Thirrje për Qeverinë, kjo është rruga që do të sjell njohje të reja për Kosovën

Politika

Thirrje për Qeverinë, kjo është rruga që do të sjell njohje të reja për Kosovën

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 9 shtator 2021 Në ora: 08:14
Qeveria e Kosovës

Më 1 shtator të vitit 2020, me ndërmjetësimin e presidentit të asaj kohe, Donald Trump, në Shtëpinë e Bardhë u nënshkrua marrëveshja në mes të Kosovës dhe Serbisë.

Kjo marrëveshje u nënshkrua nga kryeministri i asaj kohe, Avdullah Hoti dhe presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

Sipas kësaj marrëveshje, Kosova nuk do të lobonte për njohje të reja për 1 vit dhe për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, ndërsa Serbia do të ndalte fushatën kundër njohjeve të Kosovës.

Mirëpo, pavarësisht kësaj marrëveshje, e njëjta nuk u respektua nga Serbia, pasi në vazhdimësi ajo ka provokuar dhe ka shkelur marrëveshjen.

Pas nënshkrimit të kësaj marrëveshje reagimet qenë të mëdha duke mos e parë të favorshme për Kosovën, por e njëjta vazhdoi të respektohej pavarësisht kritikave.

Tashmë nga marrëveshja është bërë 1 vit dhe Kosova mund të vazhdojë lobimin e saj në organizatat ndërkombëtare.

Gjatë kësaj periudhe Kosova fitoi njohjen e Izraelit, e siguruar nga SHBA, kur u bë dhe nënshkrimi i marrëveshjes në Shtëpinë e Bardhë.

Krasniqi: Qeveria Kurti të fillojë lobimin në arenën ndërkombëtare

Në lidhje me këtë temë, “Bota sot” ka kontaktuar me deputeten e LDK-së, Rrezarta Krasniqi,e cila njëkohësisht është kryetare e komisonit për Integrime Evropiane. 

Ajo u shpreh se kjo marrëveshje tashmë ka bërë një vit dhe qeveria Kurti duhet të fillojë lobimin të arenën ndërkombëtare dhe të sigurojë njohje të reja.

“Marrëveshja të cilës po i referoheni nuk ka paraparë moratorium për njohje të reja. Njohja nga Izraeli e dëshmon këtë. Marrëveshja ka paraparë moratorium njëvjeçar vetëm për aplikim për anëtarësim në organizata ndërkombëtare, i cili moratorium ka përfunduar tashmë. Tani, meqë kemi situatë tjetër kjo qeveri duhet të shfrytëzojë çdo mundësi për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare dhe të sigurojë njohje të reja, sepse vetëm kështu faktorizohet vendi ynë”, u shpreh ajo.

Image
Deputetja e LDK-së, Rrezarta Krasniqi

 

Më tej, ajo shton se qeveria nuk ka plan konkret për anëtarësim në organizatat ndërkombëtare dhe se njëjta duhet të ketë në mënyrë që të “mposhtë” shtetin fqinj që po lobon kundër shtetit tonë.

Por ne ende nuk kemi parë asnjë plan konkret nga kjo qeveri për anëtarësimin e vendit në organizata ndërkombëtare, çka konsideroj se po i shkaktojnë dëm vendit, në mungesë të një plani konkret lobues, derisa në anën tjetër shohim shtetin fqinj se nuk ndalë lobin kundër shtetit tonë”, ka deklaruar deputetja Krasniqi për “Bota sot”.

“Të ndryshohet strategjia e lobimit nga qeveria Kurti”

Ndërsa, analisti politik, Islam Krasniqi, në një bashkëbisedim me “Bota sot”, tha se dialogu Kosovë-Serbi ka bllokuar njohjet e reja duke u fokusuar të gjithë në procesin e bisedimeve.

Ai thotë se duhet të ndjekim këshillat e vendeve mike, në mënyrë që njohjet e reja të vinë më shpejt.

Image
Analsiti Islam Krasniqi

 

“Republika e Kosovës me procesin e dialogut ka bllokuar njohjet e reja duke u varur e gjithçka nga procesi i dialogut e që qeveria e re me ndërrimin e qasjes në dialog mund të ketë edhe lëvizje rreth njohjeve të reja, mirëpo që ne duhet të punojmë në këtë drejtim, po ashtu duke i kryer edhe punët tona të shtëpisë për ato që po kritikohemi nga Bashkësia Ndërkombëtare. Ne duhet gjithmonë me vendet mike ta ndjekim këtë rrugë duke kërkuar këshilla apo mbështetje në këtë proces që ato të shtrijnë ndikimin aty ku kanë mundësi, duke e ndarë nga procesi i dialogut pasi që këto dy procese s’kanë asgjë të përbashkët”, theksoi ai.

Nga ana tjetër, analisti thotë se nuk duhet të bëjmë gabimet e njëjta si më herët dhe për këtë arsye duhet të ndryshohet strategjia e lobimit.

“Ne kemi shpenzuar miliona euro duke lobuar lidhur me njohje të reja por fushata ka qenë e errët me mini rezultate, andaj që të mos bëjmë gabimet e njëjta duhet të ndryshohet strategjia dhe lobimi, por fillimisht duhet të përfundojë procesi i diplomacisë së Kosovës, duke u bërë një lloj Vettingu, duke i kthyer ata që u sistemuan pa kurrfarë kriteresh, pasi që edhe kontributi i tyre ka qenë shumë i vogël”, ka përfunduar Islam Krasniqi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat