Paralajmërohet “shembja” e bastioneve politike në zgjedhjet lokale

Politika

Paralajmërohet “shembja” e bastioneve politike në zgjedhjet lokale

Arife Morina Nga Arife Morina Më 2 gusht 2021 Në ora: 16:11
Tubim i VV-së, në zgjedhjet e fundit

Kanë mbetur pak muaj deri në mbajtjen e zgjedhjeve lokale.

Partitë politike veçse kanë filluar mobilizimin e tyre dhe kanë filluar t’i bëjnë zyrtarizimet e kandidatëve të tyre për komunat përkatëse.

Si në çdo palë zgjedhje, edhe këtë herë një nga temat më të diskutuara janë bastionet politike.

Duke marrë parasysh që trendi i bastioneve politike ka vazhduar tash e sa vite, në këtë palë zgjedhje po paralajmërohet ‘shembja’ e tyre.

Kjo për faktin, se në zgjedhjet parlamentare Lëvizja Vetëvendosje arriti t’i thyejë pothuajse të gjitha bastionet e partive tradicionale.

Mirëpo, krahas kësaj, analistët politik po shprehen skeptik në çështjen se qytetarët do të votojnë duke u bazuar në programet politike.

Ata thanë se në Kosova ka ende nevojë të ngrihet vetëdijesimi i qytetarëve për programet politike dhe zgjedhore.

Kelmendi: Në Kosovë votohet partia dhe jo programi!

Image
Muhamet Kelmendi

Në një prononcim për gazetën “Bota sot”, profesori dhe njohësi i çështjeve kushtetuese, Muhamet Kelmendi u shpreh se edhe në këto zgjedhje lokale, qytetarët nuk do të votojnë programin qeverisës.

“Zgjedhjet lokale të 17 tetorit janë shumë afër, ato do të shkojnë sikurse edhe vetë zgjedhjet e përgjithshme dhe ato lokale të deritashme. Nuk ka mundësi që qytetari i ynë të japi votën sipas pikëpamjeve programore dhe qëllimeve të parapara për zgjidhje të çështjeve në komuna”, deklaroi ai.

Kelmendi tha se zgjedhjet komunale do të zhvillohen me ndikime politike në bastionet e caktuara. Ndonëse, sipas tij bastionet kanë filluar të shemben dhe qytetarët kanë ndërruar qëndrimet. Ai paralajmëroi disa ndryshime në disa komuna të caktuara, ku Lëvizja Vetëvendosje do të forcohet edhe më shumë.

“Zgjedhjet do të bëhen edhe tash me ndikime politike nëpër bastionet komunale që janë. Por, jo në tërësi, sepse disa komuna veç kanë ikur nga bastionet dhe kanë rrëshqitur në anën tjetër, duke dhënë votën në kuadër të faktorëve tjerë, si të kandidatit e të partisë, por jo edhe të programit zgjedhor. Edhe në zgjedhjet e 17 tetorit pres që të kemi disa ndryshime, por jo në përmasa të mëdha. VV do të arrijë të futet në pushtet lokal më shumë se deri tash. Megjithatë, VV nuk ka pozita të forta në komunat ku kanë partitë tradicionale bastionet e tyre partiake”, theksoi njohësi i çështjeve kushtetuese.

Në vazhdim, profesori potencoi se pavarësisht disa ndryshimeve, qytetarët nuk do t’i votojnë programet politike, por do t’i votojnë qendrat e partisë.

“Edhe tash votat për pushtet lokal do të varen nga qendra e partisë, nuk kemi ende gjendje ku programi është bazë e dhënies së votës. Pritet që të kemi një gjendje shumë të paparë në disa komuna, kjo kryesisht sipas partisë dhe anëve ku kandidohet. Në këto anë nuk ka rëndësi programi por partia. Kështu është me VV, LDK, PDK dhe me AAK të gjitha këto parti i kanë anët e veta dhe shumë pak luan rol kandidati apo programi politik”, nënvizoi Kelmendi.

Në fund, ai tha se vetëm me ngritjen e vetëdijes qytetare do të arrihet të eliminohen bastionet dhe të votohen programet politike.

Mirëpo, profesori deklaroi se do të duhet shumë kohë që të ndryshohet vetëdija politike dhe zgjedhore.

“Nevojitet edhe shumë kohë që të vijmë në një gjendje ku programi dhe kandidati janë bazë e dhënies së votave. E kjo arrihet me ngritjen e vetëdijes së zgjedhjeve, vetëdija nuk mund të arrihet shpejt. Dy decenie janë shumë pak për ngritje të vetëdijes politike dhe zgjedhore. Kjo shihet nga krahinat ku votohet dhe nga kandidati e partia që vjen e ku është kryetari i saj. Këto dobësi nuk do të tejkalohet as me 17 tetor në zgjedhje. Duhet edhe shumë kohë që programi të jetë bazë e votës”, përfundoi Muhamet Kelmendi.

Krasniqi: Bastionet janë drejt zhdukjes

Image
Islam Krasniqi

Kurse, njohësi i çështjeve politike, Islam Krasniqi në një prononcim për gazetën “Bota sot”, tha se Drenica dhe Deçani janë dy bastionet e vetme që kanë mbetur.

“Tani si bastione të partive politike kanë mbetur Deçani dhe Drenica, ku bastionet tjera kanë rënë si pasojë e atyre që menduan se pushtetin e kanë përgjithmonë”, deklaroi ai.

Krasniqi u shpreh tani është koha kur do të zhduken bastionet partiake, pasi qytetarët janë vetëdijesuar dhe po ndëshkojnë me votë përfaqësuesit e tyre.

“Tani koha është duke ecur për së mbari ku bastionet janë drejt zhdukjes, pasi që është rritur vetëdijesimi i qytetarëve dhe po i ndëshkojnë ata që po fshihen prapa gënjeshtrës”, nënvizoi analisti

Mirëpo, ai potencoi se ka ende qytetarë që votojnë me egot e tyre dhe nuk vlerësojnë programet politike.

“Edhe në këto zgjedhje ka qytetarë që akoma nuk din ti vlerësojnë programet, por votojnë me egon e tyre duke shprehur një luftë politike, për ta ruajtur partinë që zero investime bëri për ata qytetarë që votuan të verbuar”, përmbylli Islam Krasniqi.

Ahmeti: Shembja e bastioneve është mundësia më e mirë për reflektim të partive politike

Image
Hidajet Ahmeti

Ndërsa, analisti tjetër politik, Hidajet Ahmeti u shpreh se fatkeqësisht në Kosova ka ende qytetarë që nuk votojnë në bazë të programit apo cilësisë së kandidatit për kryetar.

“Mendoj se akoma nuk kemi një vetëdijesim të lartë qytetare, që të gjykojnë në bazë të programit, cilësisë së kandidatit dhe së listës së kandidatëve për asamble komunale”, tha ai.

Megjithatë, Ahmeti deklaroi se duke u bazuar në zgjedhjet parlamentare, po shihet se ka filluar shembja e bastioneve politike dhe qytetarët nuk po ju besojnë verbërisht politikanëve.

“Një shkëputje e tillë po ndodhë në mënyrë graduale, e cila duhet vlerësuar maksimalisht. Ka shumë komuna ku zgjedhjet nacionale e kanë dëshmuar se bastionet e partive politike janë shembur dhe nuk mund të besohet në mënyrë të verbër në këtë gjë”, theksoi analisti.

Në fund, ai tha se vetëdijesimi i qytetarëve do t’i shemb bastionet dhe partitë politike do të reflektojnë dhe ofrojnë alternative edhe më të mira për zgjidhjen e problemeve

“Gjykimi racional i votuesit do ta ngritë standardin e ofrimit të cilësisë nga partitë politike, e jo ato të ndihen komod pa ofruar alternativë për politikat publike. Shembja e bastioneve është mundësia më e mirë për reflektim të partive politike, duke ofruar alternativa më të mira për zgjidhjen e problemeve, ngritjen e cilësisë së shërbimeve, llogaridhënien, transparencën etj”, përfundoi Hidajet Ahmeti, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat