Serbia e kupton vetëm këtë gjuhë/ Thirrje për veprim me reciprocitet, pas kërcënimeve serbe

Politika

Serbia e kupton vetëm këtë gjuhë/ Thirrje për veprim me reciprocitet, pas kërcënimeve serbe

Armira Shaqiri Nga Armira Shaqiri Më 12 shtator 2021 Në ora: 08:11
Albin Kurti, Aleksandar Vuçiq; foto ilustrim nga "Bota sot"

Zëvendëskryeministri i Kosovës, Besnik Bislimi, në takimin e mbajtur me 7 shtator me përfaqësuesit në Bruksel, ka thënë se nuk do të ketë takim këtë muaj mes kryeministrit Albin Kurti dhe presidentit serb Aleksandër Vuçiq. Kjo sipas tij, pasi nuk po ka përparim.

"Nuk ka përparim të mjaftueshëm të prekshëm për të organizuar një takim të udhëheqësve”, kishte deklaruar Bislimi.

Mirëpo, ajo e cila është rikthyer në temë aktuale, është çështja e reciprociteti.

Edhe pse Lëvizja Vetëvendosje kishte premtuar një gjë të tillë që nga fushata zgjedhore, se do të rikthente reciprocitetin e plotë me Serbinë, një hap i tillë ende nuk është ndërmarrë.

Për këtë, Besnik Bislimi ka thënë se do ta kthejnë masën e reciprocitetit me Serbinë për targa të makinave. Sipas Bislimit, këtë duhet ta zbatojmë njësoj të dyja vendet.

“Nga data 15 shtator ne do të aplikojmë procedurat e ngjashme me ato që aplikon Serbia. Në qoftë se bashkësia ndërkombëtare mendon që kjo është e padrejtë adresa dihet se ku duhet të stopohet kjo. Duhet të detyrohet Beogradi të pranojë faktin se Kosova i dizajnon tabelat e saj të veturave dhe jo Serbia”, ka deklaruar ai.

Bajrami: Serbia e kupton vetëm një gjuhë atë të detyrimit

Image
Alban Bajrami

Lidhur me këtë, deputeti nga radhët e Vetëvendosjes, Alban Bajrami, në një përgjigje për “Bota sot” ka mbështetur Besnik Bislimin në deklaratën e tij, duke shtuar se Serbia vetëm gjuhën e detyrimit e njeh, ndryshe nuk do të ecim përpara.

“Reciprociteti në raport me targat duhet të ketë ashtu siç e ka paralajmëruar z.Bislimi. Serbia e kupton vetëm një gjuhë atë të detyrimit, përndryshe nuk mund të ecim para”, ka deklaruar Bajrami.

Qarri: Kosova duhet medoemos, të rivendosë urgjentisht reciprocitet të plotë ndaj Serbisë

Image
Gani Qarri

Ndërsa, analisti politik, Gani Qarri, për “Bota sot” ka thënë se nëse Serbia nuk e zbaton marrëveshjen, Qeveria e Kosovës në vend të reciprocitetit vetëm për vetura me targa të Serbisë, duhet ta shqyrtojë vendosjen e reciprocitetit të plotë sikur me çdo vend tjetër fqinj.

“Megjithëse zëvendëskryeministri Besnik Bislimi, pas takimit të 7 shtatorit në Bruksel me përfaqësuesin e lartë të BE-së Miroslav Lajçak, paralajmëroi se pas 15 shtatorit, do të rivendoset masa e reciprocitetit ndaj Serbisë, kjo ka të bëjë vetëm me një masë e kufizuar të reciprocitetit, për targa të veturave me Serbinë, pasi që me 15 shtatori skadon afati i marrëveshjes së përkohshme me këtë shtet fqinj, për njohjen e targave të Republikës së Kosovës. Ndaj nëse Serbia vërtetë edhe pas kësaj date, nuk e zbaton marrëveshjen në fjalë, Qeveria e Kosovës në vend të reciprocitetit vetëm për vetura me targa të Serbisë, duhet ta shqyrtojë vendosjen e reciprocitetit të plotë, njëjtë si me çdo vend tjetër fqinj”, ka thënë ai.

Sipas tij, nga të gjitha të bëmat e këtij shteti mizor, Kosova duhet të vendosë reciprocitet të plotë kjo për faktin se Kosova nuk mund të shfrytëzojë lirisht as rrugët e Serbisë, qoftë edhe për kalimin transit të prodhimeve të saj, kurse Serbia në Kosovë nga mallrat që fut çdo ditë përfiton miliona euro në vit.

“Madje duke parë sjelljet agresive të Vuçiqit dhe qeverisë serbe, kolonizimin e egër dhe ilegal të Veriut të Kosovës nga Serbia, kërcënimet e vazhdueshme dhe përzierjet e pareshtura të Serbisë në punët e brendshme të shtetit tonë etj, Qeveria e Kosovës në fakt do duhej të vinte jo vetëm ndonjë masë minore si targat, për të cilat Kosova nuk ka ndonjë leverdi të theksuar monetare, por reciprocitet të plotë, ndaj këtij shteti hegjemonist në secilën fushë ku ka veprime të njëanshme të Serbisë, të cilat, shkelin publikisht parimin e barazisë dhe marrëveshjet e nënshkruara ndërmjet dy vendeve në Bruksel. Kjo për vet faktin se përderisa Kosova, pothuajse nuk mund t'i shfrytëzojë lirisht as rrugët e Serbisë, qoftë edhe për kalimin transit të prodhimeve të saj, Serbia vetëm me mallrat që fut çdo ditë, pa asnjë pengesë dhe as taksë e masë doganore në vendin tonë, fiton hiq më pak se 450-deri në 600 milionë euro, për çdo vit nga Kosova, të cilat i përdor për blerje të armatimit dhe përditësimin e kërcënimeve ndaj Kosovës me ripushtim”, thekson analisti.

Për fund Qarri deklaron se parimi i barazisë së dyanshme duhet të respektohet, gjithmonë sipas marrëveshjeve të nënshkruara, në Bruksel.

“Ndaj për të respektuar parimin e barazisë së dyanshme, ashtu siç kërkohet edhe në marrëveshjet e nënshkruara me ndërmjetësimin e përfaqësuesve të lartë të BE-së, në Bruksel, Kosova duhet medoemos, të rivendosë urgjentisht reciprocitet të plotë ndaj Serbisë, masë e cila megjithëse ishte paralajmëruar edhe më herët por që deri më tani, nuk është aktivizuar asnjëherë, është momenti i duhur që të gjejë zbatim dhe fuqizohet urgjentisht”, ka deklaruar Gani Qarri për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat