Kërkoi ndihmë nga serbët për “luftën” në Kosovë/Zbulohet plani mashtrues i Vuçiqit

Politika

Kërkoi ndihmë nga serbët për “luftën” në Kosovë/Zbulohet plani mashtrues i Vuçiqit

Nga: M.H. Më: 12 shtator 2021 Në ora: 23:05
Ushtria serbe

Presidenti i Serbisë, Aleksandër Vuçiq ka vazhduar sërish me kërcënimet e tij ndaj Kosovës.

Ai gjatë vizitës së sotme në Kraljevo, theksoi se puna e shtetit është të luftojë me njerëzit e tij në Kosovë, të mbrojë vendin e tij dhe të mos prekë askënd tjetër.

Vuçiq i kërkoi popullit serb ndihmë për luftën ndaj Kosovës, duke kërkuar mbështetje atyre për ta bërë një Serbi më të fortë

"Le të shkojmë më fort dhe më shpejt, dhe vetëm me mbështetjen tuaj ne mund ta bëjmë këtë. Le të luftojmë së bashku, për të treguar se kemi shumë më tepër energji pozitive sesa energjia e tyre negative, dhe që Serbia të jetë më e pasur dhe madje edhe më e fortë", tha Vuçiq.

Profesori universitar, Enver Bytyçi në një prononcim për gazetën “Bota sot” ka komentuar këto kërcënime për luftë të presidentit serb, Aleksandër Vuçiq.

Ai u shpreh se me këto deklarata presidenti serb e ka vërtetuar atë që e ka deklaruar presidenti malazez, Gjukanoviç se “Vuçiq e ka tejkaluar Millosheviçin”.

Image
Enver Bytyçi

Dje presidenti i Malit të Zi, Milo Gjukanoviç, tha se Vuçiq e ka tejkaluar Sllobodan Milosheviçin. Deklarata e sotme e presidenti të Serbisë në qytetin e Kralevos për marrëdhëniet me Kosovën e dëshmoi edhe njëherë atë që tha Gjukanoviç. Në fjalën e Aleksandër Vuçiq në Kralevo, por edhe në fjalimet e tij të mëparshme shoh disa mesazhe”, deklaroi profesori.

Sipas Bytyçit, në radhë të parë, Vuçiqi po tenton t’iu hiqet si hero qytetarëve serb, me deklaratat se do të bëjë bëjë ç'është e mundur për ta shpopulluar Kosovën.

Gjithashtu, ai potencoi se presidenti serb po e gënjen popullin e tij kur u thotë se Serbia nuk do të heqë dorë kurrë nga Kosova.

Së pari, nga ajo që presidenti i Serbisë thotë, sidomos kur është fjala për Kosovën, duket se ka për qëllim t'i bindë serbët e vetëm ai është më i zoti ta mbrojë të drejtën serbe mbi territorin e Kosovës. Por ama mbi territorin, jo mbi qytetarët. Pikërisht këtë thoshte edhe Gjukanoviç, se presidentit serb i intereson territori dhe për ta përfituar do të bëjë ç 'është e mundur për ta shpopulluar Kosovën. Sigurisht nga shqiptarët. Dhe për të arritur qëllimet e tij ai u hiqet bashkëkombësve të tij si hero. U flet për presionet që ia bëjnë evropianët e nganjëherë edhe amerikanët. U flet se ai po qëndron fort e u le përshtypjen se "po të mos jetë Vuçiq, Kosova do të ishte pavarësuar juridikisht me kohë"! Pastaj i gënjen kur u thotë se "Serbia nuk do të heqë dorë kurrë nga Kosova"! Është taktikë mashtruese e tij dhe mashtrimi shkon në adresë të serbëve”, theksoi ai.

Në vazhdim, profesori tha se Vuçiq po viktimizohet para qytetarëve serb kur po deklaron se bashkësia evropiane po i bënë atij presion, me qëllimin e vetëm për interesa personale.

Ai përmendi edhe presionin që presidenti serb po ia bënë vazhdimisht Kosovës për formimin e asociacionit të komunave me shumicë serbe.

Së dyti, në të gjitha deklaratat, edhe në të fundit në Kralevo, presidenti i Serbisë bën presion ndaj shqiptarëve dhe bashkësisë evropiane. Ndonëse është nën presion, Serbia edhe bën presion. Thashë se kur Aleksandër Vuçiq thotë se është nën presion, ka për qëllim që serbët t'ia dijnë hallin e të bashkohen rreth tij. Natyrisht për interesa elektorale.Ndërkaq ai bën presion. I bën presion Kosovës që ajo të detyrohet të bëjë lëshime, së paku duke pranuar krijimin e asociacionit të komunave serbe në Kosovë. Por zoti Kurti tha dje se qeveria serbe ende e ka në sirtar projektin e ndarjes së territorit të Kosovës. Që do të thotë presioni i presidentit të Serbisë shkon pikërisht në këtë drejtim. Të krijojë përshtypjen se ai nuk do të bëjë lëshime dhe se nuk do të dorëzohet pa realizuar projektin e shkëmbimit të territoreve dhe ndryshimit të kufijve”, shpjegoi Bytyçi.

Ndër të tjera, profesori kërkoi nga udhëheqësit e Kosovës ta ruajnë shtetësinë e vendit dhe të mos e pranojnë asnjë poshtërim apo lëshim sa i përket territorit. Ai kërkoi që institucionet e Kosovës t’i paraqesin kundër argumentet ndaj Vuçiqit përpara bashkësisë ndërkombëtare.

Është detyrë e qeverisë dhe institucioneve të tjera të Kosovës të ruajnë territorin si dhe të forcojnë shtetësinë e vendit e institucionet e shtetit. Askush nuk mund t'i detyrojë liderët politikë të shtetit të Kosovës të pranojnë poshtërime dhe lëshime sa i përket territorit e shtetësisë. Ata e kanë për detyrë të japin argumente kundër kërkesave të Beogradit dhe të bindin po me argumente bashkësinë ndërkombëtare. Por edhe në rastin më të keq, nëse bashkësia ndërkombëtare këmbëngul, asnjë prej tyre nuk mund të nënshkruajë në emër të Kosovës për ta shkatërruar shtetësinë e saj dhe për të dhënë territore”, tha ai.

Kurse, Bytyçi deklaroi se i tërë ky presion shkon edhe në adresë të Brukselit, ku BE është edhe ndërmjetësues në dialogun Kosovë-Serbi.

Megjithatë, profesori kërkoi nga institucionet e vendit të mos bien pre e këtyre presioneve serbe apo ndërkombëtare, pasi SHBA-të, NATO dhe BE nuk gjejnë strehë më të sigurt se shqiptarët për mbrojtjen e interesave të tyre.

“Ndërkaq thashë se presioni shkon edhe për ndërkombëtarët, sidomos në adresë të Brukselit, e më së shumti i drejtohet pikërisht Bashkimit Evropian si ndërmjetës i dialogut. Atyre u thuhet se "Serbia nuk lëshon pe"! Në këtë rast në Beograd kanë shpresë se evropianët apo amerikanët do t'i drejtohet viktimës së Beogradit, pra Kosovës, për lëshime. Se ajo është më e dobët, ka detyrime ndaj aktorëve perëndimorë, SHBA-ve, NATO-s dhe BE-së, se ajo ia ka më shumë nevojën këtyre aktorëve sesa Serbia. Në fund të fundit Serbia ka alternativa tjera, Rusinë dhe Kinën, mund të thonë në Perëndim. Kosova nuk ka alternativë dhe do t'u bindet atyre. Ndoshta edhe kundrejt presionit. Asgjë s'ka për të ndodhur, nëse Kosovës i bëhet presion. Edhe nëse mbyllet dialogu me Serbinë pa marrëveshje dhe presioni i ndërkombëtarëve shkon në pikën e vlimit, lëshime nuk duhen bërë, sepse ky presion në atë pikë vlimi do të shkarkohet përmes valvulës së shkarkimit. E kam fjalën se SHBA-të, NATO dhe BE kanë nevojë për Kosovën, pasi në të gjithë globin nuk gjejnë strehë më të sigurt për të mbrojtur interesat e tyre. Kur them strehë të sigurt, e kam fjalën për vokacionin pro amerikan e pro evropiantë shqiptarëve të Kosovës”, potencoi profesori.

Në fund, ai u shpreh se zgjidhja përfundimtare e konfliktit Kosovë-Serbi është në duart e Vuçiqit, ku ai duhet të nënshkruajë marrëveshjen për njohjen e pavarësisë së Kosovë. Dhe vetëm, pasi kësaj marrëveshje Kosova do të mund të shqyrtonte mundësinë për pjesëmarrje në “Ballkanin e Hapur”.

Zgjidhja përfundimtare e këtij konflikti është vetëm në duart e Aleksandër Vuçiq. Ai duhet të nënshkruajë një marrëveshje të garantuar nga faktorët ndërkombëtarë, me të cilën të shpallë njohjen e shtetit të Kosovës. Madje do të duhej ta bënte këtë pa marrëveshje, direkt me një deklaratë të ministrisë së Jashtme, ose të qeverisë apo edhe të vetë presidentit të Serbisë. Pastaj të uleshin të dy palët në bisedime për të shkuar te marrëveshjet e përbashkëta në interes të të dy vendeve. Vetëm pas këtij akti ka kuptim që Kosova të rishqyrtojë pjesëmarrjen në “Open Balkan”, ose të nënshkruajë marrëveshje mirëkuptimi me Serbinë”, përfundoi Enver Bytyçi, përcjell “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat