Heshtje në politikë, lavdërime në sport/ Çfarë fshihet pas ideve të Ramës ndaj Kosovës dhe Minishengeni me Serbinë

Politika

Heshtje në politikë, lavdërime në sport/ Çfarë fshihet pas ideve të Ramës ndaj Kosovës dhe Minishengeni me Serbinë

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 29 korrik 2021 Në ora: 10:45
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti dhe Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama

Ditë më parë Kosova arriti të përmendet në arenën ndërkombëtare për sukseset që të rinjtë e saj arritën.

Distria Krasniqi, Majlinda Kelmendi e Nora Gjakova, janë disa nga emrat që këto ditë u përfolën për sukseset që arritën në skenat botërore, shkruan “Bota sot”.

Për sukseset e vajzave tona shkruan edhe mediat e huaja mirëpo lavdërimet edhe nga krerët vendor nuk munguan.

Përpos në Kosovë, urime pati edhe nga Shqipëria.

Ishte kryeministri i Shqipërisë Edi Rama, ai i cili në një postim në rrjetin social Facebook, Distria Krasniqin e ka quajtur “luaneshë”.

“LUANESHË. Bravo, Bravo, Bravo”, ka shkruar Rama.

Gjithashtu, ai përveç Krasniqit ka lavdëruar edhe këngëtaren shqiptare me famë botërore, Dua Lipa, e cila qëndroi në Shqipëri për të parë rindërtimin e një kopshti për fëmijë, të dëmtuar nga tërmeti..

Këto lavdërime erdhën menjëherë pas pak ditësh që Rama foli me Vuçiqin dhe Zaevin për Minishengenin, takim ky që u pasua pasi kryeministri Kurti e akuzoi Serbinë për tri gjenocide në Kosovë.

Mirëpo për këtë të fundit, Rama nuk reagoi fare.

Raporti mes Kurtit dhe Ramës tashmë dihet që nuk është aq i mirë, mirëpo në këto raste heshtja e Ramës, lë shumë për të menduar se afërsia e tij është më e ngushtë me presidentin Vuçiq e jo me kryeministrin e Kosovës, Albin Kurti.

Kujtojmë që kryeministri Kurti ka qenë dhe është ende kundër idesë së Minishengenit e që për të njëjtin është pro kryeministri Rama.

Ndërsa, analistët politik për “Bota sot”, thonë që kjo heshtje e Ramës është në dëm të Kosovës dhe tregon edhe njëherë që ai po mban anën e Vuçiqit dhe jo të kryeministrit Kurti.

Kapiti: Lavdërimet për Dua Lipën dhe Distria Krasniqi, “maskë” e tij tjetër

Image
Analisti politik, Skënder Kapiti

Në lidhje me këtë temë, analisti politik, Skënder Kapiti në një prononcim për “Bota sot”, u shpreh se lavdërimet e Ramës nuk janë bindëse dhe është vetëm një maskë mashtrimi për t’u treguar që po respekton Kosovën.

Ai përmend edhe rastin e vendosjes së taksës gjobitëse për shqiptarët në “Rrugën e Kombit” dhe thotë se Rama mbetet një aleat dhe bashkë ideator për idenë e Minishengenit Ballkanik.

“Kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama ka “lavdëruar” Dua Lipën dhe Distria Krasniqin për sukseset e tyre si këngëtare dhe si fituese e Medaljes së Artë në Lojërat Olimpike në Japoni. Por ky lavdërim nuk është bindës, por është një farë maske mashtrimi pseudopatriotizmi me anë të së cilës ai do të tregohet sikur është njeri që ka respekt për Kosovën. Edi Rama se sa pro Kosovë është e kanë treguar “veprat” e tij, e tregoi me vendosjen e Taksës gjobitëse për shqiptarët e Kosovës të “Rrugës së Kombit”; se sa anti Kosovë e tregon fakti se çfarë lobimi ka bërë deri me sot Edi Rama për njohjet ndërkombëtare të Kosovës prej shteteve dhe organizmave ndërkombëtarë, se sa ai, ia dëshiron të mirën Kosovës Edi Rama e ka treguar fakti se ai ka qenë dhe mbetet aleat i projektit serb për ndarjen e copëtimin e Kosovës, dhe kulmi është se ai është edhe bashkë ideator me Presidentin e Serbisë për Minishengenin Ballkanik , i cili është dhe ka një prapavijë thellësisht anti Kosovë”, tha analisti.

Kapiti tutje thotë se Rama po vazhdon t’i bëjë presion Kosovës që të hyjë në këtë ide të Minishengenit, që faktikisht është në dëm të Kosovës.

Gjithashtu, ai shton se Rama me veprimet e tij po na lë të kuptojmë që nuk po e përkrahë vendin tonë mirëpo po bëhet aleat i Serbisë.

“Pra me këtë veprim të tij të fundit ai dakordohet me Serbinë e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës, duke i bërë thirrje por edhe presion sa mundet që Kosova të hyjë në një organizim ballkanik ku lider i saj është Serbia e cila nuk e njeh shtetin e Kosovës. Pra këto janë disa veprime të cilat nuk kanë nevojë për koment, ashtu sikurse edhe tjetra, ajo që po ta shikosh hollë-hollë, pothuajse asnjë shqiptar me origjinë nga Kosova që në Shqipëri janë mbi 200 mijë, nuk e gjen deputet te PS-se, as në Këshillat vendor Bashkiak socialiste e rrallë rastësisht ndoshta, ndoshta ka ndonjë në administratën shtetërore sot te tij”, theksoi Kapiti për “Bota sot”.

Ahmeti: Rama duhet të mbajë lidhje të ngushtë me kryeministrin Kurti

Image
Analist Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se veprimet e njëanshme të Ramës po fuqizojnë Serbinë sidomos në idenë e Minishengenit.

Ndër të tjera, ai shton se me idenë e Minishengenit duhet të veprojë Rama me logjikë, në mënyrë që Serbia të mos fitojë ekonomikisht.

“Mendoj se veprimet e njëanshme të kryeministrit Rama janë të papranueshme, pasi në këtë rast po fuqizohet Serbia në këtë Minishengen. Kryeministri Rama duhet të veprojë në dakordim me zyrtarët e lartë shtetëror të Kosovës, pasi në këtë Minishengen duhet vepruar me logjikën e një trupi të vetëm. Në këtë logjikë të veprimit të njëanshëm të shtetit shqiptar fiton Serbia ekonomikisht dhe politikisht”, ka vlerësuar ai.

Në fund, Ahmeti ka theksuar se Kurti po kërkon vetëm të vërtetën që Serbia ka shkaktuar ndaj shqiptarëve e që për këtë gjë Rama nuk po i ndihmon.

“Kryeministri Kurti po kërkon dhe insiston për një të vërtetë të padiskutueshme që ka shkaktuar Serbia ndaj shqiptarëve të Kosovës, por kësaj të vërtetë për gjenocidin s’po i ndihmon zoti Rama. Mendoj se ky akordim në mes zyrtarëve shqiptar të të dyja shteteve i shkon për shtati vetëm Serbisë”, përfundon Ahmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat