Paralajmërohet rreziku nga shkëmbimi i territoreve, analistët tregojnë skenarin e Vuçiqit

Politika

Paralajmërohet rreziku nga shkëmbimi i territoreve, analistët tregojnë skenarin e Vuçiqit

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 30 korrik 2021 Në ora: 08:35
Albin Kurti dhe Aleksander Vuçiq, foto ilustrim

Ish-këshilltari i ish-presidentit amerikan Donald Trump për Siguri Kombëtare, John Bolton, u shpreh se gjatë kohës që ka qenë në detyrë bashkë me ish-presidentin e Kosovës Hashim Thaçin dhe me presidentin serb Aleksandar Vuçiq është folur për shkëmbimit të territoreve.

“Mund të ju them se kur isha këshilltar i Sigurisë Kombëtare dhe flisja me presidentin Thaçi dhe me presidentin Vuçiq, ajo mundësi, pra korrigjimi i vogël territorial, është shqyrtuar dhe është diskutuar. Nëse do të mund ta kapërcenim shpërbërjen e Jugosllavisë më 1991-n dhe unë e di që historia shkon shumë më larg se 30 vjet, atëherë ajo mund të jetë pjesë e një pakete më të madhe që do të na çonte drejt një zgjidhjeje”, ka thënë ai.

Ai shtoi se Qeveria e Kosovës ka të drejtë të thotë se nuk dëshiron të diskutojë për korrigjimin e territorit, e që sipas Bolton, kjo atëherë do të nënkuptonte se nuk do të ketë progres në negociata.

“Nëse njerëzit nuk dëshirojnë të flasin për korrigjimin e territorit, pa dyshim se ju hiqni një zgjidhje të mundshme përbërëse dhe ngushtoni opsionet për zgjidhje dhe pa dyshim krijoni një situatë në të cilën është më e vështirë të gjesh një zgjidhje. Qeveria e Kosovës ka të gjithë të drejtën të thotë se nuk dëshiron të diskutojë për korrigjimin e territorit, por unë mendoj se atëherë praktikisht do të thotë se nuk do të ketë progres në negociata”, u shpreh John Bolton.

Mirëpo, a ka vdekur plotësisht ideja për shkëmbim territoresh dhe sa ekziston rreziku që kjo ide të jetë sërish aktuale, derisa dhe muaj më parë u publikuan disa Non Paper për ndryshim të kufijve?

“Inskenimet e qëllimshme kundër Kosovës”

Lidhur me këtë, analisti Gani Qarri, ka potencuar se pasi që Bolton ka deklaruar se kishte biseduar me Thaçin dhe Vuçiqin, kjo tregon se Thaçi kishte nisur pazare të reja të tregtimit të tokave me Vuçiqin, i cili shfaq pretendimet territorial të tokave të vlefshme të Kosovës.

Image
Gani Qarri

Qarri shton se edhe Borrell, kishte deklaruar se ka pasur ide për shkëmbimin e territoreve, madje i ndryshuar edhe qëllimisht nga Thaçi dhe Vuçiq, vetëm që të ndahet Kosova dhe të falet pjesa veriore.

“Vet fakti se John Bolton, ish këshilltar i ish presidentit amerikan, Donald Trump, këto ditë deklaroi edhe njëherë publikisht, se kishte biseduar me ish presidentin Thaçi dhe presidentin Vuçiq për shkëmbim territoresh, flet hapur se pas faljes së 2500 hektarëve tokë FYROM-it dhe 8300 tjera Malit të Zi, kuislingu Hashim Thaçi kishte nisur pazaret e reja të tregtimit të tokave të vendit edhe me Aleksandër Vuçiqin, për faljen e veriut dhe pjesëve më vitale të vendit tonë, Serbisë fashiste. Madje Serbia hegjemoniste edhe 22 vite pas lufte, në njërën anë mban mijëra trupa të pajetë të shqiptarëve të kidnapuar peng në Serbi, ndërsa në anën tjetër, shfaq hapur pretendimet territoriale ndaj tokave më të vlershme të Kosovës, duke tentuar me çdo kusht dhe mënyrë që t’i gllabërojë ato, qoftë edhe me ri-okupim ushtarak të pjesëve të caktuara të Kosovës. Për aq më tepër përveç John Boltonit, edhe përfaqësuesi i lartë i BE-së, për politikë të jashtme, z. Josep Borell, në fund të nëntorit të vitit 2020, deklaronte publikisht se ka pasur një ide për shkëmbim territoresh, term ky i ndryshuar qëllimisht, nga Thaçi dhe Vuçiq, për kamuflimin e ndarjes së Kosovës dhe faljen e veriut të vendit tonë, Serbisë okupatore”, shtoi ai.

Më tej, ai ka thënë se përveç kësaj, Thaçi vite më parë kishte deklaruar për ndarjen e Kosovës, ndërsa Dhurata Hoxha kishte paguar mbi 126 mijë euro nga taksat për firmën franceze për propagandimin e ndarjes së Kosovës.

Qarri shton se ish ministri për informata i Qeverisë së Millosheviqit, nuk kishte pranuar marrëveshjen për paqe, madje as atë për ballafaqimin me Serbinë, kjo pra e cila e dëshmon se qëllimi i tij është riokupimi me forcë.

“Për aq më tepër Thaçi edhe në forumin e vendeve ballkanike në Alpbach të Austrisë në korrik të vitit 2018, kërkoi publikisht, para kamerave televizive ndihmën e ndërkombëtarëve, për ndarjen e Kosovës, ndërsa këshilltarja e tij dhe e Kadri Veselit, si dhe "ministrja për integrime evropiane" në Qeverinë e PAN-it, të udhëhequr nga Ramush Haradinaj, Dhurata Hoxha kishte paguar mbi 168 mijë euro para të taksapaguesve të varfër të Kosovës firmën franceze me seli në Paris "Majorelle PR & Events" për propagandimin e ndarjes së Kosovë kudo në botë. Shto kësaj faktin se ish ministri për informata në Qeverinë e Millosheviqit, gjatë kohës së okupimit klasik të Kosovës nga Serbia dhe presidenti aktual i Serbisë, krimineli Aleksandër Vuçiq, nuk pranoi as marrëveshjen për paqe dhe paktin për mos-sulmim të Kosovës, si dhe kërkesën për ballafaqimin e Serbisë me të kaluarën, edhe para ndërmjetësuesve më të lart evropian, gjë që dëshmon se qëllimi përfundimtar i tij, nuk është marrëveshja me Kosovën por ri-okupimi dhe gllabërimi i pjesëve më vitale të saj me forcë, në të cilat kolonizimi serb edhe sot vazhdon, pa asnjë pengesë”, tha ai.

Ai më tej ka përmendur edhe disa inskenime të qëllimshme që dëshmojnë se ideja për ndarjen e Kosovës, ende nuk ka vdekur. Pra, sipas Qarrit janë, reklamimi i tyre për blerjen e armatimeve nga Rusia dhe Kina, madje shfaqja e “Non Paperave”, si dhe ideja e Daçiqit dhe Vuçiqit për krijimin e “botës serbe”.

“Nuk mund as nuk ka se si të pritet paqe as marrëveshje nga një kriminel i regjur i cili për çdo ditë reklamon blerjen e armatimeve të reja nga Rusia e Kina dhe forcën e ushtrisë serbe, si dhe shfaqjen e para disa muajve të "Non Paperve" të famshëm për ndryshimin e kufijve në Ballkan, të nxitur nga vet Serbia, deri te i ashtuquajturi "Mini-shengen" ballkanik dhe ideja më e re, e lansuar nga Daçiq, Vuçiq dhe Millorad Dodik e Vulin, për krijimin e "botës serbe!?". Të gjitha këto janë inskenime të qëllimshme që po zhvillohen në sinkron me njëra tjetrën dhe dëshmojnë hapur se ideja për ndarjen e Kosovës, jo vetëm që ende nuk ka vdekur, por armiku numër 1. i shtetit të pavarur të Kosovës, Aleksandër Vuçiq nuk po lë gur pa lëvizur që ta rikthejë sërish në tavolinë idenë e ndarjes dhe shuarjen e shtetit të pavarur të Kosovës, pa përjashtuar këtu as përdorimin e forcës ushtarake”, potencoi Qarri.

Tutje ka theksuar se Qeveria e re si dhe qytetarët, në këto momente të tanishme që jemi, duhet të jemi me sy qel dhe të veprojmë konform zhvillimeve aktuale, në veçanti tani kur Serbia pretendon se Kosova duhet akoma t’i jap diçka. Pra, të reagojmë me kohë për të mbrojtur vendin nga Vuçiqi.

 “Ndaj Qeveria e re dhe të gjithë qytetarët, në momentet kritike nëpër të cilat po kalojmë si vend dhe popull, duke pasur parasysh se mu tani kur kryeministri ua bëri të ditur BE-së dhe mbar botës, tri gjenocidet që ka kryer Serbia mbi shqiptarët, ndërsa shërbëtorët e Serbisë dalin me ide, se Kosova duhet akoma t’i jap diçka Serbisë, medoemos duhet të jemi shumë sy qelë dhe të veprojmë konform zhvillimeve aktuale në rajon, në mënyrë që të mund të reagohet me kohë për mbrojtjen e vendit dhe shpëtimin e Kosovës nga ndarja, si dhe pengimin e realizimit të pretendimeve të vazhdueshme të kriminelit Aleksandër Vuçiq, për gllabërime të reja hegjemoniste serbe, mbi tokat tona autoktone edhe në shtetin e vogël të Kosovës, që përkundër të gjitha vështirësive, po i afrohet përvjetorit të 14 të shpalljes së pavarësisë”, ka përfunduar Gani Qarri.

“E vërtetë deklarata e Bolton”

Kështu, analisti politik, Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se deklarata e tij është e vërtetë, sepse shkëmbimi i territoreve ka qenë pazari në mes Thaçit dhe Vuçiqit, gjë që ka qenë edhe kundër interesave të SHBA-ve, BE-së dhe NATO-s, prandaj këto e eliminuan Thaçin nga politika, madje Mehazi thotë se burgosja e tij në Hagë është dhuratë për të.

Image
Sulejman Mehazi

“Deklarata e ish-këshilltarit të ish-presidentit amerikan, John Bolton, është e vërtetë dhe e besueshme se qëllimet e Hashim Thaçit dhe Aleksandër Vuçiqit kanë qenë pazaret e shkëmbimeve të territoreve mes Kosovës dhe Serbisë dhe se këto ide politike ishin jo vetëm kundër dëshirave të qytetarëve të Kosovës, por edhe kundër planeve të fuqive të mëdha SHBA, BE e NATO që krijuan Republikën e Kosovës. Pikërisht, këto ide të gabuara shkëmbimesh territoresh e eliminuan Hashim Thaçin nga skena politike. Nuk është e rastësishme burgosja e ish-presidentit Thaçit në Hagë, paraburgimi i tij në Hagë është dhuratë për shkak shkëmbimeve të territoreve me Serbinë, ide që ishte kundër interesave strategjike të SHBA-ve të cilët së bashku me BE-në e NATO-n e themeluan Republikën e Kosovës me kufijtë e saj jashtë Serbisë e Shqipërisë”, tha ai.

Më tej, ai ka potencuar se NATO, SHBA dhe BE luftuan vetëm për të krijuar një Republikë të pavarur, pra Republikë e Kosovës.

Mehazi thotë se nëse Kurti pretendon të bashkojë Kosovën me Shqipërinë, atëherë do të jetë e papranueshme për SHBA-në dhe NATO-n.

“Elita politike kosovare duhet ta kuptojnë se NATO, SHBA e BE nuk luftuan me Serbinë për shkëmbime territoresh, apo nuk luftuan për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë, po për të krijuar një Republikë të re të Pavarur në Ballkan me emrin Republika e Kosovës, kaq. Çdo ide tjetër politike për Kosovën do jetë dështuese dhe e pa pranueshme për diplomacinë elitare botërore. Nëse edhe kryeministri i Kosovës, Albin Kurti nuk lufton për Kosovën, po për të bashkuar Kosovën me Shqipërinë do jetë e papranueshme për SHBA-në e BE-në, po edhe pikëlluese për vetë Albin Kurtin”, shtoi Mehazi.

Tutje treguar se kur Kurti mund të jetë i rrezikuar nga Gjykata në Hagë, sipas tij, vetëm nëse Kurti do të nxjerrë ide për bashkimin e Kosovës dhe Shqipërisë. Por, ai shprehet, se nëse Kurti lufton për Kosovën, atëherë do të ketë përkrahjen nga të gjithë.

“Me paraburgosjen e ish-presidentit Hashim Thaçit në Hagë mori fund ideja e shkëmbimeve të territoreve me Serbinë, po njësoj do i ndodh edhe kryeministrit Albin Kurtit nëse dhe ai plason idenë e gabuar të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë. Derisa Albin Kurti lufton për Kosovën do të përkrahet nga gjithë, nga SHBA-ja e BE-ja, në momentin kur do nxjerrë idenë e bashkimit të Kosovës me Shqipërinë atëherë edhe Kurtiti mund të ballafaqohet me Gjykatën Ndërkombëtare të Hagës. Jo rastësisht kryeministri i Kosovës Albin Kurti ka nxjerrë nga përdorimi formulën politik të bashkimit të Kosovës me Shqipërinë që është e rrezikshme për te dhe partine e tij të LVV-së”, ka përfunduar Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat