“I pari Xhavit Haliti”/ Analisti bën deklaratën “bombë”, tregon personat që do të arrestohen nga Specialja

Politika

“I pari Xhavit Haliti”/ Analisti bën deklaratën “bombë”, tregon personat që do të arrestohen nga Specialja

Nga: P.R Më: 13 shtator 2021 Në ora: 18:48
Xhavit Haliti / Foto ilustrim nga "Bota sot"

Kryetarja e Gjykatës Speciale, Ekaterina Trendafilova javën e kaluar qëndroi për vizitë dy ditore në Kosovë.

Edhe pse nuk ka dhënë shumë detaje për veprimet e Speciales, Trendafilova nuk ka treguar nëse do të ketë aktakuza tjera nga Gjykata Speciale. Ajo është shprehur se nuk e di nëse Prokuroria e Specializuar ka në plan që të ngre akuza ndaj personave të tjerë.

E në media është raportuar se qëllimi i vërtetë i vizitës së Trendafilovës është përgatitja e terrenit për një valë tjetër arrestimesh.

Se kjo mund të ketë qenë arsyeja e vizitës, e thotë edhe analisti politik, Faton Mehmeti.

“Pas vizitës së Trandafilovës pritet të ketë arrestime, kjo edhe ka qenë arsyeja e ardhjes së saj në Kosovë, që të shikojë më për së afërmi terrenin dhe kohën kur do të arrestohen. Gjasat janë të mëdha që në nëntor të ketë arrestime, pikërisht në një vjetorin e arrestimeve që ndodhën vitin e kaluar, të Hashimit dhe të tjerëve”, thotë Mehmeti.

Image
Faton Mehmeti

Madje analisti Mehmeti jep edhe emrat e personave, që sipas tij mund të jenë të arrestuarit e radhës.

“Në këtë aspekt shoh se do të ketë arrestime të figurave tjera të luftës. I pari do të jetë Xhavit Haliti, pastaj Azem Syla, Shukri Buja, Daut Haradinaj, dhe figura të tjera të larta”, shprehet Mehmeti, sipas të cilit, të gjithë të përmendurit në aktakuzën ndaj Hashim Thaçit dhe të tjerëve, do të arrestohen.

“Të gjithë ata që përmenden në aktakuzën e Hashimit dhe të tjerëve, e të cilët thuhet se kanë qenë pjesë e atij grupacioni pritet të arrestohen, jo të gjithë janë arrestuar. Pritet që nga nëntori të ketë arrestime të tjera, mbase edhe më herët, por nëntori pritet të jetë muaji i arrestimeve të reja”, deklaron analisti Mehmeti.

Për fund, Mehmeti thotë se pavarësisht pengesave, Gjykata Speciale është e pakthyeshme dhe puna e saj nuk mund të ndalet nga askush.

“Pavarësisht dëshirave të disave për të penguar, nuk ka mundësi të bëhet një gjë e tillë. Gjykata Speciale është e pa kthyeshme, kështu që këtë gjë duket se e kanë kuptuar edhe ata që kanë bërë çdo gjë që të zhbëhet një gjë e tillë. në këtë kuptim nuk shoh rrezik nga një gjë e tillë”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik, Faton Mehmeti.

Kujtojmë se deri më tani Gjykata Speciale ka ngritur aktakuzë ndaj Hashim Thaçit, Kadri Veselit, Jakup Krasniqit e Rexhep Selimit që u arrestuan në nëntor të vitit të shkuar.

Gjithashtu akuzë është ngritur edhe ndaj ish ushtarit të UÇK-së, Sali Mustafa dhe dy udhëheqësve të shoqatave të dala nga Lufta Hysni Gucati dhe Nasim Haradinaj.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat