Serbët nuk i ndalin provokimet, si duhet të veprojë Kosova – kjo është thirrja për bashkësinë ndërkombëtare

Politika

Serbët nuk i ndalin provokimet, si duhet të veprojë Kosova – kjo është thirrja për bashkësinë ndërkombëtare

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 6 shtator 2021 Në ora: 20:48
Protesta në Mal të Zi

Në situatë e tensionuar, në Cetinje të Malit të Zi ka ndodhur kur është mbajtur ceremonia e shugurimit të Kreut të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi, Joanikije.

Patriarku i Kishës Ortodokse Serbe, Porfirije, shkroi në rrjetin social Instagram se ka bërë shugurimin e Joanikijes duke u lutur për paqen e të gjithëve, paqen e të gjithë botës dhe mbi të gjitha për paqen e këtij qyteti.

Një gjë të tillë e kanë kundërshtuar protestuesit malazez më 4 dhe 5 shtator, madje u raportuan edhe të plagosur.

Ajo çfarë lidhet me Kosovën nga ky shugurim është se gjatë ceremonisë priftërinjtë serbë kënduan një këngë me vargjet “kur ushtria kthehet në Kosovë”.

Njohësit e sigurisë në vend thonë që tani e tërë bota njohu politikat e Serbisë dhe sipas tyre ajo duhet trajtuar me sanksione dhe kufizime në ushtri dhe ekonomi deri në ndërrimin e diskursit të saj politik.

Shala: Kosova duhet të lidh marrëveshje me shtetet anëtare të NATO-s

Image
Eksperti i sigurisë, Drizan Shala

Eksperti i sigurisë, Drizan Shala, në një përgjigje për “Bota sot”, ka thënë se politika serbe nuk ka ndryshuar.

Sipas tij, bashkësia ndërkombëtare duhet të orientohet nga ajo, edhe pse Serbia ka qëllim aneksimin e Republikës Srbska në Bosnjë dhe tentimin e aneksimit të Kosovës.

“Politika nacionale e Serbisë që nga vitet e ‘90 e tutje nuk ka ndryshuar sa i përket qëllimit të saj për krijimin e botës serbe "Serbi të madhe", por intensiteti i saj ka variuar herë pas here bazuar në rrethanat e hapësirës së lejuar nga BE-ja. Pra siç pritet si koeçidencë nga sot "neutraliteti" i lobimit nga marrëveshja e Uashington D.C që ua pamundëson lobimin/ç'njohjen palëve, Serbia sot bëri atë që për institucionet e vendit të niveli politik por edhe të sigurisë një mesazh që orientimi apo ma mirë të themi disorientimi i politikës nacionale i Serbisë do mbetet që të hapen fronte në Mal të Zi dhe Maqedoninë e Veriut ku bashkësia ndërkombëtare do orienton vëmendjen ndërsa në anën tjetër Beogradi ka qëllim primar marrjen e republikës Srpska në BiH dhe tentimin e aneksimit të Kosovës aq sa do t’i jepet hapësirë nga politika ndërkombëtare dhe që duhet të jemi vigjilent përgjatë vitit 2022 e tutje”, ka thënë ai.

Shala thotë se Kosova duhet të ngritë nivelin e operimit brenda institucioneve të sigurisë.

“Kosova duhet që të ngritë nivelin e operimit brenda institucioneve të sigurisë dhe mos të fshihet mbrapa deklarimeve boshe politike që mos të vihen që t’i gjejë mekanizimi i sigurisë dhe diplomacisë kosovare në gjumë apo para aktit të kryer”, është shprehur ai.

Sipas tij, Kosova duhet edhe të lidh marrëveshje me shtetet anëtare të NATO-s, në rast të ndonjë cenimi të sigurisë.

“Qeveria (Ministria e Mbrojtjes) të fillojë që të lidh marrëveshje ushtarake me shtetet anëtare të NATO-s (Amerikën, Shqipërinë, Kroacinë, Turqinë etj) që në rast të cenimit të sigurisë nacionale të kenë hapësirë këto shtete të veprojnë jashtë orbitave të politikës së NATO-s dhe brenda marrëveshjes bilaterale të Kosovës me këto shtete si mbrojtje të sigurisë”, ka deklaruar Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.

Halimi: Serbia duhet trajtuar me sanksione në ushtri dhe ekonomi

Image
Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS)

Ndërsa, Armend Halimi nga Instituti për Studime të Sigurisë (ISS), për “Bota sot” ka thënë se këto thirrje nuk janë risi.

Ai shton se Serbia me këtë qasje më shumë minon integrimin dhe zhvillimin e saj, sesa që paraqet rrezik real për Kosovën.

“Këto thirrje nuk janë risi. Janë një tregues për një mendësi të njëjtë, regresive serbe, e cila nuk është shëruar nga apetitet shoviniste dhe okupuese. Ndryshe përderisa vazhdon me këtë qasje politike, Serbia më tepër do ta minojë integrimin dhe zhvillimin e saj, sesa që paraqet rrezik real për Kosovën”, ka vlerësuar ai.

Sipas Halimit, bashkësia ndërkombëtare ka lënë në gjumë disiplinimin e Serbisë sepse ajo është dashur të futet nën protektariat ndërkombëtar deri në vendosjen e një regjimi të ri politik me qasje demokratike dhe liberale.

“Ndërsa Serbia vazhdon të jetë po ajo e shekullit të kaluar, ngase bashkësia ndërkombëtare e ka lënë në gjysmë disiplinimin e saj në vitin ‘99, e që është dashur të futet nën protektariat ndërkombëtar deri në vendosjen e një regjimi të ri politik me qasje demokratike dhe liberale në frymën e bashkëpunimit rajonal, e që e kundërta ka bërë që ajo të vazhdoj të jetë po siç ka qenë në kohën kur ka ushtruar agresion ndaj vendeve të rajonit. Prandaj, Serbia do duhej trajtuar nga bashkësia ndërkombëtare sikurse Gjermania e pasluftës së dytë botërore, me sanksione dhe kufizime në ushtri dhe ekonomi deri në ndërrimin e diskursit të saj politik”, ka potencuar Armend Halimi për gazetën “Bota sot”.

Tërnava: Këngët nacionaliste serbe, qëllim për tu rikthyer në Kosovë, por është e parealizueshme

Image
Njohësi i fushës së sigurisë, Hajrullah Tërnava

Edhe njohësi i fushës së sigurisë, Hajrullah Tërnava, thotë që me këtë rast që ndodhi në Malin e Zi, bota i kuptoi politikat e Serbisë.

“Në ceremoninë e shugurimit të Mitropolit të Kishës Ortodokse Serbe në Mal të Zi me politikat ortodokse sot i përngjante talibanizmit afgan, ku në prani të Mitropolit Joanikije dhe priftërinjtë tjerë kënduan një këngë, në tekstin e së cilës thuhej edhe “kur ushtria kthehet në Kosovë”. Prandaj e tërë bota duhet t’i njeh politikat e serbëve, që deri dje ishin së bashku me Malin e Zi dhe tani kur Mali i Zi i kuptoi mirë politikat serbe dhe e gjeti rastin në mënyrë të volitshme-mençur pa ndonjë konflikt apo luftë të shkëputet nga shteti serb, gjë që malazezët e bënë këtë dhe në një afat shumë të shpejt u anëtarësuan edhe në NATO dhe me këtë e dëshmuan se nuk i takojnë politikave serbo-ruse, prandaj tani me këtë qeveri të përzier që është pro-serbe po tentohet që të këtë ndikim të plot Serbia ndaj Malit të Zi dhe ta mbajë këtë shtet nën kontroll, gjë që për këto ndodhi pati reagime të ashpra edhe nga OKB dhe BE”, është shprehur Tërnava.

Sipas tij, këngët nacionaliste që i këndojnë janë për qëllimet e tyre për t’u rikthyer në Kosovë, por për Serbinë do të mbeten vetëm dëshira të parealizueshme.

“Lidhur me këto ndodhi dhe aktivitete politike fetare që po zhvillohen tani në Mal të Zi, që edhe përmes politikave fetare ortodokse tani i kanë mosmarrëveshjet e tyre gjë që për këtë po shqetësohet edhe bota, e sa për këngët nacionaliste që i këndojnë për qëllimet e tyre për t’u rikthyer në Kosovë, për Serbinë do të mbeten vetëm dëshira të parealizueshme dhe në të kundërtën serbët kanë dyshime edhe për të ardhmen e tyre, se mirë e dinë ata sa borxhe i kanë Kosovës me ato territore të okupuara që nga vitet 1878 e këndej, prej Beogradit e deri të Merdari i sotshëm ku kufizohet Kosova në këta kufij. Shtetet e Bashkuara, Bashkimi Evropian dhe NATO duhet të njohin ideologjinë e “Botës serbe” si anti-demokratike dhe ta kundërshtojnë me vendosmëri, dhe të shkëputen nga ai rrugëtim që edhe Edi Rama me Zaevin qe iu kanë bashkangjitur Vuçiqit kinse për „Ballkanin e Hapur“ sepse Vuçiqi dhe politikat tjera haptas po e përsërisin se serbët duhen të jenë të bashkuar në „botën serbe“ dhe nëse bota në këtë rast miqtë e Kosovës sikur Amerika me shtetet e BE, që do të udhëheqin politika të përpikta të mos ndryshimeve të kufijve, besohet se edhe Vuçiq duhet të jetë i gatshëm të heq dorë nga pushtimi i territoreve të Kosovës dhe Bosnje-Hercegovinës dhe të arrihet njohja e ndërsjellë mes Serbisë dhe Kosovës dhe të fillojë paqja edhe në këto territore më në fund”, ka deklaruar Hajrullah Tërnava për gazetën "Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat