“Nuk besonin kurrë se kjo do të ndodhë”/ Paralajmërimi: Filloi zbulimi i vrasëseve të figurave të LDK-së

Politika

“Nuk besonin kurrë se kjo do të ndodhë”/ Paralajmërimi: Filloi zbulimi i vrasëseve të figurave të LDK-së

Nga: P.R Më: 15 shtator 2021 Në ora: 21:23
Salih Mustafa

Gjatë ditës së sotme ka filluar gjykimi në Hagë ndaj Salih Muustafës. Cezary Michalczuk, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka paraqitur, sipas tij, faktet që e bëjnë Sali Mustafën përgjegjës për krimet e pretenduara të kryera në Zllash gjatë vitit 1999.

“I akuzuari dhe vartësit e tij akuzonin viktimat si spiunë dhe kolaboracionistë, ndërkohë që ishin të papabazuara këto akuza, ato ishin një hallkë midis konfliktit të armatosur dhe krimeve të kryera nga i akuzuari dhe vartësit e tij”, është shprehur Michalczuk.

Sipas tij, viktimat e Salih Mustafës ishin pjesë e LDK-së.

“Asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë. Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”, ka deklaruar Michalczuk.

E kjo deklaratë ka nxitur reagimin e analistit politik, Faton Mehmeti, sipas të cilit tanimë po del në pah e vërteta e vrasjeve të anëtarëve të LDK-së.

Image
Faton Mehmeti

“Më në fund po fillon të del në pah e vërteta e munguar për vrasjet e figurave të LDK. Ndonëse ata që i vranë nuk besonin kurrë se një gjë e tillë do të ndodh, dita e sotme është fillimi i fundit të vrasëseve dhe urdhërdhënësve të figurave të LDK-së”, deklaron Mehmeti.

Sipas tij, kjo është ditë e rëndësishme dhe lehtësi për familjarët e të vrarëve.

“Kushdo që ka vrarë shqiptarë vetëm për përkatësi të ndryshme partiake është kriminel dhe si i tillë të dënohet, megjithatë të presim fundin e gjykimit për të dalur e vërteta e plotë. Por, sot ka filluar të shndrit drita në fund të tunelit për enigmën mbi 20 vje1are të ish anëtarëve të LDK”, shprehet Mehmeti.

Më tej, analisti Mehmeti thotë se edhe Hashim Thaçi më të tjerët akuzohen për vrasjen e anëtarëve të LDK-së, gjë të cilën do ta zbulojë edhe Gjykata Speciale.

“Nëse nuk zbulohen emrat e urdhërdhënësve dhe atyre që vranë ish aktivistët e LDK atëherë Gjykata Speciale dështon, ky është misioni i saj dhe besoj se e vërteta do të dal në pah. Edhe Thaçi dhe të tjerët akuzohen për këto vrasje, kështu që Gjykimi në Hagë do i nxjerr në pah të gjitha”, përfundon për “Bota sot”, analisti politik Faton Mehmeti.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat