Lëshimet katastrofale të Thaçit, dhe propozimi i Kurtit / Ja kush i prishi bilancin e fitoreve kriminelit Vuçiq

Politika

Lëshimet katastrofale të Thaçit, dhe propozimi i Kurtit / Ja kush i prishi bilancin e fitoreve kriminelit Vuçiq

Nga: A.Z Më: 25 korrik 2021 Në ora: 16:29
Aleksandër Vuçiq dhe Hashim Thaçi

Kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, ditë më pare ka ardhur me një propozim për zgjidhjen e konfliktit në mes Kosovës dhe Serbisë.

Ai kërkoi bashkimin e Kosovës dhe Shqipëisë, si dhe bashkimin e Serbisë me Republika Serbska në kufinjtë ekzistues.

“Me këtë zgjidhje çdokush merr diçka siç kërkon edhe Vuçiqi dhe paqja do të sigurohet në rajonin ballkanik. Kjo zgjidhje duhet të jetë jo vetëm në interesin e shqiptarëve dhe të serbëve por edhe të ndërkombëtarëve”. deklaroi Kurti.

E lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se gjendja e Kosovës ende mbetet e njëjtë, edhe pse kanë kaluar 13 vite nga shpallja e pavarësisë, madje edhe përkundër premtimeve për arritjen e marrëveshjeve, konfliktete në mes Kosovës dhe Serbisë vetëm forcohen.

Qarri shtoi se edhe pse shumica e vende e njohin pavarësinë e Kosovës, madje, tani Kurti prishi edhe bilancin e fitoreve të Vuçiqit në përballje me dialogun, vuçiq ende e shfrytëzon heshtjen e BE-së, për të kërcënuar Kosovën.

“Megjithëse kanë kaluar më tepër se 13 vite, që nga shpallja e pavarësisë së Kosovës, mbi 11 sosh nga vendimi historik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë, për vulosjen e pavarësisë së Kosovës dhe tanimë ka muaj që kemi hyrë edhe në dekadën e dytë të të ashtuquajturit "dialog" me Serbinë, me ndërmjetësimin e BE-së, përkundër premtimeve për arritjen e marrëveshjes gjithëpërfshirëse dhe shpresave për hapjen e një kapitulli të ri ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, gjendja ende vijon të mbetet e nderë, ndërsa me lanësimet e përditshme të kërcënimeve që Serbia, i bënë në drejtim të Kosovës, konflikti i ngrirë ndërmjet dy vendeve, vetëm sa vije e forcohet. Kështu që siç u cek edhe më lartë, megjithëse tanimë kemi hyrë në vitin e 12-të, nga vendimi historik i Gjykatës Ndërkombëtare të Drejtësisë me të cilin organi më i lartë juridik i OKB-së, vulosi përjetësisht dhe në mënyrë të pakthyeshme pavarësinë e Kosovës dhe me ndihmën e pakursyer të miqve më të mëdhenj ndërkombëtar si SHBA, Mbretëria e Bashkuar dhe Gjermania, vendi ynë ka arritur njohjen e pavarësisë, nga shumica e vendeve të botës, Serbia përveç këmbënguljes banale që të mos e pranojë këtë fakt të pakthyeshëm juridik e politik, pas lëshimeve katastrofale që kuislingu Hashim Thaçi i bëri Vuçiqit, për dhjet vite të bisedimeve dhe ardhjen e kryeministrit Kurti, i cili prishi bilancin e fitoreve të kriminelit Vuçiq në përballje me delegacionin e vendit tonë për bisedime, ai shfrytëzon heshtjen e BE-së, për t’i dërguar nga çdo vend dhe takim, kërcënime pothuajse gati të përditshme Republikës së Kosovës, gjë që e bënë përfundimin e dialogut edhe më të paparashikueshëm”, ka potencuar ai.

Më tej ka theksuar se Faton Kurti ka të drejtë, madje sipas Qarrit duhet bashkuar të gjitha trojet e banuara me shqiptarë.

Ai thotë se në këtë aspekt duhet pasur parasysh shtetin e Bosnjës, i cili nuk ka funksionur asnjëherë si shtet, madje nuk mundet të mbijetoj as pa mbikëqyrjen ndërkombëtare.

“Prandaj, duke pasur parasysh faktin se shteti i Bosnjës, që nga marrëveshja e Dejtonit, e arritur gati 26 vite më parë, shihet qartë edhe sot, se në konstalacionin aktual, jo vetëm që nuk ka funksionuar kurrë si vend unik, por edhe nuk ka mundësi të mbijetojë gjatë si shtet, pa mbikëqyrjen e vazhdueshme ndërkombëtare dhe hijen e ombrellës së NATO-s, kryetari i Republikanëve të Kosovës Faton Kurti, me të drejtë konstaton se për zgjidhjen e konfliktit në mes të Kosovës dhe Serbisë, duhet të ndodhë jo siç thotë ai , vetëm bashkimi i Kosovës me Shqipërinë, por bashkimi i të gjithë trojeve të banuara me shumicë shqiptare, dhe ai i Serbisë me ngrehinën e ashtuquajtur "Republika srpska", megjithëse fatkeqësisht, dalë nga krimi dhe gjenocidi masiv mbi boshnjakët, që do të nënkuptonte, bashkimin e shumicës së shqiptarëve dhe të serbëve në shtetet e veta etnike dhe me këtë edhe qetësimin e gjakrave e krijimin e paqes afatgjate në Ballkan”, ka shtuar Qarri.

Tutje Qarri ka thënë se edhe pas përfundimit të luftës, Bosnja nuk arriti të bëhej shtet njëmend, madje vazhdon ende të mbetet një vend i ndarë edhe në kufijt e brendshëm ndërmjet boshnjakëve, kroatëve dhe serbëve, që gëzojn edhe status me të gjitha elementet në këtë shtet.

“Madje parë edhe nga zhvillimi real, marrëveshja e paqes e arritur qysh në nëntor të vitit 1995, pra 26 vite më parë, në Ohajo të SHBA-ve, i dha fund vetëm luftës në Bosnjë, por nuk arriti kurrë, që ta bënte Bosnjën shtet të njëmendtë dhe sot e atëherë nuk akordohen për asgjë, asnjëra nga tri kombësitë nga të cilat popullohet Bosnja, ndaj duket hapur, se nuk ka rrugëdalje tjetër, përveç ndarjes përfundimtare të saj. Kjo për vet faktin se Bosnja edhe 26 vite pas Dejtonit vazhdon të mbetet një vend gjithmonë i ndarë, jo vetëm politikisht por edhe me kufij të brendshëm e ndasi të papajtueshme etnike, ndërmjet boshnjakëve musliman, kroatëve dhe serbëve, që edhe janë më të privilegjuarit dhe posedojnë mbi 51% të të gjithë territorit të Bosnjës, të cilët vetëm këta janë entitet më vete në Bosnjë dhe gëzojnë status me të gjitha elementet e shtetit- në shtet, të inkorporuar edhe në kushtetutën e Bosnjes dhe të emërtuar edhe zyrtarisht si "Republika srpska" e cila është më e zëshmja, për ndarje dhe bashkimin e saj me Serbinë”, ka potencuar ai.

Qarri ka shtuar se duke i pasur parasysh sjellejt e Vuçiqit, si dhe të Ramës i cili punonë për ta dobësuar shtetin e Kosovës, Kosova duhet të ndërmarrë hapat e nevojshme për ta forcuar pozitën me vendet mike, që tregojnë interes për ta mbështetur Kosovën.

“Për aq më tepër, duke parë edhe sjelljet e hapura anti-Kosovë të shërbëtorit më besnik dhe dorës së zgjatur të Aleksandër Vuçiqit ndër shqiptar, Edvin Kristaq Ramës i cili për ironinë historike të shqiptarëve, vijon me shumë zell, të punojë në mënyrë të pareshtur për dobësimin e shtetit të Kosovës, buzëqeshjet meskine të të cilit Vuçiq i shfrytëzon për t’i bërë edhe më të fuqishme, kërcënimet ndaj Kosovës, sikur Edvin Kristaq Rama të mos ishte, jo vetëm kryeministër i vendit amë, por fare, as shqiptar, Kosova duhet të ndërmarrë urgjentisht hapat e nevojshëm adekuat, për ta forcuar pozitën e vet negociuese dhe siguruar mbështetje sa më të fuqishme nga vendet e mëdha mike, si SHBA, Gjermania, Mbretëria e Bashkuar dhe cilido vend a shtet tjetër, që tregon interesim për ta ndihmuar Kosovën, për mënjanimin e rreziqeve nga ndarja e gllabërimi serb, të territorit të saj, si dhe realizimin e objektivave të veta, drejt integrimeve euro-atlantike, të cilat janë jetike për Kosovën dhe të gjithë shqiptarët”, theksoi Qarri.

Tutje ka shtuar se nëse bashkohen shqiptarët në një shtet, atëherë do të marrin atë që u takon, ndërsa bashkimi i serbëve që po e synon Vuçiq, për shkak në numrit të Serbëve që jetojnë në Bosnje, Qarri thotë se kjo do të ishte në interesë të shqiptarëve dhe serbëve, sepse sipas tij, do të garantonte paqen.

“Kështu që, po të vije deri te akordimi për bashkimin e shqiptarëve në një shtet të përbashkët etnik, si dhe bashkimi i serbëve, si dy nga popujt më të numërt në Ballkanin perëndimor, vërtetë pas grekëve, bullgarëve e rumunëve, edhe shqiptarët do të merrnin atë që me të drejtë u takon, ndërsa me bashkimin e serbëve të Bosnjës me Serbinë, që Vuçiq, synon ta realizojë me të gjitha mënyrat, përfshi edhe kërcënimet e vazhdueshme ndaj Kosovës, jo vetëm për shkak numrit të serbëve që jetojnë në Bosnje por më tepër për shkak të hapësirës së madhe të territorit, që ata i kanë grabitur padrejtësisht Bosnjës, zgjidhja në fjalë, do të ishte në interesin e shqiptarëve e të serbëve dhe do ta garantonte edhe paqen afatgjate në rajon. Prandaj, akti i bashkimit të shqiptarëve dhe serbëve, do duhej të shihej seriozisht dhe të futej si opsion real edhe në programin ndërkombëtar, për shkak se është dhe mbetet zgjidhje e pashmangshme dhe më praktike me të cilën, të dy popujt, në pjesën më të madhe, do të merrnin atë që u takon, me territor dhe përbërje të popullsisë, si mënyra e vetme për krijimin e sigurisë dhe paqes afatgjate, në rajon e më gjerë”, ka përfunduar Gani Qarri për “Bota sot”.

Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat