“Këto veprime të Vuçiqit nuk janë normale”/ Vjen paralajmërimi për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti

Politika

“Këto veprime të Vuçiqit nuk janë normale”/ Vjen paralajmërimi për Qeverinë e Kosovës dhe kryeministrin Kurti

Nga: A.Morina Më: 12 shtator 2021 Në ora: 13:05
Albin Kurti dhe Aleksandër Vuçiq - ilustrimi Bota sot

Serbia nuk e ka ndërmend t’i ndal fushatat lobuese në vende të ndryshme të botës kundër Kosovës.  

Siç duket shtetit serb po i pengon zhvillimi i Kosovës dhe përparimi i saj me zgjedhjen e Albin Kurtit, si kryeministër i Kosovës.   

Së fundi, presidenti serb, Aleksandër Vuçiq paralajmëroi një fushatë të egër kundër Kosovës, duke thënë se do të mposht atë, në Interpol dhe UNESCO.  

Këto ‘kërcënime’ të presidentit Vuçiq i ka komentuar në një prononcim për gazetën “Bota sot”, opinionisti Dedë Preqi.  

Ai shpreh se këto deklarata të Vuçiqit janë fushata të egra njerëzore, ku bota normale e dallon këtë lloj të gabuar të politikës. 

Gjithashtu, Preqi u shpreh se përpjekjet e Kosovës për anëtarësim në organizata ndërkombëtare janë të ndërlikuar, për shkak se këto anëtarësime kërkojnë një mobilizim gjithëpërfshirës politik dhe institucional.  

Image
Opinionisti Dedë Preqi.  

“Paralajmërimet e kryetarit të Serbisë, A.Vuçiq, për të mos pranuar Kosovën, në organizatat ndërkombëtare, në INTERPOL dhe UNESCO, janë fushata të egra njerëzore, që bota normale e dallon këtë lloj politike, e cila përpinë në vete realitetin e një populli dhe shteti demokratik, dhe kudo në imazhin e botës njerëzore kjo rezulton e gabuar, kur dihet botërisht se secili shtet i ri i krijuar ka të drejtat e veta, ndër të tjera edhe anëtarësimin në organizatat ndërkombëtare.    

Përpjekjet e Kosovës, janë të vazhdueshme që të anëtarësohet në këta dy organizata ndërkombëtar, e cila që nga viti 2010 e deri më sot, duke i plotësuar të gjitha kriteret që janë kërkuar, megjithatë kuptohet se është një proces i ndërlikuar, përshkak se ky anëtarësim kërkon, përveç se një mobilizim gjithëpërfshirës politik dhe institucional, kërkon edhe përkrahje të vendeve anëtare të kësaj organizate, duke dhënë sinjalin e tyre pro-Kosovës, që nënkupton edhe dy të tretat e votave”, nënvizoi opinionisti. 

Në vazhdim, Preqi përmendi edhe marrëveshjen e 4 shtatorit në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington.  

Ai beson se marrëveshja për ndalimin e anëtarësimit në organizata ndërkombëtare, ishte diçka e dëmshme, e cila i shkaktoi humbje të mëdha Kosovës.  

“Duhet ta përmendim, si një takim special, apo edhe spontan, 4 shtatorin e vitit 2020, në Shtëpinë e Bardhë, në Uashington, ku u nënshkrua zotimi në mes ish-kryeministrit të Kosovës, z.Hoti dhe atij Vuçiq, në prani të kryetarit të SHBA-ve, z. Donald Trump, me ç 'rast në këtë takim iu kërkua Kosovës, që të nënshkruaj që të mos aplikojë në asnjë organizatë ndërkombëtare, për një kohë të caktuar, po ashtu Serbia, të pushojë tërheqjen e njohjeve të Kosovës.  

Në këtë rast do na duhej një matematikë e komplikuar që të nxjerrim një llogari dhe të kuptojmë se, çfarë përfitoj Kosova, nga ky lloj i marrëveshjes dhe nga ky lloj i politikës, që t‘i ndalohet anëtarësimi në organizatat ndërkombëtare Kosovës, që do të thotë, sikur ti ndalohet njeriut të ecën përpara, që në realitet nuk po mundet askush ta thotë në shesh të vërtetën, por një gjë është e qartë se në këtë rast Kosova, humbi më shumë se askush tjetër”, theksoi ai.  

Tutje, opinionisti potencoi se barrierat që Beogradi po ia vendosë Kosovës janë shenja serioze, pasi po shkelen të drejtat e një multietniciteti të një shteti.  

Ai kërkoi nga Qeveria e Kosovës të vazhdojë me punën e saj, të ecë përpara dhe të mos presë miratimin e Serbisë, për anëtarësimin në organizata ndërkombëtare.  

“Barrierat që po i paraqet Beogradi, dhe Qeveria e Vuçiqit, kundër anëtarësimit të Kosovës, në INTERPOL dhe UNESCO, janë shenja serioze edhe për bashkësinë ndërkombëtare, sepse po shkelen të drejtat e një multietniciteti të një shteti, pastaj do të ishte edhe një lloj humbje e ndërgjegjes njerëzore, kur një pjesë e anëtarëve të kësaj organizate i marrin si të arsyeshme lobimet kundërshtuese të liderëve të Serbisë, ndaj Kosovës, duke e ditur se kush ishte shkaktare e luftërave dhe gjenocidit në Ballkan.  

Qeveria dhe shteti i Kosovës, proceset e objektivave të veta nuk ka nevojë t’ia bëjë reklama Serbisë, apo të pres miratimin e saj, por të ecën përpara, cilado qoftë mënyra e aplikimit dhe anëtarësimit të saj në organizmat ndërkombëtar, duke mos përsëritur gabimet e mëhershme me tërheqje të Kosovës, në këto organizata, duke ditur se Serbia, po bënë çmos përmes propagandave dhe fjalimeve agresive, për të nënshtruar çdo përpjekje dhe angazhim të vendit tonë”, tha ndër të tjera Preqi.  

Në fund, ai i bëri apel Qeverisë së Kosovës dhe kryeministrit Kurti të veprojnë dhe punojnë të gjithë së bashku pozitë-opozitë, jo për ta mundur politikën e Serbisë dhe Vuçiqit, por për t’ia arrit qëllimeve dhe objektivave tona shtet ndërtuese.  

“Lidershipi kosovar dhe Qeveria e Kosovës, me kryeministrin Albin Kurti, nuk duhet të ushqejnë asnjë iluzion lidhur me politikën dhe diplomacinë aktuale të Serbisë, por të veprojnë dhe punojnë të gjithë së bashku pozitë-opozitë, jo për ta mundur politikën e Serbisë dhe Vuçiqit, por për t’ia arrit qëllimeve dhe objektivave tona shtet ndërtuese.  

Do të gabojmë nëse do të themi se diplomacia e Kosovës, është e pafuqishme ndaj fushatave agresive të Serbisë dhe Vuçiqit, jo vetëm ndaj anëtarësimit në këto organizata ndërkombëtare, por edhe në fusha të tjera, duke kuptuar se Kosova me lidershipin e saj i ka kapacitetet e veta njerëzore dhe strategjike e cila nuk do të dorëzohet, mirëpo pa ndihmën e fuqive ndërkombëtare është vështirë të mendohet se mund të hapen rrugët e sukseseve tona”, përmbylli Dedë Preqi, përcjell “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat