“Shpronësimet mafioze” / Vjen thirrja publike për Qeverinë Kurti, kërkohet të hetohen urgjentisht këta persona

Politika

“Shpronësimet mafioze” / Vjen thirrja publike për Qeverinë Kurti, kërkohet të hetohen urgjentisht këta persona

Nga: A.Morina Më: 12 shtator 2021 Në ora: 19:54
Qeveria e Kosovës

Një nga temat kryesore të këtyre ditëve të fundit në vend, ka qenë zbardhja e disa skandaleve të qeverive të kaluara, më saktësisht skandalet e Qeverisë Haradinaj.

Keqpërdorimi i 43 milionë eurove dhe shtija e arit të tokës për vetëm 6 euro, morën vëmendjen e opinionit këto ditë.

Të gjitha këto ndodhën gjatë qeverisjes së Ramush Haradinaj, i cili nuk i mohoi në mënyrë të drejtpërdrejtë këto keqpërdorime, por vetëm me kundër akuza ndaj Qeverisë Kurti dhe ministrit të Financave, Hekuran Murati u mundua që t’i lë në harresë.

E zbardhjen e këtyre keqpërdorimeve e ka komentuar publicisti nga Gjermania, Idriz Zeqiraj.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” tregoi se si ministri i Financave zbuloi lehtësisht abuzimet, keqpërdorimet e mëdha financiare nga Qeveria Haradinaj.

Madje, Zeqiraj u shpreh se Qeveria e PAN-it në krye me Haradinajn, shpronësimet mafioze i ka bërë duke shantazhuar drejtësinë me bandat e krijuara qysh gjatë luftës së fundit në Kosovë.

Image
Idriz Zeqiraj

Ministri i Financave, Hekuran Murati, duke shpalosur dokumentacionin financiar, për realizimin e disa veprave infrastrukturore, zbuloi, madje, lehtësisht, abuzime, keqpërdorime trashanike financiare. Shpronësimet kanë favorizuar vjedhjet industriale shtatë-shifrore, pra, milionëshe, krahas privatizimeve dhe tenderimeve.

Nga kontrolli i bërë, rezulton se Qeveria e koalicionit PAN, me Ramush Haradinaj, kryeministër, ka abuzuar, keqpërdorur dhjetëra milionë euro. Shpronësimet mafioze, thellësisht, korruptive, në shtrirje kohore prej dy dekadash, kanë vepruar shpengueshëm, duke shantazhuar drejtësinë, me bandat e tyre , të krijuara qysh gjatë luftës, nga komandantët e UÇK-së të LPK-së, të cilët parësore e kishin marrjen e pushtetit me dhunë, duke luftuar kundërshtarët politike, për t`u pasuruar paligjshëm dhe turpshëm”, deklaroi ai.

Sipas Zeqirajt, skandalet e shumta të Qeverisë Haradinaj janë veprime të përsëritshme, të cilat kanë ardhur si pasojë e guximit të tepruar të komandantëve të pashkolluar.

Po ashtu, ai konsideroi se Ramush Haradinaj me PAN-istët e tij janë rrënuesit e Kosovës, mirëpo që këta janë vetëm “Maja e Ajsbergut”, pasi që Qeveria Kurti duhet të ndëshkojë krimet gjithfarëshe të PAN-it, përfshirë edhe ato ekonomike.

Skandalet seriale dhe numerike të Qeverisë Haradinaj, flasin vetë dhe komentet janë tautologji, përsëritje. Sepse janë të dukshme. Është mendësia komanduese, tërësisht, e gabuar, që vjen nga guximi i tepruar dhe anarkist. Kjo mendësi në politikën drejtuese të Kosovës, e instaluan komandantët e pashkolluar, të pa fisëm, të cilët "kanë shantazhuar dhe kapur drejtësinë, në veçanti, dhe shtetin e Kosovës, në përgjithësi".

"Zoti Haradinaj, me PAN-istët e tij, rrënues të Kosovës, përtokës, përdhunues e përmjerës të shtetit të Kosovës. Prandaj, Ramush Haradinaj me komandantët PAN-istë, livadhisin dhe shkërryejnë pasuritë e brezave shqiptarë, pafrikshëm dhe pacipshëm nga goditja e ligjit. Shembujt faktik të abuzimeve të Qeverisë PAN-iste, me kryeministër Haradinaj, janë vetëm "Maja e Ajsbergut". Nëse LVV mendon të jetë vetja e saj në politikë, ajo duhet të denoncojë dhe ndëshkojë krimet gjithfarëshe të PAN-it, përfshirë edhe ato ekonomike. Pasuritë e disa komandantëve, nuk ka ombrellë që t`i mbulojë, pavarësisht shpërndarjes fiktive ndër të afërmit dhe farefisin. Disa nga komandantët, tashmë, janë zhveshur, moralisht dhe njerëzisht, të cilët nuk i duhen, madje, për asgjë Kosovës”, theksoi publicist.

Në vazhdim, ai potencoi se tani Qeveria e Kosovës duhet të vendosë ligjshmëri ndaj zyrtarëve të korruptuar, PRONTO-mafisë, Komisionit kriminal të Veteranëve, etj.

Duke shtuar se pengesa kryesore për bërjen e Vettingut është rezistenca e prokurorëve dhe gjykatësve korruptiv.

Kosova është para alternativës: Të vendosë ligjshmërinë, jo vetëm për xheparoshët e rrugëve, por, edhe ndaj zyrtarëve të lartë korruptiv; komandantëve mujsharë PAN-istë; të PRONTO-mafisë; të Komisionit kriminal të Veteranëve dhe të gjithë llumhanës të shoqërisë, që po ia bëjnë xhëmën Kosovës.

Hetimet dhe dënimet, për veprimet e kundërligjshme, të krimeve, të hajnisë zyrtare, haraçxhinjëve dhe të batakçinjve të gjithfarë ujemi, të përzier ndër këto troje. LVV duhet t`i japë fund ecjes breshkore, në marrjen e vendimeve të guximshme. Pengesa koracuese, rezistenca e prokurorëve dhe e gjykatësve korruptiv, për bërjen e Vettingut, vazhdon t`i kushtojë LVV, por, edhe Kosovës. Ata mbrohen nga shefat e tyre ish-pushtetarë, kriminelë dhe makro-hajna zyrtarë”, vlerësoi Zeqiraj.

Krejt në fund, publicist nga Gjermania tha se është koha që t’i jepet fund anomalisë, paprekshmërisë dhe mungesës të kontrollit, nga organet përkatëse. Mirëpo, ai kërkoi që kjo të mos bëhet duke u bazuar në Vettingun e Shqipërisë, pasi është një reklamë e shpërlarë.

“"Ose tirqit, ose hunin", - thotë populli. E ashtuquajtura pavarësi e gjyqësorit, ka degraduar, deri në degjenerim, sistemin e drejtësisë në Kosovë. Është domosdo e kohës t`i jepet fund anomalisë, paprekshmërisë dhe mungesës të kontrollit, nga organet përkatëse, të këtij pushteti, shumë të përfolur, madje, faktik në opinion.

Analistët tanë, zakonisht, i referohen Vettingut të bërë në Shqipëri dhe e lavdërojnë atë. Vërtet, ata nuk e njohin këtë lloj Vettingu, të bërë nga klani i Edvin Ramës. Realisht, asgjë nuk ka ndryshuar për të mirë. Është një reklamë e shpëlarë, një mashtrim i radhës. Uroj që Kosova ta bëjë ndryshe dhe të njëmendët!”, përmbylli Idriz Zeqiraj, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat