Analisti: Mustafa po kërkon nga Kurti që t`ia shlyejë gabimin trashanik të para 6 viteve

Politika

Analisti: Mustafa po kërkon nga Kurti që t`ia shlyejë gabimin trashanik të para 6 viteve

Nga: A.Z Më: 26 gusht 2021 Në ora: 17:47
Albin Kurti dhe Isa Mustafa

E pranoi themelimin e Asociacionit në vitin 2015. Bile, Isa Mustafa, e nënshkroi vetë më 25 gusht në cilësinë e kryeministrit të Kosovës marrëveshjen që nënkuptonte zbatimin e kësaj pike dhe tri të tjerave që u arritën atë kohë në Bruksel.

Por, tash fiks 6 vjet prapa, ish-krye-qeveritari po thotë se Asociacioni është më mirë të mos bëhet.

“Nëse gjendet rrugë ligjore dhe kushtetuese për ta evituar si obligim ndërkombëtar, të cilin e ka marrë Kosova me Ligj, më mirë do të ishte të mos themelohej”, theksoi Mustafa.

Lidhur me këtë, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Mustafa pa fije turpi thotë që të mos themelohet ky asociacion i nënshkruar nga ai.

Sipas Mehazit, qëllimi i Mustafës është që këtë gabim të tij, pas gjashtë viteve ta korrigjojë Kurti, vetëm për ta evituar këtë obligim të nënshkruar nga ai.

“Më në fund ish-kryeministri i Kosovës, Isa Mustafa, e pranoi se është vetë ai që ka nënshkruar marrëveshjen për Asociacionet serbe në Bruksel, më 25 gusht të vitit 2015. Më e keqja, se, Isa Mustafa pas gjashtë viteve pa fije turpi e përgjegjësie thotë se do të ishte mirë që ky asociacion serbe nënshkruar nga ai të mos themelohet në favor të serbëve të Kosovës. Ironia më e madhe e Isa Mustafës është që gabimin trashanik të tij për asociacionet serbe kërkon ta flakë pas gjashtë viteve kryeministri Albin Kurti, pra tradhtinë që ka bërë Isa Mustafa para gjashtë viteve si kryeministër i Kosovës ta korrigjojë Albin Kurti, me disa rrugë ligjore kushtetuese, për ta evituar këtë obligim të rëndë ndërkombëtarë të nënshkruar nga vetë ai. Po t'ia bëjmë një pyetje ish-kryeministrit të Kosovës, Isa Mustafës, se kush e detyroi të nënshkruajë në Bruksel më 2015 për statutin politik të asociacioneve serbe në Kosovë?, pse u pajtua dhe nënshkroi në dobi të serbëve e në dëm të Kosovës”, theksoi ai.

Tutje, ai ka shtuar edhe pyetjet që do ia bënte Mustafës, ndër të tjerash, ai thotë se kush është fajtor për nënshkrimin e tij, Mustafa apo LDK?. Kështu sipas Mehazit, qëllimi i Serbisë ka qenë që Mustafa të bëhet kryeministër, për të krijuar asociacionin serb si dhe për ta devijuar LDK-në.

“Për nënshkrimin e tij pro asociacioneve serbe në Kosovë kush është fajtor, Isa Mustafa dhe LDK-ja e tij?, Hashim Thaçi dhe PDK-ja e tij, apo kryeministri i tanishëm i Kosovës Albin Kurti dhe LVV-ja e tij? Përgjigjet e pyetjeve të lart përmendura dalin se koalicioni LDK e Prontot kanë qenë të porositur nga Serbia që Isa Mustafa të bëhet kryeministër për të çuar mullirin politik drejt asociacioneve serbe e kurrgjë më shumë. Se qëllimi i Serbisë ka qenë që ish-koministi Isa Mustafa të bëhet kryeministër i Kosovës jo vetëm për të krijuar asociacionet serbe, por edhe për të devijuar rrugëtimin politikë të LDK-së së Rugovës në dëm të Republikës së Kosovës”, shtoi ai.

Më tej deklaroi se vetë Mustafa, deklaroi se fajtor për asociacionet serbe është vetë ai së bashku me Thaçin dhe Haradinajn.

“ E në dobi të Serbisë Shkurt e qartë, vetë Isa Mustafa deklaroi se fajtor për asociacionet serbe nuk është kryeministri Albin Kurti, por vetë Isa Mustafa së bashku me Hashim Thaçin e Ramush Haradinanj, të cilët kanë qeverisur Kosovën, gjatë 2015 e kanë themeluar politikisht e juridikisht asociacionet serbe në Bruksel. Pra peshqeshi politik i asociacioneve serbe erdhi nga vetë, Isa Mustafa, e tani pas gjashtë viteve Isa Mustafa peshqeshin serb nga dora e tij, kërkon ta shlyejë Albin Kurti nënshkrimin e tij. Isa Mustafa dëshmon vetë se ka tradhtuar Kosovën me dorën e vetë”, përfundoi Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat