Pse Mitrovica duhet të drejtohet nga Vetëvendosja? Analisti tregon arsyet

Politika

Pse Mitrovica duhet të drejtohet nga Vetëvendosja? Analisti tregon arsyet

Nga: A.Z Më: 12 shtator 2021 Në ora: 16:21
Qyteti i Mitrovicës

Partia Demokratike e Kosovës dhe Aleanca Kosova e Re kanë nënshkruar koalicion në Mitrovicë për të garuar së bashku në zgjedhjet e 17 tetorit.

Lajmin për nënshkrimin e koalicionit e ka bërë të ditur kandidati i PDK-së për kryetar të Mitrovicës, Bedri Hamza.

Lidhur me këtë koalicion, analisti Sulejman Mehazi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se Mitrovica përballë komunave të tjera është e vetmuar, qytet i ndarë në dysh, andaj edhe problemet e kryetarit të kësaj komune ndryshojnë nga ato të komunave tjera.

Mehazi theksoi se të jesh prefekt i Mitrovicës është lloj heroizmi, përballë prefekturave të qyteteve të tjera.

“Nga prefekturat e Republikës së Kosovës më problematike është Mitrovica, qytet i ndarë në dysh, këndej lumit Ibër me shqiptarë, andaj lumit me serb, dhe, është e logjikshme të thuhet se problemet e kryetarit të Mitrovicës ndryshojnë shumë nga prefekturat tjera të Kosovës, pasi Mitrovica është qytet specifik edhe prefekti i këtij qyteti duhet të jetë specifik. Dy-tre herë është më rëndë e vështirë të udhëheqësh qytetin e ndarë të Mitrovicës sesa qytetet tjera të Kosovës, të jesh prefekt i Mitrovicës është lloj heroizmi përballë prefekturave të qyteteve tjera të Kosovës. Mitrovica disi është e vetmuar përballë komunave tjera, më nacionale sesa qytetare, ku dominon nacionalizmi e shovinizmi serb që nuk e pranojnë pavarësinë e Kosovës”, tha ai.

Sipas tij, më e logjikshme do të ishte që PDK dhe AKR të bënin koalicion për qytetet tjera, sepse nuk bënë të udhëhiqet nga opozita që nuk mbron interesat e qytetarëve.

Mehazit, thekson se LVV-ja duhet ta udhëheqë Mitrovicën, për shkak të sovranitetit të Kosovës.

Kështu që, shumë më e logjikshme do të ishte që PDK-ja e Krasniqit dhe AKR-ja e Behxhetit të bënin koalicion për të fituar qytetet tjera sesa të fitonin Mitrovicën, e themi këtë për shkak se kjo prefekturë kurrsesi nuk duhet të sundohet nga opozita e cila do jetë e pafuqishme të mbronte interesat e qytetarëve shqiptarë përballë nacionalizmit të vrazhdë të qytetarëve serbë përtej urës së Ibrit. Mitrovicën duhet ta marrë e ta udhëheq partia e LVV-së që është në pushtet për shkak forcës mbrojtëse jo vetëm të komunës së Mitrovicës, por edhe të sovranitetit të Kosovës. Sovranitetin e Kosovës në Mitrovicë nuk mund ta mbrojë kandidati i koalicionit të partive opozitare, PDK-AKR, Bedri Hamza, por Agim Bahtiri që është me partinë në pushtet”, shtoi Mehazi.

Tutje ai ka potencuar se dallimi i Hamzës nga Bahtiri është se, Bahtiri e ka qeverinë për t’i ndihmuar Mitrovicës, ndërsa Hamza pa ndihmën e qytetarëve do të mbetej i vetmuar.

Mehazi gjithashtu ka dhënë një propozim, ai theksoi se Kuvendi duhet të nxjerr një ligj për Mitrovicën, që vetëm perfekti të jetë i partive në pushtet.

“Sovraniteti i Kosovës në Mitrovicë mbrohet me polici e ushtri, e këto i ka Agim Bahtiri e jo Bedri Hamza. Dallimi i Bedri Hamzait prej Agim Bahtirit, është se të dy janë të respektuar e të autiritetshëm, mirëpo Agim Bahtiri e ka qeverinë me vete për t'i ndihmuar Mitrovicës, Bedri Hamza do mbetej i vetmuar pa ndihmën e qeverisë para sfidave ekstremiste serbe të Mitrovicës. Do të ishte mirë që Kuvendi i Kosovës të nxirrte një ligj për Mitrovicën, që me rastin e zgjedhjeve lokale prefekti të jetë vetëm i partive në pushtet”, ka përfunduar Sulejman Mehazi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat