“Serbia në siklet të madh, ky është paralajmërimi i Kurtit që e ka bërë nervoz Vuçiqin”

Politika

“Serbia në siklet të madh, ky është paralajmërimi i Kurtit që e ka bërë nervoz Vuçiqin”

Nga: P.R Më: 3 gusht 2021 Në ora: 19:56
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq

Sa ishte në opozitë, Albin Kurti, kishte deklaruar se është i vendosur që reciprocitetin me Serbinë do ta kthej menjëherë pas ardhjes së tij në krye të Qeverisë.

“Është çështje ditësh ose javësh, kurrsesi muajsh. Nuk e di tash se cila do të jetë sekuenca por është ndër gjërat e para që do të bëjë”, kishte deklaruar Kurti para zgjedhjeve të 14 shkurtit.

E kur kanë kaluar mbi 100 ditë që nga zgjedhja e tij si kryeministër për herë të dytë, një gjë e tillë nuk ka ndodhur.

Por, gjatë ditës së djeshme kryeministri Kurti ka deklaruar se ai ende nuk ka hequr dorë nga vendosja e reciprocitetit me Serbinë, një nga premtimet kryesore të tij para se të mbaheshin zgjedhjet, por se një gjë e tillë duhet trajtuar me kujdes, pasi nuk duan të dështojnë.

‘’Sa i përket reciprocitetit, qysh në vitin 2011 e kemi miratuar rezolutën e plotë për reciprocitet politik, ekonomik, tregtar me Serbinë. Këtë princip e kam paraqitur edhe në takimet që i kam pasur Bruksel. Besnik Bislimi ka përgatitur një dokument në mënyrë të thuktë, 11 shkeljet që ia bën Serbia Kosovës në raportin tonë të ndërsjellë dhe këtë gjë ia kemi treguar faktorëve ndërkombëtar dhe po japim kohë, që nga reciprociteti ta zbatojmë. Në 100 ditët e para kemi pasur drejtor të ri të doganave, dhe duhet të përgatitemi maksimalisht që të mos dështojmë më. Nëse ne nuk arrijmë ta zbatojmë plotësisht reciprocitetin, atëherë ai koncept vdes. Jemi të interesuar për zbatim të plotë dhe të saktë të tij. Reciprocitetin s’e kemi për hakmarrje, është një parim i shëndosh midis dy shteteve të cilat do barazohen. Reciprocitetin s’e kemi për të shtuar barriera, por për t’i hequr. Duam ta bëjmë në mënyrë që nuk zhbëhet më. Herën e kaluar e bëmë, gjithçka po shkonte mirë dhe më pas kur u hoq, na u kthye më keq. Do ta bëjmë atëherë kur jemi të përgatitur shpejt’’, deklaroi kryeministri Albin Kurti.

Image
Faton Mehmeti

E në mbështetje për vendosjen e reciprocitetit me Serbinë, Kurtit i ka dal analisti politik, Faton Mehmeti, i cili thotë se kjo është rruga e duhur që qeveria duhet ta ndjek në raport me Serbinë.

“Mendoj se reciprociteti është rruga e duhur që duhet të ndërmerr qeveria e Kosovës, e cila duket se ka vendosur që të arrij në këtë drejtim dhe të jetë e vendosur për një gjë të tillë. E vlerësoj të guximshëm dhe të duhur këtë paralajmërim të kryeminatorit Kurti, i cili duket se ka bërë nervoz Serbinë dhe Vuçiqin, e cila po ndjehet në siklet të madh”, thotë Mehmeti për gazetën “Bota sot”.

Sipas tij, Serbia nuk ka respektuar asnjë nga marrëveshjet që ka nënshkruar me Kosovën.

“Natyrisht se Serbia meriton këtë vendim të Kosovës, pasi s’ka respektuar asnjë nga premtimet që ka dhënë karshi Kosovës. E vlerësoj të duhur këtë paralajmërim të Kurtit, dhe si vendim akoma edhe më të qëlluar për kohën, momentin dhe kundër kujt”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat