Rreziku nga varianti Delta, a mund të ketë Kosova një tjetër izolim dhe si mund të parandalohet?

Politika

Rreziku nga varianti Delta, a mund të ketë Kosova një tjetër izolim dhe si mund të parandalohet?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 29 korrik 2021 Në ora: 08:11
Foto ilustrim

Rastet e infektimeve me Covid 19 janë rritur në Kosovë.

Të martën u shënuan 42 raste të tilla duke pasur një rritje të numrit të mërkurën, ku ishin gjithsej 58 raste, derisa dhe vaksinimi po vazhdon.

Së fundi, drejtori i Klinikës Infektive, Arben Vishaj, u ka bërë thirrje qytetarëve të Kosovës që të vaksinohen ndaj Covid-19 në mënyrë që të mos rrezikohet mbyllja e vendit.

Vishaj tha se gjendja për momentin në Klinikën Infektive është e qëndrueshme, por që pritet të ketë një valë të re të infektimeve.

“Në Klinikën Infektive kemi 11 pacientë, dy prej tyre janë në intensiv. Gjendja është stabile, nuk kemi rritje të të hospitalizuarve, por që ka mundësi të vjen valë e re e infektimeve, duke parë edhe rastet në Evropë. Vaksinimi është zgjidhja e vetme. Nëse nuk bëhet vaksinimi masiv, mbyllja është e pashmangshme në mënyrë që të ruajmë shëndetin publik”, tha ai.

Prej fillimit të vaksinimit në Kosovë janë vaksinuar mbi 200 mijë persona ku deri më sot 102.210 qytetarë kanë marrë të dyja dozat.

Thirrje për vaksinim janë duke bërë në vazhdimësi institucionet shëndetësore. Instituti Kombëtar i Shëndetit Publik në Kosovë (IKSHPK), ka kërkuar nga qytetarët që të vaksinohen kundër coronavirusit.

Por, a rrezikohet Kosova nga një tjetër izolim dhe si do të ndikonte ky për vendin?

Infektologu Ilir Tolaj ka thënë Kosova rrezikohet nga varianti “Delta”, pasi trendi i vaksinimit nuk është i lartë dhe duhet të arrihet 60% i personave të vaksinuar.

“Mendoj se Kosova është në një situatë më të lakmueshme për shkak të përhapjes paraprak të virusit gjegjësisht një përqindje jashtëzakonisht e popullatës e kanë kaluar me apo pa simptoma si dhe tash vaksinim i cili po bëhet pavarësisht që është pak i ngathtë në aspektin e vet do të jetë pozitiv edhe më mbrojtjen kundër këtij varianti”, ka thënë ai.

“Të binden qytetarët dhe të vaksinohen”

Ndërsa, analisti Adem Bytyqi, ka potencuar se qytetarët duhet vaksinuar edhe me dozën e dytë sepse kështu do të jetë mundësia më e vogël e variantit Delta.

Image
Adem Bytyqi

“Paraqitja e virusit Delta, pa dyshim rrezikon shëndetin e popullatës, por vetëm ata të cilët nuk e kanë marrë për herën e dytë vaksinën. Nëse vazhdon vaksinimi i popullatës me shpejtësi me vaksinën edhe për herën e dytë kundër COVID 19, mundësia e rrezikimit nga varanti Delta është më i vogël edhe domosdoshmëria për mos izolim është më e madhe”, tha ai.

Tutje, Bytyqi ka shtuar se duhet të vaksinohen të gjithë, sepse do të jenë të rrezikuar nga varianti Delta, madje edhe ata të cilët kanë rënë pre e dezinformimit.

Ai përmend se në disa vende, vaksinimi është bërë i obligueshëm.

“Të gjithë ata që kanë rënë pre e dizinformatave për tu mos u vaksinuar me vaksina kundër Covid- 19 , rrezikohen të infektohen nga variant Delta i virusit , prandaj këtë grup njerëzisht, qytetarësh duhet të binden që sa më parë të vaksinohen me vaksinën kundër Civid-19. Në disa vende e kanë bërë të obligueshëm vaksinimin, nuk e kanë lënë në vullnetin e individëve për tu vaksinuar apo për tu mos u vaksinuar. Ajo që tani është konstatuar nga infektologët dhe venerologët është se vaksina kundër Covid ‐19, mbron shëndetin edhe nga varianti Delta e virusit”, shtoi ai.

“Opsion i parandalimit, mbetet vetëm vaksinimi”

Ndërsa, analisti Faton Mehmeti, ka theksuar se duhet të merren masa për izolim që nga tani, sepse sipas tij, kështu mund të përballohet më lehtë një situatë e tillë.

Image
Faton Mehmeti

Madje, sipas Mehmetit, kjo mund të parandalohet vetëm duke u vaksinuar.

“E gjithë bota është e shqetësuar nga varianti Delta dhe rreziku nga ajo. Kështu që edhe Kosova nuk përjashtohet nga kjo gjë, në këtë kuptim duhet thënë se Kosova nuk përjashtohet nga izolimi dhe pasojat që mund të ketë nga një izolim tjetër. Që nga tani duhet të merren masat për një izolim të mundshëm në mënyrë që të përballohet më lehtë një situatë e tillë. Vaksinimi mbetet një opsion i parandalimit, mutacionet e Delta mund të rrezikojnë edhe ata me vaksinim, kështu që rreziku mbetet shumë i lartë për të gjithë”, ka potencuar ai për gazetën “Bota sot”.

“E gjithë kjo varet nga qytetarët”

Kurse, juristi Blerim Burjani, e ka quajtur deklaratë të hershme, madje thotë se varësisht nga rreziku, qytetarët do të vaksinohen.

Image
Blerim Burjani

“Deklaratë e hershme ende pa filluar përhapja e Delta e titulluar, masat preventive dhe vaksinimi janë shumë pozitive, tash varet nga qytetarët, vaksinimi është vullnetar dhe pozitiv, varësisht prej vetëdijesimit dhe rrezikut qytetarët me siguri paraqiten për vaksinim”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat