“Provokim i pastër për Kosovën”/ Frymëzoi tigrat e Arkanit në masakra, ja pse u ftua Bregoviç në Shqipëri

Politika

“Provokim i pastër për Kosovën”/ Frymëzoi tigrat e Arkanit në masakra, ja pse u ftua Bregoviç në Shqipëri

Nga: P.R Më: 4 gusht 2021 Në ora: 20:03
Goran Bregoviç ftohet për koncert në qytetin e Korçës

Edhe pse ishte cilësuar si frymëzim i ushtrisë serbe për masakrat në Kosovë, me këngën e tij “Kallashnikov”, kjo nuk i ka ndaluar në Bashkinë e Korçës që këngëtari serb Goran Bregoviç të ftohet për koncert në këtë qytet.

Madje organizatorët të cilët kanë lajmëruar për ardhjen e tij, po e cilësojnë ‘kulmin e atmosferës’ natën kur do të këndojë Bregoviç, kurse në Kosovë është kundërshtuar ashpër pjesëmarrja e këngëtarit nacionalist serb.

E kjo nuk është hera e parë që Bregoviç shfaqet para publikut shqiptar. Madje kryeministri aktual, Edi Rama, gjatë kohës sa kishte qenë kryetar i Bashkisë së Tiranës, në vitin 2014, Goran Bregoviçin e kishte shpërblyer me “Çelësin e Tiranës”.

E kundër ftesës së Goran Bregoviçit në Shqipëri, ka dal edhe analisti dhe publicisti Rexhep Shahu.

Shahu për gazetën “Bota sot” deklaron se kjo është një provokim i hapur për Kosovën.

“Ftesa që i është bërë këngëtarit serb Bergoviq të këndojë në Korçë në festën e birrës Korça dhe të jetë nata e koncertit të tij si kulmi i eventit, mendoj se është një provokim i pastër politik i atyre që e shohin Ballkanin të hapur, që sfidojnë Kosovën dhe që duan vëllazëri me serbët pa llogaritur se plagët e Kosovës kullojnë ende gjak nga dhuna e serbëve të frymëzuar nga këngët e Bergoviqit”, thotë Shahu.

Image
Rexhep Shahu

Sipas tij, ftesa për Bergoviqin shkon në linjën e dashurisë Rama –Vuçiq.

“Ata që e duan dhe e ftojnë Bergoviqin janë në dijeni se atë këngëtar e adhuron Edi Rama sepse Rama ia ka dhënë atij Çelësin e Tiranës kur ishte kryebashkiak i Tiranës. Natyrisht ftesa për Bergoviqin shkon në linjën e dashurisë Rama - Vuçiq dhe është një shembull i qartë dhe konkretizim i flirteve politike mes Tiranës zyrtare e Beogradit zyrtar duke shpërfille Kosovën viktimën e dhunës kriminale serbe”, thekson Shahu për “Bota sot”.

Më tej, Shahu shprehet se po bëhet politikë me ftesën Bergoviqit, kur dihet se pikërisht Bergoviq ka qenë frymëzim për ushtarët apo tigrat e Arkanit kundër shqiptarëve në Kosovë.

“Organizatorët e koncertit të Bergoviqit bëjnë politikë me këtë ftesë ndaj tij pasi po të ishte se duhej ftuar një këngëtar që mermerisin në buzë njerëzit atje, nuk janë këngët e Bergoviqit që mermerijne në buzët e tyre korçarët. Po të pyeteshin korçarët mund të ftohej ndonjë grek i madh, ndonjë italian, dhe vetëm në fund fare për të mos dështuar tallavaja e birrës Korça mund të ftohej ndonjë këngëtar serb dhe i fundit ndër të të fundit mund të jetë Bergoviq. Po ta dije publiku i Korçës se Bergoviq para se këngëtar është militant që ka frymëzuar ushtarët apo tigrat e Arkanit kundër shqiptarëve në Kosovë. Kënga e tij Kallashnikov ishte himn i ushtarëve serbe me thirrjet patetike në këngë Qëllo, apo Krisja”, deklaron Shahu.

“Ardhja e Bergoviqit në Korçë nuk do ta bëjë serbe Korçën shqiptare, por në biografinë politike e atdhetare do të shënohet një minus për Korçën e cila ka qenë në ballë të shqiptarizmes me pushkë e pene. Duhet të gjenden në Korçë ata shqiptarë që ka vrarë Dushan Mugosha dhe ti nxirren para Bergoviqit, të gjendet ai shqiptari që ia gërryente me bajonete e thupër pushke palcën e këmbës e në fund i fuste plumb kokës Dushan Mugosha dhe ti nxirret para këngëtarit serb që frymëzonte krimet serbe në Kosovë”, shton analisti Shahu.

Për fund, Shahu përfundon se shqiptarët e vrarë nga serbët të cilët u frymëzuan nga Bergoviq do të rrotullohen në varre, kur Bergoviq do të këndojë në tokën shqiptare.

“Birra Korça do të shtojë prodhimin përmes këngëve të Bergoviqit, ndoshta do të gjejë treg në Serbi, do të bëhet birra e parë në Evropë, por shqiptarët e vdekur në vitet 1998-1999 nga dhuna serbe e frymëzuar prej këtij këngëtari serb, do të rrotullohen në varre. Shqiptarët e vrarë nga serbët që frymëzonte Bergoviq nuk do të ishin dakord me këtë ftesë të birrës Korça”, përfundon për gazetën “Bota sot”, analisti dhe publicisti nga Shqipëria, Rexhep Shahu.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat