Pro dhe kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale, në “duart” e kujt është vendimi?

Politika

Pro dhe kundër shtyrjes së zgjedhjeve lokale, në “duart” e kujt është vendimi?

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 10 shtator 2021 Në ora: 08:16
Foto ilustrim

Për shkak të pandemisë me Covid dhe gjendjes së rënduar në Kosovë, me numër të lartë të viktimave dhe po ashtu të të infektuarve, u propozua që fushata për zgjedhjet lokale të shkurtohet.

Pas kësaj, kryetari i Kuvendit të Kosovës, Glauk Konjufca, doli me një propozim që të shtyhen zgjedhjet për shkak të kësaj gjendje.

“Logjika më thotë se zgjedhjet duhet të shtyhen, pasi virusi mund të përhapet më shumë dhe në mes të nëntorit të kemi situatës sikur tash kur e kishim pikun”, theksoi ai.

Por me këtë gjë nuk po pajtohet opozita.

Abdixhiku: Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet

I menjëhershëm ishte reagimi nga lideri i LDK-së, Lumir Abdixhiku, i cili tha partia në pushtet po tenton ta bëjë një gjë të tillë, pasi është e tmerruar prej shifrave nga terreni, ku sipas tij nuk qëndrojnë aspak mirë me përkrahje elektorale.

Image
Lumir Abdixhiku

Sipas tij, askush nuk guxon t’i shtyjë zgjedhjet.

Askush s’guxon t’i shtyjë zgjedhjet. Askush s’guxon ta prekë demokracinë. Numrat zgjedhor nga terreni, që po i shohim e ndjejmë të gjithë, duket se kanë tmerruar pushtetin e paaftë për të qeverisur mirë. Prandaj dhe flirtojnë me idenë e shtyrjes së zgjedhjeve, si masë e fundit dëshpëruese për parandalimin e rrënimit politik që po i pret. Shtyrja e zgjedhjeve është masë e paprecedentë, jodemokratike e ngufatëse ndaj ushtrimit të vullnetit qytetar - mjetit të vetëm të lirë që ky pushtet s’e kontrollon dot”, shkroi ai në Facebook.

Më tej, Abdixhiku tha se propozimi i tij për shkurtim të fushatës nuk ishte miratuar ende nga partia kryesore, derisa shtoi se KQZ është gati për mbajtjen e zgjedhjeve, vetëm duhet të shkurtohet periudha e mbajtjes së fushatës.

Propozimi im për shkurtim fushate, i përkrahur nga të gjithë përfaqësuesit opozitarë, nuk ka marrë ende përgjigje nga kryetari i partisë së parë. Këtë arrogancë edhe e pranoj - po i duket vetja i paprekshëm; por prekjen e fundamentit demokratik, të zgjedhjeve, as nuk e pranojmë, as s’e tolerojmë e as s’e durojmë. KQZ-ja është gati. Gati për organizimin shembullor të ushtrimit të vullnetit qytetar. Zgjedhjet në pandemi, më 14 shkurt e pa asnjë vaksinë, tashmë një herë janë mbajtur; prandaj dhe mund të mbahen sërish. Me masa, me distancë, me mirë organizim. Fushata duhet të shkurtohet e tubimet duhen të zvogëlohen. Por mbi të gjitha Qeveria duhet të punojë në detyrën e vetme që ka, luftimin e pandemisë. Tendenca destabilizuese në vend është luks tani”, ka shkruar lideri i LDK-së në Facebook.

“Nuk vendos as Kurti dhe as Konjufca”

Lidhur me këtë propozim të Konjufcës, deputetja e AAK-së, Time Kadriaj, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se LVV ka rënë dukshëm, duke i përfshirë skandalet në qeverisje, mos menaxhimin e pandemisë, përfshirë edhe vaksinat që iu ka skaduar afati dhe tani dëshirojnë që të shtyhen zgjedhjet.

Image
Time Kadriaj

Ajo shtoi se duhet konsensus i partive politike, për shtyrjen e zgjedhjeve, madje sipas saj, për këtë nuk vendos as Kurti dhe as Konjufca.

Sondazhet po tregojnë se VV me të gjitha këto skandale në qeverisje, mos menaxhim i pandemisë, pagesat e rrymës në veri, skandalet me tender, skandalet me 133.000 mijë vaksina që si kanë menaxhuar e ju ka skaduar afati, dështimi në politikën e jashtme, etj, kanë rënë dukshëm dhe tash dëshirojnë me shkel ligjshmërinë e me i shty zgjedhjet. Para këtij prononcimi, kanë qenë liderët opozitar që kanë kërkuar zvogëlimin e fushatës aktive për shkak të pandemisë. E për shtyrjen e zgjedhjeve, duhet konsensus në mes të partive politike. E për këtë çështje nuk vendos as Albini e as Glauku”, ka potencuar Kadrijaj për “Bota sot”.

“Këtë mund ta vendos vetëm Presidentja”

Ndërsa, juristi Blerim Burjani, ka theksuar se këto mendime të Konjufcës nuk i përkasin kompetencave.

Image
Blerim Burjani

Sipas tij, presidentja me partitë politike vendos për këtë, ndërsa për fushatat zgjedhore, vendos KQZ.

Këto mendime të Konjufcës janë personale që nuk i përkasin kompetencave, për këtë dihet kush mund të bëj, presidenti me partitë politike. Pra, Presidentja mund të ftojë partitë politike për të shtyrë, a jo këto zgjedhje. Çështja e fushatës është diçka tjetër, kjo varet nga KQZ se sa do të zgjas kjo fushatë, aty janë anëtarët e partive e KQZ të cilët e kanë mandatin të vendosin më tutje”, ka deklaruar Burjani për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat