Projekti serbo-rus që po e rrezikon sovranitetin e Kosovës, vjen thirrja urgjente për kryeministrin Kurti

Politika

Projekti serbo-rus që po e rrezikon sovranitetin e Kosovës, vjen thirrja urgjente për kryeministrin Kurti

Nga: A.Morina Më: 24 korrik 2021 Në ora: 22:59
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Ideja e formimit të ‘Minishengenit Ballkanik’ ka nxitur kundërshti dhe reagime në mes shteteve të rajonit, ku kryeministri Albin Kurti e ka kundërshtuar këtë gjë fuqishëm, shkruan "Bota sot".

Mirëpo, kjo nuk po i ndalon kryeministrin e Shqipërisë, Edi Rama, presidentin serb, Aleksandër Vuçiq dhe kreun e qeverisë maqedonase, Zoran Zaev të takohen më 28 dhe 29 korrik në Shkup, për jetësimin e ‘Minishengenit’.

Ky takim, vjen vetëm pak ditë pas një takimi online që e mbajtën këta tre krerë të shteteve të rajonit.

Analisti politik, Faton Mehmeti në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se ideja e ‘Minishengenit Ballkanik’ e cenon rëndë sovranitetin e shtetit të Kosovës.

Madje, ai këtë projekt e cilësoi si serbo-rus, përmes të cilit po synohet faktorizimi i Serbisë dhe kjo iniciativë po mbështetet nga Edi Rama.

“Natyrisht se nuk ftohet Kurti, pasi është kundër kësaj ideje të marrë e cila cenon rëndë sovranitetin e Kosovës. Tanimë dihet se " Minishengeni’ është projekt serbo-rus për daljen në det, faktorizimi i Serbisë do të jetë shumë i madh përmes kësaj nisme e cila fatkeqësisht po mbështetet edhe nga Edi Rama”, deklaroi analisti.

Megjithatë, Mehmeti u shpreh se Kosova është me fat që në krye të Qeverisë e ka Albin Kurtin dhe jo Hashim Thaçin apo Avdullah Hotin.

Ku shkaku i kundërshtimit të kryeministrit Kurti dhe Gjermanisë, ‘Minishengenin Ballkanik’ nuk do të arrihet të jetësohet.

“Mirëpo, është fat që Kosova tanimë ka Albin Kurtin kryeministër dhe jo Hashimin dhe Dullën, të cilët do i kishin kontribuar kësaj nisme dhe e cila në esencë e dëmton rëndë Kosovën dhe të ardhmen e saj. Takimi në Shkup është në kuadër të kësaj nisme, e cila besoj se nuk do të jetësohet fal vendosmërisë së Kosovës dhe Gjermanisë, të cilët duhet me çdo kusht të parandalojnë këtë rrezik për Kosovën dhe shqiptarët në tërësi”, theksoi ai.

Në fund, analisti kërkoi që kjo ide të ndalohet në çdo mënyrë, pasi vet insistimi i Vuçiqit për ta realizuar këtë projekt, lë të nënkuptohet se sa i rrezikshëm është për Kosovën.

“Fakti që Vuçiqi është impresionuar nga “Minishengeni” është e mjaftueshme për të kuptuar se është kundër Kosovës, dhe si e tillë duhet ndaluar me çdo kusht. Vetëm kështu mund dhe duhet ta ruajmë sovranitetin e vendit, ndryshe rrezikojmë seriozisht që të legjitimojmë Serbinë brenda Kosovës”, përmbylli Faton Mehmeti, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat