Paralajmërohet Serbia/ Këto janë pikat që Kosova do të kërkojë llogari në takimin e radhës

Politika

Paralajmërohet Serbia/ Këto janë pikat që Kosova do të kërkojë llogari në takimin e radhës

Majlinda Haziri Nga Majlinda Haziri Më 11 shtator 2021 Në ora: 17:20
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Ditë më parë delegacionet e Kosovës dhe Serbisë zhvilluan takime në Bruksel.

Dy delegacionet teknike në dialogun Kosovë-Serbi, gjatë dy ditëve diskutimesh në Bruksel nën ndërmjetësimin e të ngarkuarit të BE, Mirosllav Lajçak, nuk është se patën ndonjë përparim.

Menjëherë pas bisedimeve për media është deklaruar udhëheqësi i delegacionit të Kosovës, zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, i cili tha se gjatë këtij muaji nuk do të ketë takim ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq.

“Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, tha Bislimi.

Më tej, Bislimi tha se takim ndërmjet Kosovës dhe Serbisë, në nivel negociatorësh do të ketë në fund të tetorit, për të parë nëse palët do të arrijnë ndonjë përparim.

Ndërsa ditë më parë, para se të ketë takim me shtetin e Serbisë, delegacioni ka diskutuar për temat e të pagjeturve, energjetikës, targave të veturave dhe për vizitat zyrtare, në një takim me të ngarkuarin e BE në dialog Mirosllav Lajçak.

Kujtojmë që takimi i fundit në nivelin e lartë politik, ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti dhe presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq është zhvilluar më 19 korrik.

Pula: Serbia duhet të marrë përgjegjësi për dëmet që i ka shkaktuar Kosovës

Image
Shqiprim Pula

Në lidhje me këtë temë, për “Bota sot” ka folur njohësi për çështje ndërkombëtare, Shqiprim Pula, i cili u shpreh se dialogu ka filluar që nga viti 2010 dhe për të dy shtetet pasojat janë prezent, qofshin ato ekonomike apo politike.

Sipas tij, përderisa nuk kemi përparim në temat e mbetura të hapura, edhe mos përballja e Kurtit me Vuçiqin nuk është për tu habitur.

“Qysh në 2010-ën, e gjithë kjo si proces dialogues, deklarativisht e thënë ka filluar si dialog teknik e më pas politik, me qëllimin e jetësimit të politikave të fqinjësisë së mirë ndërmjet dy vendeve sepse është fazë para-integruese në Union Evropian. Por, për dy popujt janë të pashmangshme pasojat, qofshin ato ekonomike a politike, për aq kohë sa Serbia edhe më tej e konsideron Kosovën territor të saj. Kjo është anomalia vet!. Prandaj, për aq sa, nuk kemi përparime mbi temat e mbetura si të hapura edhe mos-realizimi i takimeve apo shtyrja ndërmjet drejtuesve të dy vendeve, nuk na bën për t’u habitur”, u shpreh analisti.

Ndërsa, i pyetur se a mund të përparojë dialogu pa ndodh takime të dy liderëve, Pula u shpreh se kjo do të paraqes ngecje në këtë rrugëtim mirëpo që ai thekson se Kosova mbetet ende e pabarabartë me Serbinë, pasi ka plagë ta hapura, siç janë personat e zhdukur dhe mos kërkim falja nga Serbia.

“Dialogu është një rrugëtim, e që në vetvete krijon procesin mbi synimin e parapërcaktuar. Por, kemi pasur dhe kemi ngecje të mëdha për aq sa palët në këtë rrugëtim nuk janë të barabartë si dialogues, sepse njëra palë ende ka plagë të hapura p.sh., janë akoma 1600 persona të zhdukur; e të shumta dëme tjera që nga lufta, ndërkaq tek pala tjetër ka munguar gatishmëria e vullneti, për distancim e kërkim-falje; e për rrjedhojë, ka pasur dialogim, kemi pasur disa arritje në marrëveshje dy-palëshe, disa prej të cilave, edhe nuk janë të zbatueshme e të cilat duhet të rishikohen e të rimodelohen. Kështu që, askush s’mund të flas me saktësi mbi afatet kohore, për një marrëveshje finale”, ka deklaruar Shqiprim Pula për “Bota sot”.

Voca: Nuk mund të ketë përparim të dialogut, nëse Serbia nuk i kërkon falje Kosovës

Image
Mirsad Voca

Ndërsa, Mirsad Voca, doktor shkence dhe ligjërues i gjeopolitikës në Paris, për “Bota sot” tha se Kosova në këtë dialog ka bërë mjaftueshëm duke marrë pjesë edhe pse Serbia ende nuk ka zbardhur çështjen e personave të zhdukur dhe nëse nuk zbardhet kjo e shumë çështje tjera, atëherë nuk mund të përparojë dialogu.

“Kosova e ka bërë kompromisin më të madh që mund të bëjë një shtet, me pjesëmarrje në këtë dialog, duke mos qenë njohur fare nga shteti serb. Tani, progresi në dialog nuk varet aspak nga Kosova por nga gatishmëria e Serbisë për të kryer obligimet e saj ndaj Kosovës. Serbia duhet doemos të zbardh çështjen e personave të zhdukur gjatë luftës. Natyrisht, përderisa nuk e bën një gjë të tillë tashmë me vite të tëra, nuk shoh se si mund të përparoj dialogu”, tha ai.

Më tej, profesori thotë se Serbia duhet të kërkojë falje për dëmet e luftës, në mënyrë që të vazhdojë dialogu mbi baza të shëndosha.

“Pastaj, Serbia duhet të kërkojë falje dhe të dëmshpërblejë për dëmet e luftës dhe spastrimit etnik më përmasa gjenocidiale ndaj popullit të pambrojtur të Kosovës. Në fund, që të ketë një dialog mbi baza të shëndosha dhe për një fqinjësi të mirë dhe afatgjate, ajo duhet të njohë Kosovën si shtet fqinj dhe të pavarur”, shprehet profesori.

Në fund, ligjëruesi në Paris thotë se nuk mund të ketë zgjidhje finale me një politikë si të Serbisë e cila nuk po e njeh pavarësinë e Kosovës dhe po lobon në dëm të saj.

Sipas tij, vetëm përmes partnerëve tanë, Serbia do të bindet që të njohë realitetin.

“Nuk mund të ketë dialog përmbajtësor dhe nuk mund të shpresohet në një zgjidhje finale më një politikë serbe që ende përqafon ideologjinë hegjemonike, duke pretenduar ende në territore të huaja, duke mos njohur Kosovën dhe që punon pareshtur në dëm të fqinjëve të saj në Ballkanin perëndimor. Si rrjedhojë, Kosova duhet të lobojë pareshtur ndaj kësaj qasje mjaft destruktive dhe me potencial konflikuoz të shtetit serb. Vetëm përmes partnerëve tanë, Serbia do të bindet që të njoh realitetin, me shpresë që një ditë ajo të orientohet njëmend kah perëndimi dhe të bëhet konstruktive ndaj fqinjëve të saj”, përfundoi Voca për “Bota sot".

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat