“Haradinajt i doli në pah ‘fytyra e vërtetë’”/ Vjen një thirrje për Gjykatën Speciale

Politika

“Haradinajt i doli në pah ‘fytyra e vërtetë’”/ Vjen një thirrje për Gjykatën Speciale

Arife Morina Nga Arife Morina Më 9 shtator 2021 Në ora: 19:53
Ramush Haradinaj

Që nga paslufta, vendi ka qenë cak i vjedhjeve, korrupsioneve, keqpërdorimeve të shumta nga udhëheqësit e saj.

Pothuajse çdo muaj kanë filluar të zbulohen skandale të shumta të ish-qeverive të kaluara.

Së fundi, ministri i Financave, Hekuran Murati nga Qeveria Kurti, ka zbuluar keqpërdorimin e 43 milionë eurove në shpronësimin e iniciuar për autostradën “Prishtinë-Pejë”.

Duke nxjerrë krahasimin e vlerës totale të parcelave që shkon diku 6.2 milionë euro me atë të vlerësimit të tyre prej 43 milionë euro, Murati tha se kjo lëndë është dosje për prokurorinë e shtetit.

E kjo zbardhje e keqpërdorimit të miliona eurove, nuk i ka pëlqyer ish-kryeministrit Ramush Haradinaj, i cili ka kërkuar dorëheqjen e kryeministrit Albin Kurti.

“Albin, përderisa i ke angazhuar hajnat e vegjël të dalin nëpër televizione, unë ende nuk mora përgjigje nga ju për shumë pyetje që i kam bërë vazhdimisht”, shkroi Haradinaj në Facebook.

Mirëpo, analistët politikë e kanë vlerësuar këtë denoncim të ministrit Murati, duke kërkuar që këtë çështje ta dërgojnë edhe në instancat më të larta shtetërore.

Ata në prononcimet për gazetën “Bota sot”, kërkuan nga Qeveria Kurti ta luftojë ashpër hajninë e politikanëve ndaj Kosovës.

Mehazi: Skandal i vjedhjes totale të qeverisë, Ramush Haradinajt ia nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të patriotizmit të tij

E lidhur me këto zbulime të skandaleve të Qeverisë Haradjinaj, ka folur në një prononcim për gazetën “Bota sot”, njohësi i çështjeve politike, Sulejman Mehazi.

Image
Sulejman Mehazi

Ai u shpreh se argumente të shumta e kanë dëshmuar se udhëheqësit e subjekteve kur nuk kanë poste politike paraqiten si patriotë të flaktë, dhe në momentin që marrin poste kthehen në plaçkitës shtetëror.

“Argumentet shtetërore kanë dëshmuar, se, udhëheqësit e partive politike shqiptare derisa nuk janë në krye të pushtetit mbahen patriotë të flaktë, dashamirë të kombit e shtetit, mirëpo sapo marrin postet e larta shtetërore harrojnë patriotizmin dhe dashurinë ndaj shtetit e kthehen në plaçkitës shtetëror. Në përgjithësi jo vetëm te shqiptarët, por edhe te popujt tjerë të Ballkanit patriotizmi shprehet te politikanët e varfër derisa nuk i kanë bërë 100,000 euro, sapo mbërrijnë këtë shumë të parave harrojnë votuesit, qytetarët e shtetin e vrapojnë për t'u pasuruar duke thithur, vjedhur e plaçkitur sa më shumë buxhetin e Kosovës”, deklaroi ai.

Profesori tha se ky fenomen i shëmtuar grabitqar shtetëror ka ndodhur me Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Xhavit Halilin, Fatmir Limajn, ku qëllimi i vetëm i tyre ishte paraja dhe jo zhvillimi i Kosovës.

“Për çudi, ky fenomen i shëmtuar grabitqar shtetëror po ndodh me luftëtarët e lirisë së Kosovës, Ramush Haradinajn, Hashim Thaçin, Kadri Veselin, Xhavit Halilin, Fatmir Limajn, se vlera dhe qëllimi qeverisës i këtyre komandantëve politikë ka qenë jo Kosova, po paraja e pasuria e tyre. Është e vërtetë se ky fenomen i plaçkitjes shtetërore nuk është vetëm në Kosovë, por të gjitha qeveritë e shteteve të Ballkanit Perëndimor janë të korruptuar dhe me shumë skandale qeverisëse, kështu ndodhi me, Nikolla Gruevskin dhe Mihajllkovin në RMV, me miliarderët e Shqipërisë, Edi Ramën, Ilir Metën e Sali Berishën”, theksoi Mehazi.

Në vazhdim, ai potencoi se fakti se sa të pamëshirshëm janë këta “thithës të pushtetit” e tregoi ministri i Financave, Hekuran Murati me zbardhjen e skandalit të 43 milionë eurove dhe shitjes së pronave shtetërore vetëm me 6 euro ari të qeverisjes së Haradinajt.

“Se patriotizmi i këtyre politikanëve është i vlefshëm derisa nuk ju dalin paratë, sapo i shohin paratë harrojnë patriotizmin, qeverinë, shtetin e i kthehen pasurisë marramendëse duke vjedhur, plaçkitur, dobësuar shtetin e qytetarët sa më shumë. Sesa të pamëshirshëm janë këta thithës të pushtetit tregoi Ministri i Financave, Hekuran Murati, i cili zbardhi skandalet e grabitjeve të 43 milionë eurove dhe të shitjes së pronave shtetërore vetëm me 6 euro ari të qeverisjes së Haradinajt. Ky skandal i vjedhjes totale të qeverisë së Ramush Haradinajt nxjerr në pah fytyrën e vërtetë të patriotizmit të tij ndaj Kosovës e qytetarëve të saj”, nënvizoi profesori.

Ndër të tjera, pas këtyre skandaleve, Mehazi kërkoi nga Specialja që ta paraburgos edhe Haradinajn, njësoj si Thaçin.

Po ashtu, i bëri apel Qeverisë Kurti ta luftojë ashpër hajninë e politikanëve ndaj Kosovës.

Nëse Gjykata Speciale e Hagës ka paraburgosur Hashim Thaçin, pse mos të merr përgjegjësi e të mos paraburgoset edhe Ramush Haradinaj për skandalet e tij qeverisëse. Shkurt e qartë, politikanët shqiptarë sa janë të varfër bëhen patriotë, sapo ju jepet mundësia të pasurohen harrojnë patriotizmin, atdheun, qytetarët e shtetin dhe tradhtojnë, kështu ka ndodhur dhe me Haradinajn e shokët e tij të luftës. Për para ia japin Serbisë Kosovën.

Në luftë kundër Serbisë, Haradinaj tregoi trimëri, në pushtet Haradinaj tregoi hajni, kjo nuk shkon. Qeveria e Albin Kurtit si e qysh duhet të luftojë ashpër hajninë e politikanëve ndaj Republikës së Kosovës!”, përfundoi Sulejman Mehazi.

Kelmendi: Nëse gjen prokuroria prova duhet të ngritët aktakuzë

Image
Muhamet Kelmendi

Ndërsa, njohësi i çështjeve juridike, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh skeptik lidhur me keqpërdorimet e 43 milionë eurove të raportuara nga ministri i Financave, Hekuran Murati.

Ai u shpreh se këto deklarata nuk kanë efekte juridike, nëse nuk ngritën aktakuza dhe nuk vërtetohet se Qeveria Haradinaj ka keqpërdor 43 milionë euro.

“Nuk dihet se si dhe sa janë të kundërligjshme veprimet juridike të kryera në Qeverinë Haradinaj apo në qeveritë e mëparshme. Deklaratat mbesin pa efekte juridike, nëse nuk ngritën akuza dhe nuk kemi aktgjykim të formës së prerë”, deklaroi Kelmendi.

Tutje, profesori u shpreh se duhet të pritet verdikti i gjykatave në lidhje me këtë rast, në mënyrë që të jap mendim konkret lidhur me këto keqpërdorime.

“I takon prokurorisë të merret me rastet dhe nëse gjen prova ngritët aktakuza në gjykata. Tërë kohën sa kemi vetëm deklarata, pa akuza, nuk besohet në keqpërdorime. Duhet të pritet verdikti i gjykatave për të dhënë mendime konkrete”, përmbylli Muhamet Kelmendi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat