”Kosova është kafshatë që iu mbetet në fyt”/Kështu Kurti ua prishi planet Ramës e Vuçiqit, ja pse Merkel doli kundër “Ballkanit të Hapur”

Politika

”Kosova është kafshatë që iu mbetet në fyt”/Kështu Kurti ua prishi planet Ramës e Vuçiqit, ja pse Merkel doli kundër “Ballkanit të Hapur”

Nga: G.B Më: 14 shtator 2021 Në ora: 22:48
Edi Rama dhe Angela Merkel

Sulmet ndaj kryeministrit të Kosovës, Albin Kurti, nga ana e homologut të tij shqiptar, Edi Rama, nuk kanë të ndaluar.

Ky i fundit nuk kurseu Kurtin as para kancelares Angela Merkel, derisa tha se ai po bën teori konspiracioni për “Open Balkan” dhe se deklaratat e tij janë dokrra.

“Sot është e pabesueshme që Kosova nuk e shfrytëzon këtë për veten e vet, por rri dhe bën teori konspiracioni për Open Balkan. Traseja është e shtruar, Procesi i Berlinit është një proces që do të vazhdojë, Open Balkan është një mekanizëm për ta përshpejtuar. Nuk ka asnjë kontradiktë mes të dyjave. Open Balkan është as më shumë e as më pak për ta përjashtuar procesin e Berlinit. Nuk ka ne Open Balkan asgjë brenda që kontradikton me Procesin e Berlinit. Open Balkan është mjeti i rajonit për të implementuar Procesin e Berlinit. Kush thotë se njëra bie ndesh me tjetrën ose e bën me qëllim ose nuk e kupton. Teoritë e konspiracionit, jo po Procesi i Berlinit, Open Balkan janë të organizuara nga forca të tretë apo janë të hedhura këtu nga BE për të na gënjyer ne që të krijojmë këtu një mikro BE janë dokrra”, deklaroi Edi Rama.

Ndërsa, pas kësaj u përgjigj kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, i cili tha se nuk e di për çfarë teorie bëhet fjalë por që Procesi i Berlinit është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për rrugëtimin evropian, ndërsa që në Ballkanin e Hapur marrin pjesë vetëm disa shtete dhe aty nuk është BE-ja.

“Unë nuk e di për çfarë tetori konspiracioni është fjala këtu. Është dashur ta pyesni. Unë nuk e di për çfarë teorie bëhet fjalë. Unë po jua tregoj qëndrimin tim, që e thashë edhe aty; Procesi i Berlinit është i nevojshëm dhe i mjaftueshëm për rrugëtimin evropian dhe nuk ka nevojë për variante të tjera. Ballkani nuk është tre shtete, as 6 por të paktën 12 shtete. Pasnesër do të kemi një takim me qeverinë e Maqedonisë në Shkup dhe jemi për marrëdhënie të mira, pore iniciativat rajone nuk duhet të bëhen pa BE-në brenda. Dallimi mes Procesit të Berlinit dhe Ballkanit të Hapur është se në të dytën nuk e kemi BE-në. Po ashtu Republika e Kosovës është një shtet i pavarur për të cilën të gjithë ne duhet të angazhohemi pavarësisht pozitës që kemi dhe të kërkojmë njohjen e saj dhe jo të shprehim mirëkuptim ndaj Serbisë për mos njohjen e Kosovës. Çfarëdo mirëkuptimi ndaj Serbisë për mos njohje i kushton Kosovës”, ka deklaruar Kurti.

Lidhur me gjithë këtë, njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu, ka thënë për gazetën “Bota sot” se Rama po i vuan dështimet e veta, dështimin që të jetë drejtues i Kosovës para të huajve, derisa nuk e kupton se Kosova është kafshatë që i mbet në fyt gjithkujt.

Image
Njohësi i çështjeve politike, Rexhep Shahu

“Rama i vuan dështimet e veta. I vuan dhe i vajton ato që nuk i mbërrin, ai deshi ta bindte veten se e ka Kosovën në xhep por ai nuk e fitoi kurrë Kosovën as kur e qeverisnin ata që mendojnë si Rama. Dështimin e tij që të jetë edhe drejtues i Kosovës para të huajve ai nuk ia fal Albin Kurtit që është majtist si Rama. Rama nuk arriti ta kuptojë se Kosova është kafshatë që i mbetet në fyt gjithkujt sepse në Kosovë ka opinion të fortë publik, ka reagim qytetar dhe nuk është si në Shqipëri që Rama i ka rrafshuar gjithë pushtetet dhe i kontrollon vetë”, ka thënë ai.

Sipas Shahut, Ballkani i Hapur nuk përkrahet pasi është për dominim serb dhe se Rama është pajtuar me Vuçiqin por jo shqiptarët dhe Kosova.

“Teza e Ballkanit të hapur e Ramës dhe Vuçiqit nuk përkrahet se është me shumë për interes e për dominim serb sepse ekonomia serbe dominon në këto tre shtete të Ballkanit të Ramës. Rama është pajtuar me Vuçiqin por jo shqiptarët të gjithë dhe jo Kosova. Në një Ballkan, të gjithë ballkanasve pranon të jetë Kosova por në Ballkanin e serbëve shqiptarëve e maqedonasve nuk ka vend Kosova”, ka vlerësuar analisti.

Ai ka shtuar se Merkel nuk e pranon Ballkanin e Hapur të Ramës pasi nuk është i hapur, ndërsa thotë se Kurti i prish punë Ramës.

“Merkel nuk e pranon Ballkanin e hapur të Ramës se nuk është Ballkani i hapur por Serbia e hapur dhe Merkel ka ofruar e këshilluar procesin e Berlinit për krejt Ballkanin a për 6 shtetet e jo për të siguruar treg shqiptar për Serbinë. Albin Kurti i prish punë Ramës se Serbia nuk ka mundësi të hapet në Shqipëri pa kaluar nëpër Kosovë”, ka theksuar Shahu.

Krejt në fund, ai thotë se Rama nuk mund t’i pajtojë shqiptarët me futje nën Serbi, pasi ata duan të futen në BE dhe jo Serbi, derisa shton se Merkel deklaroi se asnjë nismë nuk e zëvendëson Procesin e Berlinit, andaj sipas Shahut, rruga e shqiptarëve për në BE nuk ka kalon nëpër Beograd.

“Rama mundet të joshë as të pajtojë shqiptarët me futje nën Serbi se shqiptaret duan të futen në BE, jo në Serbi as në Ballkan. As Kosovën nuk mundet Rama ta fusë në Ballkanin e Serbisë, pasi Kosova do që të integrohet në BE e jo në Ballkan. Edhe Merkel e deklaroi se nuk zëvendësohet BE me asnjë lloj nisme apo bashkëpunimi dhe BE është adresa e shqiptarëve ku duan të mbërrijnë. Rruga e shqiptarëve për ne BE nuk kalon përmes Beogradi. Ndoshta ajo e Beogradit për BE mund të kalojë nga Prishtina”, ka deklaruar Rexhep Shahu për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat