LDK-ja hesht për të vrarët e saj, ‘Gjarprit’ i kanoset rreziku

Politika

LDK-ja hesht për të vrarët e saj, ‘Gjarprit’ i kanoset rreziku

Hava Orana Xhukolli Nga Hava Orana Xhukolli Më 17 shtator 2021 Në ora: 21:25
Viktimat e vrasjeve politike në Kosovë

Të mërkurën është mbajtur seanca gjyqësore ndaj Salih Mustafës në Hagë, i akuzuar për krime lufte. Në seancën gjyqësore, Prokurori i Specializuar Jack Smith tha se Mustafa është i akuzuar për vrasjen e shqiptarëve. Madje publikoi disa pamje nga vendi dhe shtëpia ku pretendohet se janë kryer krimet.

Ndërsa Cezary Michalczuk, nga Zyra e Prokurorit të Specializuar, ka paraqitur, sipas tij, faktet që e bëjnë Sali Mustafën përgjegjës për krimet e pretenduara të kryera në Zllash gjatë vitit 1999.

I akuzuari dhe vartësit e tij akuzonin viktimat si spiunë dhe kolaboracionistë, ndërkohë që ishin të papabazuara këto akuza, ato ishin një hallkë midis konfliktit të armatosur dhe krimeve të kryera nga i akuzuari dhe vartësit e tij”, është shprehur Michalczuk.

Ai tha më tutje se asnjë prej provave të mbrojtjes nuk i hedh poshtë akuzat, alibia nuk i hedh poshtë ato. Mbrojtja pretendon se krimet thjeshtë nuk kanë ndodhur fare, asnjëherë.

Sipas tij, viktimat ishin nga Lidhja Demokratike e Kosovës.

Pretendojnë se nuk ka pasur as marrje në pyetje, rrahje, keqtrajtim apo abuzim. Sipas tyre asnjëra prej këtyre krimeve nuk kanë ndodhur. Provat do të dëshmojnë se këto krime kanë ndodhur dhe që Mustafa është përgjegjës për to. Të gjitha viktimat ishin shqiptarë të Kosovës. Askush nga burrat e ndaluar nuk përbënte kërcënim ushtarak për UÇK-në. Ata po përpiqeshin të siguronin jetesën duke bërë tregti nëpër tregje lokale. “Faji” i tyre ishte se i përkisin një partie të caktuar politike – LDK-së”, tha prokurori Michalczuk.

Deri më tani janë vrarë shumë zyrtarë dhe veprimtarë të LDK-së, ndërsa vrasjet e tyre nuk janë zbardhur ende.

Gazeta “Bota sot” ka kontaktuar zyrtarë dhe deputetë të LDK-së pas deklaratës së prokurorit të specializuar për vrasjet e LDK-së, mirëpo asnjë nga zyrtarët e kësaj partie nuk kanë dashur të komentojnë këtë deklaratë.

Kështu Bajram Gecaj ka thënë se nuk mund të përgjigjet, derisa Teuta Sahatqija, Besa Gaxherri, Lirije Kajtazi, Valentina Bunjaku nuk janë përgjigjur fare.

Demaj: Deklarata e prokurorit një akuzë ‘bombë’

Gazeta ka kontaktuar edhe një ish pjesëtar të Ushtrisë Ҫlirimtare të Kosovës, Vendim Demaj, rreth kësaj deklarate për vrasjet e kryera në kohën e luftës.

Demaj ka thënë se deklarata e prokurorit është një ‘akuzë’ bombë, pasi njëri ndër të akuzuarit e Hagës akuzohet për vrasje të shqiptarëve, të kundërshtarëve politikë.

Këto ditë ka rifilluar seanca ndaj katër ish gjeneralëve të UÇK-të, të akuzuar nga Gjykata Speciale. Ajo çfarë ka marrë jehonë në opinionin publik, është fakti që Prokurori i specializuar ka lëshuar një akuzë "bombë", duke thënë se njëri nga katërshja e ndaluar do të akuzohet për vrasje të shqiptarëve, pikërisht të kundërshtarëve të tyre politikë. Duke qenë se koha e vrasjeve politike përkon menjëherë pas luftës, memoria është shumë e freskët dhe të gjithë jemi koshient se shumica e atyre vrasjeve kanë qenë ish funksionarë të lartë politikë ndër radhët e LDK-së, për të cilat atë kohë LDK akuzonte individë të veshur me pushtet, ndër të akuzuarit ishin ish kreu i SHIK-ut dhe ish Shefi i Drejtorisë Politike të UÇK-së”, ka thënë ai.

Sipas tij, edhe pse denoncimet publike ishin me rrezik, çdo gjë është dokumentuar nga individë të ndryshëm të cilët kanë dëshmuar me vullnetin e tyre pranë togave të zeza.

Këto akuza dihet që rëndojnë mbi gjarprin e Kosovës, si urdhëruesin e atyre vrasjeve politike, pasi ai ka qenë shprehur disa herë se duhet të ndëshkohet politika pacifiste rugoviane, ku përkrahësit e LDK-së shiheshin dhe konsideroheshin tradhtarë dhe sabotues të luftës çlirimtare. Për ata që kanë qenë të vëmendshëm dhe koherent me zhvillimet e kohës, janë të vetëdijshëm që akuza për vrasje të ish politikanëve të LDK-së, do të bëhen publike për Hashimin si urdhërues i atyre eliminimeve”, ka deklaruar Demaj për ‘Bota sot’.

Ai thotë se ‘nuk duhet të harrojmë Komunikatën Nr 59, në emër të ish Shtabit të Përgjithshëm, që trillonte dhe shpifte për familjen GECI, vetëm për të njollosur meritat, kontributin dhe angazhimin e kësaj familje patriotike në luftën çlirimtare të Kosovës dhe të çështjes Kombëtare’.

Falë këmbënguljes dhe guximit të vëllezërve GECI, të cilët nuk pranuan të heshtin ndaj këtij trillimi të turpshëm, arritën që të bëjnë zbardhjen e të vërtetës së asaj Komunikate trilluese dhe poshtëruese, ku urdhëruesi i saj kishte qenë Hashim Thaçi, i cili nga pozicioni i Presidentit të Republikës së Kosovës u detyrua që të kërkoj ndjesë publike për familjen GECI. Pra tani është koha që "GJARPRI" i Kosovës të përgjigjet dhe mbaj përgjegjësi për urdhëresat vrasëse që ka lëshuar në kohën e sundimit të tij”, është shprehur Vendim Demaj.

Profesor Bytyҫi: Edhe të akuzuarit e tjerë do të akuzohen nga kjo prokurori për vrasje, tortura dhe pengmarrje të shqiptarëve

Ndërkaq, profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare, Enver Bytyҫi, duke komentuar këtë deklaratë thotë se përveç Mustafës, edhe të akuzuarit e tjerë do të akuzohen njëjtë për vrasje, tortura e pengmarrje të shqiptarëve.

Image
Enver Bytyçi

Në Hagë filloi procesi i gjykimit të personave, të cilët prokuroria speciale i ngarkon me përgjegjësi për krime lufte. Seancat gjyqësore janë gjithashtu edhe seanca të hetimit tashmë nga ana e kësaj gjykate, në të cilën ballafaqohen të akuzuarit dhe avokatët e tyre nga njëra anë, si dhe prokurorët nga ana tjetër. Salih Mustafa është personazhi i parë që përgjigjet nga banka e të akuzuarve. Prokurori Special i Gjykatës së Hagës ka komentuar se ai ngarkohet me përgjegjësi për vrasjen, torturat dhe linçimin e personave të ndryshëm, të gjithë shqiptarë dhe aktivistë të Lidhjes Demokratike të Kosovës. Jam i bindur se edhe të akuzuarit e tjerë do të akuzohen nga kjo prokurori për vrasje, tortura dhe pengmarrje të shqiptarëve. Nëse do të përmendet ndonjë pjesëtar i ndonjë nacionaliteti tjetër, do të merret vesh se ka qenë thjesht rastësi”, ka thënë Bytyҫi.

Profesor Bytyҫi thotë për “Bota sot” se shumë nga drejtuesit e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës e nisën kryengritjen duke krijuar ndasi të tmerrshme politike në Kosovë.

Kjo është një histori më vete. Nuk do të doja që deri sa të mbylleshin plagët e krimeve serbe, pra derisa të merrte fund konflikti me Serbinë, të diskutohej për krime të shqiptarëve kundër shqiptarëve. Por e vërteta, edhe pse e hidhur, nuk mund të mbulohet. Unë vetë kam botuar në maj të vitit 1998 në revistën "KOHA" një reportazh të dikujt nga lufta ne rajonin e Junikut. Në atë reportazh thuhej se në shtabin e UÇK-së paraqiteshin shumë të rinj shqiptarë të Kosovës për t'u radhitur me Ushtrinë Çlirimtare të Kosovës. Por para se këta të rinj të rekrutoheshin në UҪK, ata pyeteshin se me kë ishin. Shkurt u kërkohej nëse ishin me Rugovën apo jo. Atyre që thoshin se "Jo nuk jemi me Rugovën", ua hidhnin fotografinë e presidentit historik te këmbët dhe i urdhëronin "Shkele me këmbë", ka vlerësuar ai.

Ai thotë më tutje se lufta ka nisur me përçarje mes fraksioneve të UҪK-së dhe FARK-ut. Këta të fundit, sipas tij, kanë lëshuar rrugën, ndryshe do të shkohej në luftë civile.

Ky fakt është pasqyruar në një nga numrat e parë të revistës që unë botoja atëherë "Koha". Por faktet e tjera janë zbuluar më vonë. Me këtë dua të them se lufta nisi me përçarje. Përçarja ndodhi edhe midis fraksioneve të kësaj lufte, UÇK-së dhe FARK-ut. FARK-u u detyrua të lëshojë rrugë, ndryshe do shkohej në luftë civile. Dhe enveristët që dominonin komandën e Ushtrisë Çlirimtare të Kosovës ishin të gatshëm për një luftë vëllavrasëse. Ndaj jam i bindur se akuzat e atyre që sot gjenden në Hagë bazohen te urrejtja dhe dasitë politike të asaj kohe. Për këtë shkak viktimat kryesore janë anëtarët e Lidhjes Demokratike të Ibrahim Rugovës”, ka theksuar profesori.

Megjithatë ai thotë se vrasjet kanë ndodhur dhe përgjegjësit duhet të japin llogari për këto vrasje, dhe nëse shpallen fajtorë shqiptarët për vrasjen e shqiptarëve ata janë edhe përçarës të kombit shqiptarë.

Ndërkaq vrasjet kanë ndodhur, nënat e shqiptarëve të vrarë i kanë qarë me lot bijtë e tyre. Ata kanë emër e mbiemër dhe nuk janë pak, por me tri shifra. Dikush ata i ka vrarë. Dikush tjetër ka urdhëruar vrasjen e tyre. Nëse janë Hashim Thaçi dhe personat e tjerë që sot gjenden në Hagë, këtë duhet ta provojë Gjykata Speciale. Uroj të shpallen të pafajshëm. Por nëse shpallen fajtorë ata do të konsiderohen jo vetëm si vrasës të shqiptarëve, por edhe si përçarës dhe armiq të kombit shqiptar. Shqiptari nëse vret shqiptarin, ai nuk është shqiptar. Edhe nëse dikush dyshohet se i bën tradhti atdheut. Në çdo sistem të së drejtës fajësia hetohet e provohet, pastaj gjykohet nga gjyqtarë legjitimë. Nëse ndodh që edhe në kohë lufte, drejtësinë ta vendosë një njeri i vetëm, ose një shtab jo legjitim, atëherë ky është krim i shëmtuar”, ka potencuar ai.

Profesori i marrëdhënieve ndërkombëtare thotë se viktimat, shumica dërmuese e të cilëve anëtarë të Lidhjes Demokratike, nuk gjejnë paqe pa u dënuar dhe ndëshkuar fajtorët.

Kosova me të drejtë kërkon dënimin e kriminelëve serbë që kanë shkaktuar në Kosovë mbi 15 mijë viktima. Drejtësi duhet kërkuar edhe për viktimat e hakmarrjes dhe urrejtjes politike në Kosovë. Edhe nëse shtatë të akuzuarit e Hagës, përfshirë dhe Mustafën, shpallen të pafajshëm, atëherë drejtësia duhet të nisë hetime në pista të tjera të krimit të shëmtuar që ka ndodhur. Asnjë krim nuk duhet të mbetet anonim dhe kriminelët të jenë të lirë. Nëse e realizon këtë Gjykata Speciale e Kosovës në Hagë, atëherë ajo duhet nderuar dhe respektuar”, tha profesori Enver Bytyҫi për “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat