”Merkel kuptoi lojën Serbi-Rusi”/”Nxitja” e Vuçiqit për Kosovën dhe arsyet e frikës së Ramës

Politika

”Merkel kuptoi lojën Serbi-Rusi”/”Nxitja” e Vuçiqit për Kosovën dhe arsyet e frikës së Ramës

Nga: G.B Më: 15 shtator 2021 Në ora: 20:02
Kancelarja gjermane, Angela Merkel

Pavarësisht se ka kryer krime në Kosovë, në dialogun për normalizimin e marrëdhënieve me Kosovën, Serbia vazhdon të sillet si viktimë dhe që nuk respekton marrëveshjet e arritura në Bruksel.

Po ashtu, presidenti serb Aleksandër Vuçiq, vazhdimisht deklaron se nuk do ta njoh Kosovën si shtet.

E se këtë duhet ta bëjë, atij iu bë e qartë edhe nga kancelarja gjermane, Angela Merkel, gjatë vizitës së saj lamtumire në Ballkanin Perëndimor, ku qëndroi dhe në Beograd.

Ajo tha se çështja e Kosovës duhet të zgjidhet.

"Nuk ka kuptim të flasim për përfundimin e një procesi para zgjidhjes së problemeve të tjera. Kjo çështje nuk do të zhduket, duhet të zgjidhet. Por unë jam për një rrugë ku të gjitha çështjet e tjera zgjidhen së pari. Shpresoj se do të kemi përparim të ri në procesin rreth Kosovës", u shpreh Merkel.

Ndërsa Vuçiq tha se e ka të qartë se pa u zgjidhur çështja e Kosovës, nuk ka anëtarësim në BE.

“Nëse pyetja është se a jemi të vetëdijshëm se nuk do të hyjmë në BE pa e zgjidhur çështjen e Kosovës, atëherë absolutisht është e qartë kjo”, tha Vuçiq.

Por, sa do të bëjë hap drejt njohjes Vuçiq, pavarësisht se e ka të qartë se duhet ta bëjë atë dhe se nuk do të mund të hyjë në BE pa e njohur Kosovën?

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur profesori universitar, Enver Bytyçi.

Ai ka thënë se vizita e Merkel ishte me porosi të veçanta për proceset e nisura në Ballkan, derisa dhe Vuçiq e kuptoi nga Merkel se nuk ka anëtarësim në BE pa njohjen e Kosovës.

“Vizita e zonjës Angela Merkel në Beograd dhe në Tiranë është një vizitë kortezie, lamtumire me porosi të veçanta që proceset e nisura në Ballkan të vijojnë edhe më tej drejt zgjidhjes së konflikteve. Merkel e tha hapur në Tiranë se interesi gjeostrategjik i Gjermanisë në Ballkan është stabiliteti. Paqja dhe stabiliteti kalojnë nga dialogu i Kosovës me Serbinë, nga funksionaliteti i shteteve, përfshirë Bosnjë-Hercegovinën dhe nga pranimi i secilit shtet të shtetit tjetër. Edhe sa i përket Kosovës zonja Merkel i tha presidentit të Serbisë se ai duhet ta njohë shtetësinë e Kosovës për t'u anëtarësuar në BE. Vuçiq ripohoi kërkesën e zonjës Merkel dhe kaq. D.m.th ai u pajtua me faktin se Serbia nuk mund të përparojë e të anëtarësohet në Bashkimin Evropian nëse ajo ende nuk e ka njohur shtetin e Kosovës”, ka thënë ai.

Sipas profesorit, lëvdata e Merkel se Vuçiq është lider që e mban fjalën, është nxitje që ai ta bëjë këtë por se ajo dhe të gjithë e dinë se ai dhe Serbia nuk e mbajnë fjalën.

“Por a është i sinqertë Aleksandër Vuçiq në deklarimin e tij? Sido që kancelarja gjermane e lavdëroi presidentin e Serbisë si një lider "që e mban fjalën", unë mendoj se kjo lëvdatë shpreh të kundërtën, ndaj zonja Merkel e nxiti zotin Vuçiq që t'i përmbahet fjalës, marrëveshjeve dhe premtimeve që ka bërë në të kaluarën dhe mund të bëjë edhe tani. D.m.th Merkel dhe gjithkush e di se presidenti serb, qeveria serbe, politikanët serbë vetëm mashtrojnë dhe nuk dinë e nuk duan të mbajnë fjalën që e japin. Edhe kancelarja e di se Vuçiq përveçse është demagog, është edhe mashtrues”, është shprehur Bytyçi.

Image
Profesor Enver Bytyçi

 

Derisa ai ka thënë se liderë si Rama dhe Vuçiq nuk janë të besueshëm e mashtrojnë, ka shtuar se ai nuk mund të jetë i besueshëm me lidershipin evropian, derisa thellon marrëdhëniet me Serbinë në të gjitha fushat.

“Një lider politik si ai, që BE-së i premton shumë dhe nga ana tjetër thellon marrëdhëniet ushtarake, politike, ekonomike, kulturore e në të gjitha fushat me Rusinë, nuk mund të jetë i besueshëm për lidershipin evropian e sidomos për atë gjerman. Prandaj dhe unë nuk mendoj se Vuçiq po shkon drejt lëshimeve. Përkundrazi, ai u përpoq të ishte korrekt me kancelaren e Gjermanisë, të respektonte një protokoll përcjelljeje dhe kaq. Liderë autoritarë si Aleksandër Vuçiq dhe Edi Rama kurrë nuk janë të besueshëm. Ata thjesht mashtrojnë”, ka theksuar profesori.

Bytyçi ka vlerësuar se edhe Rama mashtroi në konferencën me Merkel dhe ishte i nervozuar, i dridhej zëri nga frika se Merkel do t’i kuptonte mashtrimet e tij.

“Edhe kryeministri i Shqipërisë mashtroi sot fund e krye me ato që foli në krah të kancelares Merkel në Tiranë. Vesi del me shpirtin. I mësuar t'i mashtrojë shqiptarët, tani tenton të mashtrojë ndërkombëtarët. Por ka mundur të mashtrojë ndërkombëtarët e korruptuar, por jo zonjën Merkel. Prandaj ishte i frustruar, madje i nervozuar gjatë konferencës për shtyp në Tiranë. I dridhej zëri, nga frika se Merkel i kupton mashtrimet e tij. E mashtroi edhe për Open Balkanin”, ka potencuar Enver Bytyçi.

Duke folur për njohjen nga Serbia, profesori mendon se kjo nuk do të ndodhë derisa kjo e fundit përkëdhelet edhe kur provokon Kosovën, derisa ka shtuar se Vuçiq është nxënës i Milosheviçit dhe nuk di të jetë evropian, demokrat apo lojal.

“Merkel dhe Gjermania prej kohësh kanë kërkuar njohjen e Kosovës nga ana e Serbisë. Por kjo nuk ka ndodhur dhe nuk do të ndodhë nëse BE dhe kryeqytetet evropiane do të vazhdojnë ta përkëdhelin presidentin serb edhe kur provokon Kosovën, edhe kur ndërhyn në Mal të Zi, edhe kur mbështet Republikën Srpska për shkatërrimin e shtetit të Bosnjë-Hercegovinës. Aleksandër Vuçiq njeh vetëm forcën, por jo karotën. Është nxënës i bindur i Milosheviçit ai! Nuk di të jetë evropian, demokrat apo loajal. Prandaj dhe njeh presionin e forcës evropiane dhe amerikane”, ka deklaruar ai.

Krejt në fund, ai ka thënë se për Merkelin Kosova do të duhej të ishte shtet me ritme të sigurta në integrimin evropian, por kjo nuk ka ndodhur për shkak të ndërhyrjes së Rusisë në ngjarjet në Ballkan, derisa shton se ajo bën lojëra me Serbinë, ku kjo e fundit do vetëm fondet e BE-së dhe jo që të jetë pjesë e saj, andaj sipas Bytyçit, këtë ndoshta e ka kuptuar Merkel apo dikush tjetër dhe ka ndonjë strategji që t’ia dështojë përpjekjen Serbisë.

“Për Merkelin Kosova do të duhej të ishte tashmë jo vetëm shtet i njohur ndërkombëtarisht, por edhe një shtet me ritme të sigurta në integrimin evropian. Por kjo nuk ka ndodhur, sepse në këto procese dhe në ngjarjet në Ballkan kanë interferuar fuqi dhe aktorë të tjerë gjeopolitikë, sidomos Rusia. Rusia ka qenë historikisht aleate e Serbisë dhe kështu do të vazhdojë të jetë për shumë dekada e ndoshta për gjithmonë. Prandaj nuk shoh ndonjë interes të Beogradit për t'u bërë anëtar i Bashkimit Evropian. Liderët politikë të Beogradit thjesht luajnë me qëllim që të përfitojnë fonde nga Brukseli, por jo se Serbia dëshiron të bëhet pjesë e BE-së. Se kur do ta kuptojnë këtë lojë të fëlliqur serbe evropianët, këtë nuk di ta them. Ndoshta Merkel e ndonjë tjetër e ka kuptuar këtë dhe kanë ndonjë strategji për ta dështuar një përpjekje të Serbisë të momentit të fundit, për të thënë: "Jo ne do të jemi anëtarë të Unionit Euro-Aziatik të themeluar nga Rusia dhe nuk do të jemi anëtare të Unionit Evropian”, ka përfunduar profesori Enver Bytyçi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat