“LDK u vonua”, kritikohet Abdixhiku, analisti parashikon rezultatin e kësaj partie për zgjedhjet lokale: Kjo është komuna e vetme që do ta fitojë

Politika

“LDK u vonua”, kritikohet Abdixhiku, analisti parashikon rezultatin e kësaj partie për zgjedhjet lokale: Kjo është komuna e vetme që do ta fitojë

Nga: N. H Më: 26 korrik 2021 Në ora: 22:47
Lumir Abdixhiku

Lidhja Demokratike e Kosovës, për dallim nga partitë tjera politike, ka bërë publike emrat e kandidatëve për kryetar të komunave për zgjedhjet lokale që pritet të mbahen në tetor të këtij viti.

Kjo parti ditë më parë ka zyrtarizuar emrat edhe të 10 kandidatëve tjerë për kryetarë të komunave.

“Lutfi Haziri do të jetë kandidat për kryetar të Komunës së Gjilanit; – Anton Quni – kandidat për kryetar të Komunës së Prizrenit; – Ilir Ferati – kandidat për kryetar të Komunës së Istogut; – Hyrie Dobrunaj – kandidate për kryetare të Komunës së Deçanit; – Burim Krasniqi – kandidat për kryetar të Komunës së Rahovecit; – Besim Hoti – kandidat për kryetar të Komunës së Klinës; – Bajrush Hoti – kandidat për kryetar të Komunës së Malishevës; – Bexhet Xheladini – kandidat për kryetar të Komunës së Dragashit; – Jeton Biqkaj – kandidat për kryetar të Komunës së Kamenicës; – Ruzhdi Shehu – kandidat për kryetar të Komunës së Junikut”, thuhet në komunikatë.

Në lidhje më këta emra, për “Bota sot”, ka folur analisti politik.

Njohësi i çështjeve politike, Faton Mehmeti, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, është shprehur skeptik se Lidhja Demokratike e Kosovës do të mund t’i fitojë komunat e mëdha.

Ai parashikon se Peja do të jetë komuna e vetme ku LDK-ja do ta ketë më të lehtë fitoren.

Image
Faton Mehmeti

“Lidhja Demokratike e Kosovës do e ketë të vështirë të rikthej komunat e mëdha, Prishtinën, Ferizajn, Mitrovicën, Gjakovën, Prizrenin, ndërsa po ashtu do e ketë të vështirë të ruaj Gjilanin, besoj Pejën e ka më të sigurt nga komunat e mëdha që do e fitojë. Kështu që për këto komuna është dashur që kandidatët të propozohen herët në mënyrë që të kenë mundësi të shpalosin më afër qytetarëve programin e tyre”, ka thënë analisti Mehmeti.

Tutje, ai thekson se do të jetë tejet e vështirë që Lidhja Demokratike e Kosovës të mund të merr ndonjë nga shtatë komunat e mëdha.

“Nuk mund të rrëzosh një kryetar komune që katër vjet flet çdo ditë me qytetarët një kandidat që nominohet 2 muaj para zgjedhjeve, është hendikep i madh për një kandidat të ri që të injektohet me kërkesat dhe afërsinë më qytetarët. Në këtë kuptim e shoh të vështirë që Lidhja Demokratike e Kosovës të mund të merr ndonjë nga shtatë komunat e mëdha, përveç Pejës., dhe kjo do të ishte humbje e madhe për LDK-në dhe kryetarin e saj, Lumir Abdixhikun”, tha me tej Mehmeti.

Në fund ai kritikon kreun e LDK-së, Lumir Abdixhiku, se është vonuar shumë në përzgjedhjen e kandidatëve.

“Ky i fundit mendoj se është vonuar shumë në zgjedhjen e kandidatëve, dhe kjo do i kushtojë në zgjedhje. Lidhja Demokratike të Kosovës do të mund të ruaj disa komuna të vogla, por të mëdhat vështirë që i merr, e aty edhe është qëllimi kryesor i çdo subjekti politik”, tha në fund, njohësi i cështjeve politike, Faton Mehmeti, për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat