Ishte drejt shuarjes/Çfarë bëri Lumir Abdixhiku në LDK?

Politika

Ishte drejt shuarjes/Çfarë bëri Lumir Abdixhiku në LDK?

Albulenë Muji Nga Albulenë Muji Më 30 korrik 2021 Në ora: 18:04
Lumir Abdixhiku

Në zgjedhjet e jashtëzakonshme të 14 shkurtit, Lidhja Demokratike e Kosovës u rendit si partie e tretë.

Kjo ishte rënia më e madhe që ka pësuar kjo parti që nga themelimi i saj. Për shkak të kësaj rënie në këtë parti u bënë ndryshime rrënjësore duke filluar nga kryetari, duke vazhduar me kryesia e saj.

Kryetari i Lidhjes Demokratike të Kosovës, Lumir Abdixhiku ka deklaruar për media se kur e ka marrë pozitën e re, disa degë të kësaj partie ishin drejt shuarjes.

Mirëpo, analistët shprehen se ndryshimet të cilat thuhet se i bëri kryetari i ri i LDK-së do të shihen në zgjedhjet e ardhshme lokale, të cilat pritet në mbahen në tetor. Po ashta shihet se LDK-ja pasur rënie, por nuk ishte drejt shuarjes.

Qarraj: Reformimi në LDK do të shihet në zgjedhjet lokale

Image
Gani Qarri

Lidhur me këtë, njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri, në një bashkëbisedim për “Bota sot”, ka deklaruar se LDK-ja në zgjedhjet e 14 shkurtit të këtij viti, ka pasur zhgënjimin më të rëndë që nga themelimi.

“Zgjedhjet e 14 shkurtit të vitit 2021, ishin një prej përjetimeve më të këqija dhe zhgënjimet më të rënda, që ka mundur t’i pësojë Lidhja Demokratike e Kosovës qysh nga themelimi i saj, si subjekt dhe parti politike, nga më të parat në vend. Madje duke pasur parasysh faktin se partia e themeluar nga Dr. Ibrahim Rugova një nga partitë më të vjetra shtet formuese në Kosovë, nga vendi i parë, ku për shumë vite ishte kampion, më 14 shkurt të këtij viti, ka shënuar rezultatin më të keq zgjedhor në histori, duke rënë në vendet e fundit me vetëm 103 mijë vota të elektoratit në mbarë vendin, një rezultat i cili për kryetarin e ri të LDK-së, nuk lë kurrfarë hapësire, për të bërë ndonjë koment tjetër, as manovrim, përveç pranimit të realitetit dhe deklarimit të të vërtetës, se LDK njëmend ishte në prag të shuarjes, në gjysmën e komunave të Kosovës, të cilën e dëshmoi edhe numri jashtëzakonisht i vogël i votave të fituara edhe në komunat që udhëhiqeshin nga LDK”, ka thënë ai për “Bota sot” .

Më tej, Qarri ka theksuar se në LDK ka pasur ndryshime për të mirë pas ardhjes së Abdixhikut në krye të partisë.

“Kështu që mendimi se pas ardhjes së Abdixhikut në krye të saj, LDK ka pasur ndryshime për të mirë, është pjesërisht i drejtë dhe qëndron, për vet faktin se pas ardhjes së Abdixhikut në krye të partisë, indikacion për ndryshim është vet reforma”, ka potencuar Qarri.

Gjithashtu, ai ka përmendur se çfarë ka bërë Abdixhiku për herë në LDK.

“Pas kaq kohe të gjatë pa ndryshime ai futi për herë të parë në parti, çuarja në pension e kastës së vjetër e cila ishte fajtorja kryesore për humbjen e thellë të LDK-së, zgjedhja e kryesisë së re dhe përcaktimi në shumicën e rasteve i kandidaturave të reja, për kryetarë të komunave në zgjedhjet lokale që në Kosovë janë caktuar të mbahen vjeshtën që po vjen”, ka deklaruar analisti.

Sipas tij, në zgjedhjet lokale do të shihen sukseset që i ka pasur Abdixhiku në reformimin e LDK-së.

“Ndaj me 17 tetor, do të shihet definitivisht, se sa ka pasur sukses z.Abdixhiku në reformimin e LDK-së dhe vendosjen në rrugë të mbarë të ngritjes dhe ripërtëritjes të kësaj partie, nga më të vjetrat në vend, e cila ia pa sherrin Isa Mustafës me shokë dhe shkaku i gafave të tij, u dënua më rëndë se cila do parti tjetër në vend”, ka përfunduar Qarri për “Bota sot”.

Duhanaj: LDK-ja nuk ishte drejt shuarjes, por ka pasur rënie drastike

Image
Leon Duhanaj

Ndërsa, analisti politik, Leon Duhanaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se LDK-ja si partia më e vjetër ishte mësuar në njëfarë komoditeti, i cili në masë të madhe cilësohej edhe me një lloj prepotence.

“LDK, si partia me e vjetër në vend, duke qenë se ishte si lëvizje gjithëkombëtare, ishte mësuar në njëfarë komoditeti, i cili në masë të madhe cilësohej edhe me një lloj prepotence. Duhet pasur parasysh se të gjitha partitë shqiptare me pastaj, u themeluan në masë të madhe nga njerëz apo ish anëtarë të pakënaqur të LDK-së. Kjo parti, duke qenë se kishte liderin e saj karizmatik, e gjitha identifikohej me të, përderisa strukturat në masë të madhe, me shumë bënin sehir e dëm se sa hajr”, ka thënë ai për “Bota sot”.

Gjithashtu, ai ka treguar se në çfarë forme ka ndikuar në zbehja e aktivitetit nëpër degë të kësaj partie.

“Pas vdekjes se Presidentit Rugova, LDK u përball me realitetin të cilin kishin dështuar ta kuptonin dhe ta menaxhonin. Në anën tjetër, në LDK ka qenë njëfarë tradite e eliminimit të figurave të caktuara politike nëpër degë, kuadro këto të cilat do të mund t'u bënin konkurrencë njerëzve të etabluar. Në ketë formë, është ndikuar edhe zbehja e aktivitetit nëpër degë”, ka thënë ai.

Më tej, Duhanaj ka shtuar se LDK-ja nuk ishte drejt shuarjes, por ka pasur rënie drastike.

“Nuk do të thosha që kanë qenë drejt shuarjes, por po, rënie drastike në aspektin kualitativ. Shumë degë të LDK-së , për nga cilësia kadrovike, kanë qenë shndërruar në nivel shumë të ulët”, ka vlerësuar ai.

“Secila parti dhe degët e tyre, kanë nevojë të jenë të gjalla. Të gjalla nënkupton të kenë risi në ide dhe freskim me kuadro të reja. Në ketë kontekst, ka ngecje në të gjitha partitë, ka pasur edhe në LDK. Se sa do të ndryshojë, do të shihet dhe matet me performancën dhe rezultatin, përkatësisht trendin në zgjedhjet lokale”, ka thënë Duhanaj për “Bota sot.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat