“Strategjia serbo-sllave ka cak këto territore të Kosovës”/ Analisti thotë se Edi Rama po e mbështet atë

Politika

“Strategjia serbo-sllave ka cak këto territore të Kosovës”/ Analisti thotë se Edi Rama po e mbështet atë

Nga: A.Morina Më: 16 shtator 2021 Në ora: 23:53
Edi Rama dhe Aleksandër Vuçiq

Jo rrallë herë e kemi dëgjuar planin për shkëmbimin e territoreve, apo ndarjen e Kosovës.

Kjo është një nga temat më të ndjeshme, që sa herë që trajtohet merr vëmendjen e opinionit publik.

Së fundi, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti ka deklaruar se projekti i shkëmbimit të territoreve është i vdekur por ideja ende jo.

Kurti ka thënë se një ide të tillë e mban të gjallë Beogradi.

Ndërsa, opinionisti Skënder Kapiti në një prononcim për gazetën “Bota sot” u shpreh se kryeministri Kurti po i përmbahet asaj që ka deklaruar edhe më parë, se është kundër kësaj ideje anti-shqiptare.

Image
Opinionisti Skënder Kapiti

“Kreu i Qeverisë së Kosovës, Albin Kurti, në një intervistë për Al Jazeera ka potencuar se është kundër idesë së shkëmbimit të territoreve. Kurti i përmbahet asaj të cilës ai gjithmonë e ka kundërshtuar dhe kjo është edhe e pritshme, pasi edhe në fushatë ai ka qenë kundër kësaj ideje antishqiptare dhe sidomos anti-Kosovë”, tha Kapiti.

Mirëpo, ai potencoi se këtë projekt kundër shqiptarëve po e mbështet fatkeqësisht edhe kryeministri Edi Rama.

Kapiti përmendi edhe faktin se shumë intelektual dhe opinionistë e kanë kundërshtuar këtë marrëveshje legjitimon dhe ndihmon në formimin e ‘Serbisë së Madhe’.

“Kjo ide fatkeqësisht ka pasur mbështetje të fuqishme edhe nga kryeministri i Shqipërisë, Edi Rama. Këtë ide në mënyrë të vazhdueshme, edhe me këmbëngulje e ka kundërshtuar gazeta gjithëkombëtare “Bota sot”, falë së cilës na është mundësuar edhe ne opinionistëve dhe intelektualëve që të shprehim kundërshtinë tonë, kundër kësaj marrëveshjeje antishqiptare që legjitimon dhe ndihmon në formimin e Serbisë së Madhe”, theksoi ai.

Në vazhdim, Kapiti vlerësoi se kjo ide serbo-sllave për shkëmbimin e territoreve do ta cenonte rëndë shtetësinë e Kosovës.

Po ashtu, opinionisti tha se publiku në Kosovë e ka mirëpritur faktin se ish-presidenti Thaçi është jashtë politikës, pasi ai nuk ka më mundësi që të punojë në realizimin e asaj ideje famëkeqe antishqiptare.

“Kjo lloj marrëveshje e ideuar nga strategjia serbo-sllave do të cenonte rëndë territorin e Kosovës dhe do t’i mundësonte Serbisë që ajo të merrte territoret shqiptare të Kosovës, madje ato më të pasura në burime minerare e ujore. Nëse, sot Hashim Thaçi është para drejtësisë për akuza të tjera, opinioni publik në Kosovë më shumë e ka mirëpritur këtë fakt për arsye se duke qenë Hashimi jashtë politikës, kjo është një favor i madh për Kosovën pasi tashmë nuk është ai President dhe nuk ka më mundësi që të punojë në realizimin e asaj ideje famëkeqe antishqiptare”, nënvizoi ai.

Në fund, opinionisti potencoi se as Bashkimi Evropian nuk e pranon këtë plan serb, pasi kjo do të shkaktonte konflikte në rajon dhe do të shkonte në favorin e shtetit rus.

“Edhe BE nuk është dakord me këtë plan-ide serbe pasi kjo do të shkaktonte domosdo edhe ndezjen e konflikteve në rajon e pse jo edhe më gjerë. Një plan-ide e tillë është në favor të Beogradit, por edhe të Rusisë e cila kërkon edhe ajo që të rrëmbejë territore nga ish-republikat e Bashkimit Sovjetik”, përmbylli Skënder Kapiti, përcjell “Bota sot”.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat