Specialja ia vazhdoi paraburgimin Thaçit, analistët tregojnë pse iu refuzua kërkesa për lirim, përmendin “thikat” pas shpine!

Politika

Specialja ia vazhdoi paraburgimin Thaçit, analistët tregojnë pse iu refuzua kërkesa për lirim, përmendin “thikat” pas shpine!

Nesib Hoti Nga Nesib Hoti Më 28 korrik 2021 Në ora: 09:06
Ish-presidenti i vendit, Hashim Thaçi, foto ilustrim nga "Bota sot"

Përkundër kërkesave dhe insistimit të vazhdueshëm për lirim, Gjykata Speciale ka vendosur përsëri që ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi të vazhdojë të qëndrojë në paraburgim në Hagë.

Ish-kreut të shtetit të Kosovës edhe zyrtarisht ditë më parë iu është refuzuar kërkesa që të mbrohet në liri. Edhe pse dy shtete kishin ofruar garanci për mbrojtjen e ish-presidentit në liri, gjykatësi i procedurës paraprake nuk e ka aprovuar kërkesën e mbrojtjes së ish-kreut të UÇK-së.

Analistët për këtë çështje kanë mendime të ndryshme, shkruan gazeta “Bota sot”.

Njohësit e çështjeve politike konsiderojnë se mos-lirimi i ish-presidentit Thaçi nga Haga, mund të lidhet edhe me faktin se vetëm pak kohë pas insistimit nga ana e tij për formimin e Gjykatës Speciale, ai vetëm pak kohë më vonë, u pendua dhe tentoi që brenda një nate dhe pa dhënë asnjë arsyetim paraprak, ta shpërbënte atë përsëri. Ndërsa, janë të mendimit se ky veprim ishte edhe një thikë pas shpine për miqtë ndërkombëtar.

Qarri: Tentoi që brenda një nate dhe pa dhënë asnjë arsyetim paraprak, ta shpërbënte Specialen

Analisti politik, Gani Qarri, në një prononcim dhënë për gazetën “Bota sot”, ka folur lidhur me refuzimin që Specialja i hodhi poshtë kërkesat e mbrojtjes për lirim me kusht.

Image
Gani Qarri

Qarri kujton se ish-presidenti akuzohet me bashkëpandehurit si ndërmarrje kriminale.

“Gjykatësi i procedurës paraprake në Dhomat e Specializuara të Kosovës në Hagë, Nicolas Guillou, hodhi poshtë këto ditë, kërkesat e mbrojtjes për lirim me kusht, të ish-presidentit Hashim Thaçi, i cili pas qëndrimit gati njëvjeçar në paraburgim në Hagë, tanimë gjendet në pritje të gjykimit të tij për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit. Madje, duke pasur parasysh paditë e rënda për mbi njëqind vrasjet me të cilat ai me bashkëpandehurit akuzohen si ndërmarrje kriminale, megjithëse sipas fjalëve të avokatit të Thaçit, dy shtete kanë ofruar garanci për mbajtjen në arrest shtëpiak të tij, duke qenë të akuzuar për krime lufte dhe krime kundër njerëzimit, para dhe pas përfundimit të luftës, me vendim të gjykatësit Guillou ish presidenti nuk u lirua nga Haga”, ka thënë Qarri.

Ndërsa, sa i përket moslirimit të tij, Qarri shpjegon se arsyeja mund të jetë ish-presidenti Thaçi vetëm pak kohë pas insistimit nga ana e tij për formimin e Gjykatës Speciale, ky i fundit vetëm pak kohë më vonë, u pendua dhe tentoi që brenda një nate dhe pa dhënë asnjë arsyetim paraprak, ta shpërbënte atë përsëri.

“Tentoi që brenda një nate dhe pa dhënë asnjë arsyetim paraprak, ta shpërbënte atë përsëri, duke mbledhur nënshkrimet e dhjetëra deputetëve të të njëjtës legjislaturë, të cilët një herë vet i kishte nxitur ta votonin Gjykatën Speciale, ndërsa tani i thërriste ata, për ta zhbërë të njëjtën, pa asnjë shpjegim, akt i cili u kritikua shumë ashpër dhe quajt edhe thikë pas shpine, nga ambasador dhe përfaqësues të lartë të shteteve mike”.

“Për aq më tepër, megjithëse kërkesën për lirim, avokati mbrojtës e bazoi me rolin e Thaçit në krijimin e Dhomave të Specializuara të Kosovës dhe pretendoi se Thaçi do të pajtohej me cilin do kusht, që mund t’i vendosej atij nga Gjykata, në rast të lirimit, duke pasur këto dhe arsye tjera parasysh, gjykatësi i procedurës paraprake Nicolas Guillou, e arsyetoi vendimin për mos-lirim, se ekziston rreziku që pas lirimit me kusht, Thaçi mund të pengojë mbarëvajtjen e procedurave paraprake të gjykimit, të kërcënoi dhe frikësoi dëshmitarët që siguruan provat për ngritjen e aktakuzës dhe pritet të dëshmojnë kundër tij, para Dhomave të Specializuara, njëjtë siç ishte arsyetuar më parë edhe për mohimin e lirimit të përkohshëm të bashkëpandehurve të Thaçit”, tha me tej Qarri.

Ndërsa, me tej ka përmendur edhe disa nga shkaqet tjera që sipas tij, mund ta kenë çuar në krijimin e Gjykatës Speciale, për të gjykuar, pikërisht krimet e pretenduara, të kryera nga Thaçi dhe të tjerët.

“Gjykata Speciale e ka bazuar kërkesën për mos-lirim dhe vazhdimin e paraburgimit, me arsyetimin se pas lirimit, Thaçi “do të pengonte edhe mbarëvajtjen e procedurave gjyqësore të Dhomave të Specializuara dhe rrezikonte kryerjen e krimeve të mëtejshme, sipas aktakuzës së ngritur nga Prokuroria e Gjykatës Speciale në të cilën pretendohet se Thaçi dhe të bashkëpandehurit ishin pjesë e një “ndërmarrje të përbashkët kriminale” që synonte të merrte nën kontroll Kosovën, duke kanosur, keqtrajtuar, kryer dhunë dhe eliminuar, në mënyrë të jashtëligjshme, ata që i konsideronin si kundërshtarë. Kështu që sipas z. Nicolas Guillou, këto ishin edhe shkaqet që quan në krijimin e Gjykatës Speciale, për të gjykuar, pikërisht krimet e pretenduara, të kryera nga Thaçi dhe të bashkëpandehurit, gjatë dhe menjëherë pas luftës, nga viti 1998 deri në vitin 2000 dhe nga kjo frikë, u krijuan edhe Dhomat e Specializuara, jo në Kosovë, por sa më larg saj, në Hagë dhe atë me staf tërësisht ndërkombëtar”, tha Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

Halili: Kur krimineli barazohet me çlirimtarin!

Kurse, profesori Nijazi Halili, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe të tjerët, janë duke u mbajtur padrejtësisht në Hagë.

Image
Nijazi Halili

Ai ka gjithashtu një shqetësim se ish-ushtarët e UÇK-së, të cilët luftuan me nderë e dinjitet për ruajtjen e pragut të shtëpisë, po barazohen me kriminelët serbë.

“Mendoj se në paraburgim ish-presidenti i Kosovës, Hashim Thaçi dhe ish bashkëpunëtorët e tij, po mbahen padrejtësisht sikur edhe ish-figura të shquara të UÇK-së, që janë mbajtur në paraburgim në Gjykatën e Hagës, me vite të tëra e në fund janë shpallur të pafajshëm, andaj kush duhet të jep llogari për këtë padrejtësi të ushtruar mbi ushtarët e UÇK-së, të cilët luftuan me nderë e dinjitet për ruajtjen e pragut të shtëpisë, kurse në anën tjetër kriminelët serbë barazohen me çlirimtarin të cilët lëvizin të lirë dhe konsiderohen heronj të Serbisë edhe pse ishin iniciatorë të luftërave e konflikteve në ish Jugosllavi, duke ushtruar krime e gjenocid mbi popullatën e pafajshme e duar thatë”, tha analisti Halili.

Ai me tej ka bërë edhe një thirrje publike se ku është duke qëndruar drejtësia e cila po barazon çlirimtarët e Kosovës me kriminelët e luftës.

“Andaj, ku qëndron drejtësia që krimineli të barazohet me çlirimtarin i cili ka luftuar për ta mbrojtur pragun e shtëpisë”, u shpreh Nijazi Halili, për gazetën “Bota sot”.

Burjani: Prokuroria mund të ketë informata të shumta për personin

Lidhur me këtë çështje, për “Bota sot”, ka folur edhe juristi Blerim Burjani, i cili ka thënë se lidhur me vazhdimin e paraburgimit të ish-presidentit të Kosovës, Hashim Thaçi, ka gjasa që prokuroria të ketë informata të shumta për personin dhe nuk pranon parimin mbrojtjen në liri.

Image
Blerim Burjani

“Duhet të ketë prova të sigurta se sa dhe si mund të dëmtojë procesin gjyqësor një i liruar nga paraburgimi, pra nuk mund të imagjinohet dhe paragjykohet se cilat do të jenë sjelljet e personave në mbrojtje në liri. Pra, provat dhe motivet dhe rreziqet tjera nuk mund të paragjykohen ose prokuroria ka informata të shumta për personin dhe nuk pranon parimin mbrojtjen në liri”, ka thënë juristi Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Ai me tej ka thënë se është për t’u çuditur se si faktet po paragjykohen nga prokuroria edhe përkundër garancive të dhëna nga shtetet garantuese.

“Pra, prej asaj e komplikuar deri të ajo që është thjesht mund të sillen faktet dhe rrethanat. Pra, për çudi faktet paragjykohen nga prokuroria edhe përkundër garancive të dhëna prokuroria nuk i beson askujt as shteteve garantuese”, tha në fund, njohësi i çështjeve juridike e kushtetuese, Blerim Burjani, për gazetën “Bota sot”.

Kujtojmë se avokati i ish-presidentit Thaçi, Gregory Keohe, ka dërguar në Gjykatë parashtresat e tij për lirimin nga paraburgimi të ish-presidentit. Në këto parashtresa, Keohe përveç kundër-argumentimit të fakteve të prezantuara nga Prokuroria, ka dhënë detaje edhe për garancitë e ofruara për lirimin nga paraburgimi të Thaçit.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat