Para vizitës në Kosovë vjen kërkesa për Lajçak-un: Pranojeni gjenocidin serbomadh në kuadër të dialogut

Politika

Para vizitës në Kosovë vjen kërkesa për Lajçak-un: Pranojeni gjenocidin serbomadh në kuadër të dialogut

Arnita Zeneli Nga Arnita Zeneli Më 14 shtator 2021 Në ora: 08:08
Miroslav Lajçak

Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, javën e ardhshme do të vijë për vizitë në Kosovë. 

Këtë e ka bërë të ditur zëdhënësi i Qeverisë, Perparim Kryeziu.  

Ai tha se Lajçak në Kosovë do të jetë nga mesi i javës së ardhshme. 

“Ne do ta presim për vizitë z. Lajçak në mesin e javës së ardhshme, gjatë së cilës do të takohet me kryeministrin Kurti dhe zëvendëskryeministrin Bislimi”, u shpreh Kryeziu. 

Vizita e Lajçak është paralajmëruar një ditë pasi zëvendëskryeministri Bislimi tha se Kosova është dakorduar me Serbinë që t’i hapin arkivat e luftës në takimin që pati në Bruksel. 

Ndër analistë dhe njohës të çështjeve është përmendur se kjo vizitë është në kuadër të përgatitjeve për takimin e radhës ndërmjet kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, e presidentit të Serbisë, Aleksandar Vuçiq. 

Lidhur me atë se çfarë mund të pritet nga ky takim, për “Bota sot”, kanë folur disa njohës të çështjeve politike. 

“Roli i BE-së të jetë ndërmjetësim” 

Image
Hidajet Ahmeti

Analisti Hidajet Ahmeti, ka theksuar se qëllimi i takimi do të jetë që dialogu të ketë zhvillim, po sipas tij, roli i BE-së duhet të jetë ndërmjetësim e jo presion ndaj Kosovës. 

Sipas Ahmetit, çdo tendencë që përmes kompromiseve të arrihet deri te pajtimi, është e dëmshme për normalizimin e raporteve në mes Kosovës dhe Serbisë. 

“Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, sigurishtë që do të bisedoj për çështjen e dialogut për të cilën është i thirrur. Theksi i çështjes do të jetë mundësia që dialogu të ketë zhvillim, pasi është mundësia e vetme e integrimit në mekanizma ndërkombëtar. Kuptohet roli i BE-së duhet të jetë ndërmjetësimi e jo presioni në një çështje shumë të ndjeshme. Çdo tendencë e BE-së apo e kujt do qoftë që përmes "kompromiseve të dhimbshme" të arrihet deri te pajtimi është në substancë është e dëmshme për normalizimin e raporteve Kosovë-Serbi”, ka deklaruar Ahmeti. 

“Të vendoset reciprocitet në çdo fushë” 

Image
Muhamet Kelmendi

Juristi Muhamet Kelmendi, theksoi se ka kohë që ka ngecur dialogu.  

Madje, sipas tij nuk bëhet Kosova objekt i ndarjes, siç po e dëshiron Serbia, sepse, dialogu kërkon përgjegjësi të shtetit serb. 

“UE duhet të pranojë gjenocidin serbomadh, në kuadër të dialogut me shtetin serb të udhëhequr nga UE. Ka kohë qe dialogu ka ngecur. Çështja e përgatitur nga tandemi Borel-Lajçak nuk po shkon në drejtim që dëshirojnë. Natyrisht se kërkesat e Kosovës janë të drejta. Nuk mund të bëhet Kosova objekt i ndarjes dhe i copëtimit, siç dëshiron Serbia dhe Lajçak e Borel, që po e preferojnë, kjo nuk shkon. Dialog për dhunë e terror, për gjenocide e për dëmshpërblim nuk ka. Ajo kërkon përgjegjësi të drejtpërdrejt të shtetit serb”, tha ai. 

Më tej, ai ka potencuar se Serbia është shkaktare, andaj edhe duhet juridikisht të përgjigjet. 

Ai shtoi se, shqiptarët në Serbi po ndiqen, ndërsa komunat shqiptare po serbizohen, andaj duhet reciprocitet, madje edhe për çështjet tjera me Serbinë. Më tej theksoi se, duhet ta kenë të qartë Lajçak dhe Borel, se nuk ka dialog të njëanshëm. 

“Serbia është shkaktare dhe ekzekutuese e tërë gjenocidit mbi shqiptarët, dhe Serbia duhet juridikisht të përgjigjet. Në çështjet tjera kërkohet të vendoset reciprociteti midis Kosovës dhe Serbisë në çdo fushë. Nuk ka bazë juridike Asociacioni serb në Kosovë, ndërsa shqiptarët në Serbi, nga Lugina e Preshevës ndiqen dhe komunat shqiptare po serbizohen. Kjo nuk shkon, këtu duhet reciprocitet. Reciprocitet kërkohet edhe në çështjet tjera bilaterale me Serbinë. Asgjë nuk shkon njëanshëm. Serbia duhet të ketë të qartë. E mbi te gjitha Lajçak e Borel, si dhe UE duhet të kuptojnë se nuk ka dialog të njëanshëm. Dhuna gjenocidiale kërkon përgjegjësi penale. UE këtë duhet bërë. Këtu nuk ka kompromis”, ka shtuar Kelmendi. 

“Qeveria t’i caktojë kufij” 

 Analisti Islam Krasniqi, ka potencuar se këto janë vizita të zakonshëm, sipas tij, do të ketë tema për të pare se çka mund të japim si kompromis. 

Ai shtoi se qeveria e Kosovës duhet t’i caktoj kufi, e të mos zgjas pa ndonjë marrëveshje. 

“Këto janë vizita të zakonshme të cilat kanë ndodhur edhe më parë, e që Emisari i Bashkimit Evropian për dialogun Kosovë-Serbi, Miroslav Lajçak, do të bisedoj rreth dialogut për të parë së deri ku mund të shkojë qeveria e republikës së Kosovës, çka mund të jep si kompromis, duke i mbyllur sytë ndaj gjithë atyre që kemi ofruar për minoritetin serb. Qeveria jonë duhet të jetë e prerë rreth dialogut, dhe duhet që t’i caktoj kufij, e jo të zgjas si dialogu mes Palestinës e Izraelit pa fund, pa ndonjë marrëveshje, por duke kërkuar fundin me një epilog të qartë dhe të sigurt”, deklaroi Krasniqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat