“Ramush Haradinaj në situatë të vështirë”/ Ky është paralajmërimi i rëndë për AAK-në

Politika

“Ramush Haradinaj në situatë të vështirë”/ Ky është paralajmërimi i rëndë për AAK-në

Nga: P.R Më: 31 korrik 2021 Në ora: 18:35
Ramush Haradinaj

Ish kryeministri i Republikës së Kosovës, kryetari i AAK-së, Ramush Haradinaj është njëri nga personat që me së shumti po e sulmon me akuza kryeministrin aktual, Albin Kurtin.

Së fundi, Haradinaj ka paralajmëruar se qeveria Kurti nuk do të ketë jetëgjatësi, pasi sipas tij, ajo do të rrëzohet shpejt.

“Populli i Kosovës do ta ketë të vështirë të qeveriset nga një qeveri e tillë. Kjo qeveri nuk do të zgjasë shumë. Kurti ka premtuar se do ta rivendosë reciprocitetin, por e vërteta është se u rrit importi i mallrave nga Serbia. Kurti po i bllokon bizneset dhe komunat tona. Paraja është bllokuar në Kosovë dhe komunat nuk po zhvillohen. Sipërmarrësit kosovarë do të kenë pasoja të mëdha në fund të këtij viti, derisa mallrat e Serbisë kanë vërshuar tregun tonë. Qeveria Kurti është qeveri armike ndaj ekonomisë së vendit të vet”, deklaroi ditë më parë kreu i AAK-së, Ramush Haradinaj.

E sipas analistit politik, Faton Mehmeti, lideri i AAK-së ndodhë në një situatë të vështirë, andaj po hidhet në sulm ndaj Kurtit.

“Ramushi ndodhet në një situatë të vështirë, duket se e ka kuptuar se partia e tij po shkon drejt fatit të Nismës. Ndonëse nuk e thotë publikisht, kjo gjë po shihet qartë: AAK e pret fati i Nismës”, thotë Mehmeti për “Bota sot”.

Image
Faton Mehmeti

Ai shton se sa ishte në pushtet, AAK dështoi që të qeverisë në të mirë të qytetarëve.

“Rritja e VV ka ndikuar qe Nisma të zhduket, dhe AAK në rrugë të saj. Ndonëse fajet për këtë i atribuohen Albinit, në fakt e vërteta është ndryshe. Fajet i ka vet Ramushi dhe AAK, e cila kur e kishte pushtetin në duart e tyre nuk arritën të dëshmonin se janë për shtet, se punojnë për qytetarët, duke vënë në pah interesat e tyre përballë qytetarëve”, shprehet Mehmeti.

Për fund, Mehmeti thotë se AAK nuk pritet të fitojë në asnjë komunë në zgjedhjet e 17 tetorit.

“AAK dëshmoi se nuk ka në plan të parë qytetarët. Për këtë gjë edhe qytetarët iu hakmorën me 14 shkurt. Tani me 17 tetor AAK e pret një sfidë shumë e vështirë, me mundësi që mos të fitojë në asnjë komunë, e cila është e pritshme. Përjashto Deçanin dhe Junikun, AAK pritet mos të fitojë asnjë komunë, fakt të cilin s’po arrin ta kapërdijë dot Ramushi”, përfundon analisti politik, Faton Mehmeti për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat