E vështirë për të opozita, Haradinajt i vjen paralajmërimi, ja çfarë do të ndodhë nëse tentohet rrëzimi i Qeverisë

Politika

E vështirë për të opozita, Haradinajt i vjen paralajmërimi, ja çfarë do të ndodhë nëse tentohet rrëzimi i Qeverisë

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 1 gusht 2021 Në ora: 10:22
Albin Kurti, Ramush Haradinaj; foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryetari i AAK, Ramush Haradinaj, ka thënë se dyshimet e tij për qeverinë e Albin Kurtit tashmë janë vërtetuar, pra që sipas tij Albin Kurti është mashtrues.

Ai thotë se premtimet për dialogun, reciprocitetin e shumë çështje tjera kanë dalë të jenë mashtrim, për çka sipas tij e bëjnë Kurtin mashtrues.

“Populli i Kosovës do ta ketë të vështirë të qeveriset nga një qeveri e tillë. Kjo qeveri nuk do të zgjasë shumë”, tha ai.

Haradinaj thotë se me ardhjen në qeveri të Albin Kurtit Kosova ka pasur rritje të madhe të importeve nga Serbia që sipas tij dikur ai i kishte kundërshtuar.

Gjithashtu, ai shton se ekonomia e Serbisë asnjëherë më parë nuk ka pasur kryeministër më të mirë se Kurti në Kosovë.

“Kurti ka premtuar se do ta rivendos reciprocitetin, por e vërteta është se u rrit importi i mallrave nga Serbia. Kurti po i bllokon bizneset dhe komunat tona. Paraja është bllokuar në Kosovë dhe komunat nuk po zhvillohen. Sipërmarrësit kosovarë do të kenë pasoja të mëdha në fund të këtij viti, derisa mallrat e Serbisë kanë vërshuar tregun tonë. Qeveria Kurti është qeveri armike ndaj ekonomisë së vendit të vet”, tha Haradinaj.

Por, duket se Haradinaj ka harruar se partia e tij ishtë bashkë në qeveri me LDK-në kur e hoqën masën e reciprocitetit ndaj Serbisë.

Madje, kreu i AAK-së duket se ka të vështirë të bindet se kryeministri Kurti ka fituar mbi 50 për qind të votave të popullit, ndërsa parti e tij vetëm 7 për qind.

Analistët kanë komentuar deklaratat e vazhdueshme të Haradinajt ndaj Kurtit.

“Për Haradinajn e vështirë opozita”

Image
Ademi Bytyçi

Analisti Ademi Bytyçi, në një prononcim për “Bota sot”, ka thënë se për Haradinajn është i vështirë qëndrimi në opozitë.

Bytyçi ka theksuar se edhe nëse qeveria Kurti bie, në zgjedhjet e ardhshme ka për të fituar edhe më thellë se në zgjedhjet e kaluara.

“Z.Haradinaj e ka të vështirë për t'u adaptuar me jetën në opozitë, prandaj nuk duhet për t'ia parë për "të madhe" pse e kritikon qeverin Kurti me shpresë për t'iu kthyer vetë pushtetit. Në pyetjen tuaj se a do të qeverisë vendin Qeveria Kurti, një mandat të rregullt kushtetues qeverisës apo siç thotë z.Haradinaj nuk e ka edhe aq gjatë për të rënë Qeveria Kurti, përgjigja ime do të ishte kjo: Qeveria Kurti nëse eventualisht bije për të cilën unë nuk besoj, edhe në zgjedhjet e ardhshme koalicioni Vjosa Kurti ka për t'i fituar zgjedhjet edhe më thellë se në zgjedhjet e parakohshme të 14 shkurtit 2021”, ka deklaruar Bytyçi.

Analisti me një propozim për Haradinajn

Kurse, profesori Sulejman Mehazi ka thënë për “Bota sot” se deklaratat e Haradinajt duken si opsesione sëmundjesh psikologjike për të dhe me kuptim vajtues për humbjen e pushtetit.

Image
Sulejman Mehazi

Mehazit shton se përderisa Haradinaj e quan Kurtin mashtrues, le të tregojë arsyen se pse mashtrues.

“Deklaratat e përsëritura të kryetarit të AAK-se Ramush Haradinajt për kryeministrin Kurtin, se nuk e ka gjatë dhe se së shpejti qeveria e tij do të përmbyset, duken si opsesione sëmundjesh psikologjike për liderin e AAK-së, Haradinajn. Refrenet politike të tij thuajse të përjavshme për rrëzimin e qeverisë së Kurtit e kanë kuptimin vajtues për humbjen e pushtetit dhe nuk mund ta kapërdijë këtë humbje të pushtetit. I nderuari i AAK-së, Haradinaj thotë se Kurti është mashtrues, po nëse është mashtrues le të tregojë se pse është mashtrues a pse nuk është inferior e rri përballë kryetarit të Serbisë denjësisht?, pse nuk lejon një milimetër tokë t'i jap Serbisë, pse ka anashkaluar e ka dëbuar Listën serbe nga qeveria?”, tha ai.

Tutje, ai ka potencuar se a mund të jetë Kurti mashtrues, sepse kërkon ta kthejë tokën e humbur apo se nuk është i korruptuar.

Ai thotë se qeverinë mund ta rrëzojnë vetëm deputetët e tij, madje Haradinaj e di se kjo qeveri nuk mund të rrëzohet nga askush.

Mehazi ka një propozim për Haradinajn, që të vajtojë me këngë vdekjen e qeverisjes së tij.

“A pse qeveria e Kurtit kërkon ta kthejë tokën e humbur të Kosovës, Çakorrin dhe Zhlebin që Haradinaj lehtësisht ia dha Malit të Zi është mashtrues kryeministri Kurti? A pse Kurti nuk është i korruptuar me miliona euro do rrezohet qeveria e Kurtit. Qeverinë e Kurtit mund ta rrezojnë vetëm deputetët e tij mbi 50% në parlamentin e Kosovës e askush tjetër, dhe vetë Haradinaj e di se qeverinë e Kurtit nuk mund ta rrezojë as ai, as qytetaret e as opozita, po qeverinë e Kurtit mund ta rrëzojë vetë kryeministri Kurti kur do vetë ai. I kishim propozuar liderit të AAK-së, Ramush Haradinajt që të marrë grupin "Vajtues" të Dibrës së Madhe që me fjalë e lot të vajtojnë vdekjen e qeverisjes së mëparshme të tij”, ka deklaruar Mehazi për “Bota sot”.

“Qeveria mund të prishet për shkak të dialogut”

Image
Blerim Burjani

Ndërsa, sipas juristit Blerim Burjani, kjo qeveri do të mbijetojë më shumë se të tjerat dhe mund të prishet vetëm nga izolimi ndërkombëtar për shkak të dialogut.

Burjani shton se problemet më të më të shtetit janë zhvillimi ekonomik dhe papunësia.

“Gjasat janë më të mëdha që kjo qeveri të mbijetoj më gjatë se të tjerat, kjo qeveri mund të rrëzohet vetëm nga përçarja eventuale e VV-së dhe Listës Guxo. Pra, në të kundërtën, do të funksionojë kështu siç është. Zhvillimi ekonomik dhe papunësia janë problemet më të mëdha të shtetit e që deri tash nuk vërehet se ka resor ministror aktiv për këto çështje. Kjo qeveri mund të prishet vetëm nga izolimi ndërkombëtar i saj për shkak të dialogut, në të kundërtën do të mbetet si e tillë të punojë, pa marrë parasysh se a do të ketë rezultat a jo pozitive në tema ekonomike”, ka deklaruar Blerim Burjani për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat