“Amerika shpresa e shqiptarëve” - kjo është arsyeja e përfshirjes së diplomatit amerikan në dialogun Kosovë-Serbi

Politika

“Amerika shpresa e shqiptarëve” - kjo është arsyeja e përfshirjes së diplomatit amerikan në dialogun Kosovë-Serbi

Arife Morina Nga Arife Morina Më 31 korrik 2021 Në ora: 10:23
Shtëpia e Bardhë

Tash e një kohë të gjatë, njohës të çështjeve politike e marrëdhënieve ndërkombëtare kërkonin me ngulm përfshirjen e një diplomati amerikan në bisedimit Kosovë-Serbi.

Kjo kërkesë erdhi si pasojë e marrëdhënieve të ngushta të shtetit të Kosovës me SHBA-të.

E një lajm të mirë për këtë çështje e dha ditë më parë profesori amerikan, njëherësh ekspert i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir.

Ai deklaroi se me aq sa ka informacione, së shpejti do të emërohet një përfaqësues amerikan në dialogun Kosovë-Serbi.

Madje, Ben-Meir ka thënë se një përfaqësues i tillë është ndihmë për dialogun, derisa ka shtuar se Biden është njeri fisnik që do të bëjë gjëra të mira, përcjell Bota sot.

“Mendoj se për aq gjatë se SHBA-ja është një fuqi dhe partner i rëndësishëm në hemisferën perëndimore, SHBA-ja, sidomos tani e përfaqësuar nga presidenti, Joe Biden që krahasuar me ish-presidentin, Donald Trump, çfarë mund të them?! Presidenti Biden është një njeri fisnik që mund dhe do të bëjë shumë gjëra të mira. Pra të kemi një përfaqësues të tij në këtë dialog, gjithmonë është një ndihmë. Është mirë të kemi një përfaqësues të tillë dhe me sa kam informacione, do të emërohet një i tillë”, ka thënë Alon Ben-Meir.

E natyrisht, analistët politikë e mirëpriten lajmin për emërimin e një ndërmjetësuesi amerikan në dialogun Kosovë-Serbi.

Ata në prononcimet për gazetën “Bota sot”, thanë se përfshirja e Amerikës në negociata me Serbinë është një shpresë e re për Kosovë.

Qarri: Përfshirja e Amerikës në dialog, shpresë e re për Kosovën

Njohësi i çështjeve politike, Gani Qarri në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se shqetësimi i Shteteve të Bashkuara të Amerikës po vazhdon të rritet në raport me afërsinë e madhe të Serbisë me Rusinë.

Image
Gani Qarri

Madje, ai përmendi edhe se si shteti serb nuk po i dëgjon thirrjet e BE-së dhe SHBA-së për të qëndruar larg politikave të Rusisë.

“Përveç problemeve që Republika e Kosovës edhe mbi dy dekada pas çlirimit, ka në vijimësi me Serbinë hegjemoniste edhe në Shtetet e Bashkuara të Amerikës, vazhdon të rritet shqetësimi lidhur me afërsinë dhe allishverishet e pareshtura të Serbisë me Rusinë, e cila pavarësisht thirrjeve të Bashkimit Evropian dhe Shteteve të Bashkuara të Amerikës për të qëndruar “larg Putinit, Vuçiq përveçse nuk pranon të vendos sanksione kundër Rusisë, ai vazhdon ti trash edhe më tepër lidhjet politike dhe ushtarake me këtë shtet aziatik, akt i cili po bënë që të rriten gjithnjë e më tepër shqetësimet në administratën e presidentit Joe Biden”, deklaroi ai.

Në vazhdim, analisti tha se Amerika ka filluar të shqetësohet edhe për shkak të pretendimeve të hapura territoriale të Serbisë ndaj Kosovës dhe insistimit në vijimësi të Rusisë që dialogu të mbetet pezull.

“Për aq më tepër, sipas profesorit të shquar amerikan dhe ekspertit të mirënjohur të çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir, përveç në Kosovë, shqetësimet sa vijnë e rriten edhe në State departamentin Amerikan, për futjen e dialogut ndërmjet dy vendeve, në qorrsokak, pikërisht për shkak të pretendimeve të hapura territoriale të Serbisë ndaj Kosovës dhe insistimit në vijimësi të Rusisë që kjo çështje të mbetet pezull dhe e pa përfunduar sa më gjatë, me qëllim për të rritur numrin e problemeve me të cilat duhet të merren SHBA-të dhe vet State departamenti Amerikan, në Ballkanin perëndimor”, theksoi Qarri.

Tutje, ai u shpreh se emërimi i një përfaqësuesi të lartë amerikan në dialogun Kosovë-Serbi, do ta dërgonte këtë proces drejt përfundimit.

“Ndaj sipas Profesorit amerikan, njëherësh ekspert i mirënjohur i çështjeve të Ballkanit Perëndimor, Alon Ben-Meir, ai personalisht thotë se ka informacione, që së shpejti, do të emërohet një përfaqësues i lartë amerikan, si ndërmjetësues vendimtar, krahas atyre evropian, në dialogun Kosovë-Serbi, për ta dërguar këtë proces drejt përfundimit”, nënvizoi analisti.

Në fund, Qarri u shpreh se më emërimin e një përfaqësuesi amerikan për ndërmjetësim në negociata me Serbinë, do të lind një shpresë e re për Kosovën, për finalizimin e një marrëveshje me njohje reciproke.

“Kështu që, sa më shpejtë që të ndodh emërimi i një përfaqësuesi të lartë shtetëror amerikan për ndërmjetësimin në dialog, për Kosovën do të lind edhe një shpresë e re, për përfundimin sa më par të bisedimeve dhe ndihmë e madhe e SHBA-ve, për arritjen e një marrëveshje finale gjithëpërfshirëse, ashtu siç është shprehur në letrën e tij edhe presidenti Joe Biden, për njohjen reciproke, pa ndryshimin e kufijve ndërmjet të dyja vendeve, Kosovës dhe Serbisë”, përmbylli Gani Qarri.

Bytyçi: Bisedimet Kosovë-Serbi, mund të ndërlikohen nëse shteti serb kërkon përfshirjen e Rusisë!

Image
Adem Bytyçi

Edhe analisti tjetër politik, Adem Bytyçi është i mendimit se një ndërmjetësues amerikan do ta ndihmonte vazhdimin e dialogut Kosovë-Serbi.

Mirëpo, ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se situata mund të ndërlikohet nëse Serbia do të kërkonte përfshirjen e një diplomati rus në bisedime.

“Pjesëmarrja e një të dërguari amerikan në negociatat Kosovë- Serbi, mund ta ndihmojë dialogun, por nuk mund të garantojë një marrëveshje paqësore Kosovë- Serbi. Madje, situatën do ta ndërlikonte edhe më shumë sikur pala serbe të kërkonte edhe pjesëmarrjen e një të dërguari rus në këto negociata”, u shpreh Bytyçi.

Në vazhdim, analisti deklaroi se me përfshirjen e saj në dialog, Amerika do t’i ofrojë një marrëveshje të re Serbisë.

Saktësisht se për çfarë marrëveshje bëhet fjalë dhe çfarë do të përmbajë ajo, ai potencoi se do të mbetet të shihet në fazën e ardhshme të negociatave.

“Edhe dikush mund të mos pajtohet me gjykimin tim, ani pse Kosova ka shumë besim se pjesëmarrja e një të dërguari amerikan në negociatat Kosovë-Serbi, do të ndikojë që të arrihet një marrëveshje e paqësore. Ka gjasa që Amerika t'i sugjerojë Kosovës një marrëveshje kompromisi me Serbinë, cila do të jetë dhe si do të dukej ajo marrëveshje dhe a thua do të jetë e drejtë për Kosovën është herët të thuhet në këtë fazë të negociatave Kosovë ‐Serbi...”, përmbylli Adem Bytyçi, përfundoi “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat