Washingtoni i ka konfirmuar kësaj gazete se ‘në Washington janë të impresionuar nga demokracia e Kurtit, ndërsa në anën tjetër janë të shokuar nga autoritarizimi i Vuçiqit.

Po ashtu, siç kësaj gazete presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka marrë kritika nga Departamenti Amerikan.

E lidhur me këtë, profesor, doktor Enver Bytyçi thotë se administrata Biden është më afër qëndrimeve të qeverisë së re të Kosovës, sesa qëndrimeve të presidentit autokrat të Serbisë.

“Administrata e re e presidentit Biden ka ndryshuar qasjen e saj ndaj dialogut dhe raporteve midis Kosovës dhe Serbisë. Ky ndryshim raportesh ishte i pritshëm, sepse ndryshoi ekuilibrin politik midis SHBA-ve dhe Evropës, sidomos Gjermanisë. Një konflikt amerikano-evropian me cilindo president në Shtëpinë e Bardhë do të rëndonte pozitën e Kosovës, sidomos në këto kohë, në raport me Serbinë. Prandaj dhe unë gjykoj se administrata Biden është më afër qëndrimeve të qeverisë së re të Kosovës, sesa qëndrimeve të presidentit autokrat të Serbisë. Kjo është njëra anë”, thotë Bytyçi për “Bota sot”.

Image
Enver Bytyçi

Sipas tij, administrata Biden do ta kushtëzojë bashkëpunimin e vendeve të Ballkanit me SHBA-të.

“Nga ana tjetër, duhet vlerësuar fakti se presidentin amerikan, Joe Biden, ka kërkuar që në rajonin e Ballkanit Perëndimor të zbatohen parimet e demokracisë në qeverisje. Kjo do të thotë se subjektivisht administrata e tij do ta kushtëzojë bashkëpunimin e vendeve tona me SHBA me liritë demokratike, me zgjedhjet e lira e të drejta, me standardet e demokracisë. Kjo po ndodh me Serbinë e përkatësisht me presidentin, Aleksandër Vuçiq. Do të ndodhë në një moment të përshtatshëm edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, si dhe ndonjë lider tjetër grindavec, autoritar e sharlatan të rajonit tonë”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, Albin Kurti gjatë kësaj periudhe ka dëshmuar se i pranon ligjet e zhvillimit demokratik të vendit të tij.

“Pritej nga kundërshtarët e vet që ai të shfaqej e të vepronte si një kryeministër autoritar dhe arrogant. Por po dëshmon maturi, qetësi dhe nuk është provokuar, së paku deri tani, nga shpifjet dhe qëndrimet e paprincipta të një pjese të opozitës. Në këtë kuptim ai ka bërë dhe po bën diferencën në raport me kundërshtarin e tij në bisedimet Kosovë-Serbi, pra me zotin Vuçiq. Të bësh diferencën në pikëpamje të qeverisjes demokratike me Vuçiq, do të thotë që këtë diferencë ta bësh edhe me kryeministrin e Shqipërisë, Edi Ramën. Nga kjo pikëpamje, duket se Albin Kurti shihet si i moderuar dhe zgjidhja në Uashington, ndërkohë që Vuçiq shihet si problem i Ballkanit”, thekson profesor Bytyçi.

Më tej, Bytyçi shprehet Aleksandër Vuçiq po nxit konflikte të reja në Ballkan.

“Në fakt zoti Kurti duhet të ndjehet mirë përballë zotit Vuçiq, kur shohim se si presidenti i Serbisë po provokon konflikt në rajonin tonë, duke nxit dhe përkrahur pikëpamjet e Sllobodan Milosheviçit në çështjet që kanë të bëjnë me stabilitetin, paqen dhe sigurinë në rajon. Nga ana tjetër, epërsia e zotit Kurti në raport me qëndrimin amerikan qëndron edhe në faktin se Vuçiq po rezulton i paprinciptë, si lider që nuk e mban fjalën, si njeri që nxit konflikte dhe kur nuk i pëlqejnë qëndrimet amerikane ose evropiane “shkon në Moskë e fle me mullixhinë”! Pra, ai nuk është më i besueshëm edhe për mos mbajtjen e premtimeve, si për shembull atë të zhvendosjes së ambasadës serbe në Jerusalem”, deklaron profesor Bytyçi.

“Aleksandër Vuçiq çdo ditë bën nervozin, ndërkohë që zoti Kurti ruan qetësinë. Aleksandër Vuçiq ka kapur të gjitha institucionet në Serbi, madje ka krijuar një qeveri monoteiste. Albin Kurti, megjithëse fitoi shumicën absolute në parlamentin e Kosovës, nuk e ka përdorur këtë fitore për të imponuar forcën e tij. Opozita ka muaj e javë që bërtet se kryeministri i Kosovës do të vendosë në çdo rast vetë për Kosovën. Por është fakt se ai u ka bërë thirrje forcave opozitare që t’i bashkohen në dialogun me Serbinë”, thotë më tej profesor Bytyçi.

Sipas tij, Kurti ka shfaqur në dy takimet e para me Vuçiqin një forcë të padiskutueshme.

“Por ka përdorur argumente në funksion të tezave të tij për dialogun, duke kundërshtuar agjendën serbe. Bota demokratike nuk mund të anashkalojë argumentet, si ato që përdor kryeministri i Kosovës në ballafaqimin e tij me presidentin e Serbisë. Ndërkohë që zoti Vuçiq është refraktar, nuk pranon asnjë propozim racional të Kosovës në dialogun e përbashkët. Ai sillet edhe në dialog me arrogancë, me tone autoritative. Dhe kjo e zbulon para përfaqësuesve evropian dhe amerikanë. Ndërkaq në SHBA e kuptojnë se qëndrimet arrogante të zotit Vuçiq në dialogun me Kosovën burojnë nga mbështetja që ajo merr nga Kremlini dhe Vladimir Putin”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

Bytyçi shprehet se kjo marrëdhënie e re midis delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë ka favorizuar palën e Kosovës.

“Ekspertët amerikanë, por edhe evropianë, janë të aftë të hulumtojnë dhe të zbulojnë shkaqet e arrogancës së presidentit të Serbisë. Është një arrogancë e tipit lindor, rus. Është një autoritarizëm i frymëzuar nga Moska, me qëllim rrënimin e projekteve euro-amerikane në Ballkan e në Evropën Lindore! Kjo marrëdhënie e re midis delegacionit të Kosovës dhe atij të Serbisë ka favorizuar palën e Kosovës. Por kjo nuk do të thotë se zoti Kurti dhe gjithkush që merret me bisedimet e Brukselit të vetëkënaqen e të kalojnë në eufori. Në çdo rast, në takime të nivelit të lartë e të nivelit të ultë, do të duhet përgatitje e mirë, ka nevojë për maturi, qetësi e durim, të shoqëruar me qartësi e vendosmëri në argumente. Në asnjë rast nuk lejohet që delegacioni i Kosovës të nënvleftësojë dialogun në emër të asaj se “jemi në avantazh dhe gjithçka është tashmë e sigurt”!”, thekson Bytyçi.

Ai shton se Beogradi mund të ndryshojë strategji, në mënyrë që të synojë të rikuperojë imazhin e humbur në dy takimet e para.

“Vetëm një moment duhet për të thyer balancën. Duhet kujtuar se Beogradi mund të ndryshojë strategji, mund të përshtatet në takimet e ardhshme dhe do të synojë të rikuperojë imazhin e humbur në dy takimet e para. Deri tani zoti Kurti është dhe mbetet një arrë e fortë e pathyeshme përballë presidentit arrogant të Serbisë, Aleksandër Vuçiq. Por serbët dinë të provokojnë, dinë të të nxjerrin nga shinat. Ata janë mjeshtër të viktimizimit. Mund të inskenojnë ndonjë konflikt të vogël në Kosovë, për të “argumentuar” atë që propagandojnë se “serbët në Kosovë na qenkan të rrezikuar”! Në fakt edhe unë them se serbët në Kosovë janë të rrezikuar. Por jo nga shqiptarët. Ata janë të rrezikuar nga vetë Beogradi. Rasti Panda i vitit 1998 në Pejë është një mësim i padiskutueshëm nga i cili duhet të nxirren mësime për të rritur vigjilencën. Duhet që serbët të ruhen, se mundet dikush ta pësojë fatin e Oliver Ivanoviçit. Mundet të aplikohet edhe rasti i Martinoviç”.

Sipas Bytyçit, gjithçka mund të bëjnë serbët, me qëllim që t’ia arrijnë qëllimit që ata kanë, aneksimin e veriut të Kosovës.

“Mbi gjithçka, është e domosdoshme që kryeministri I Kosovës ta ruajë e ta thellojë diferencën me presidentin serb në qeverisje, pra të zbatojë gjithnjë demokracinë e ndërkohë të luftojë ashpër fenomenin e korrupsionit si dhe lidhjet e politikës me krimin. Demokracia dhe lufta kundër korrupsionit e krimit të organizuar, edhe në veri të Kosovës, do ta legjitimojë shtetësinë e Kosovës dhe do të jetë kusht për të ruajtur avantazhin në dialogun me Serbinë!”, përfundon për gazetën “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat