Vendimtare SHBA dhe Gjermania/Analisti nga Amerika tregon shqiptarët që po ia zgjasin mandatin Vuçiqit - kritika për opozitën

Politika

Vendimtare SHBA dhe Gjermania/Analisti nga Amerika tregon shqiptarët që po ia zgjasin mandatin Vuçiqit - kritika për opozitën

Nga: G.B Më: 18 shtator 2021 Në ora: 10:51
Aleksandër Vuçiq, Zoran Zaev dhe Edi Rama

Presidentit të Serbisë, Aleksandër Vuçiq, iu bë e qartë edhe njëherë se duhet ta njohë Kosovën dhe se pa e bërë këtë nuk mund të anëtarësohet në BE.

Këtë ia tha kancelarja gjermane Angela Merkel në vizitën lamtumire në Ballkanin Perëndimor, derisa qëndroi në Serbi.

E Vuçiq tha se e ka kuptuar këtë, se duhet ta njohë Kosovën, por në anën tjetër, ai vazhdimisht deklaron se nuk do ta bëjë këtë.

Se a do të ndryshojë në vazhdimësi, pas vizitës me Merkel, mbetet të shihet.

Lidhur me këtë, analisti nga Amerika, Ramazan Bekteshi, ka thënë për gazetën “Bota sot” se qëndrimi i Merkel ka qenë çdoherë se një mision që nis duhet të përfundojë, derisa ka vlerësuar se Merkel po largohet nga politika duke e lënë të papërfunduar çështjen e Kosovës, derisa për këtë tregon kush janë fajtorët.

“Qëndrimi i zonjës Merekel për Kosovën gjithmonë ka qenë më i avancuar dhe më pragmatik se sa ai homologëve të saj në BE. Ajo përherë e ka pas ndërmend një mision që fillohet dhe duhet të kryhet. Fatkeqësisht me fajin e BE-së dhe politikanëve tanë ky mision s’u përmbush derisa zonja e hekurt qe në pushtet. Ajo largohet nga politika me plot suksese për vendin e saj, por me plotë rënie e përçarje të BE-së. Por, ajo largohet me dinjitet, gruaja më modeste dhe njëkohësisht më e pushtetshmja në rruzullin e tokës. Ajo largohet duke e lenë të papërfunduar dhe zvarre çështjen e Kosovës, për shkak të politikaneve tanë injorantë me dekada dhe për shkak të Vuçiqit që luan me BE-në sa herë që ka nevojë, por edhe duke flirtuar herë me Rusinë e herë me Kinën”, është shprehur ai.

Sipas tij, Vuçiq i ka mashtruar tre shqiptarët që i janë afruar, Thaçin, Ramën dhe Zaevin.

“Vuçiq është një kriminel lufte, një politikan mashtrues, ai jo vetëm që i mashtroi shumë politikanët ndërkombëtarë, ai i mashtroi edhe tre shqiptarët faqe zi, që u afruan aq afër Vuçiqit (HTH, Rama, Abaziviq) por që plani i këmbimeve të territorit i Thaçit dhe Vuciqit ra për një moment por ende s’ka vdekur, (pasi Thaçi ndodhet në Hagë). Veprimet e Thaçit për këmbim territoresh janë më të njohura, si dhe kritikat e Ramës në dëm te Kosovës dhe në përkrahje të Serbisë. Derisa Rama furishëm vazhdon të qortojë Kosovën gjoja për “politikat e saja “konspiracioniste””, urrejtja e Ramës për qeveritarët tanë vazhdoi edhe në sy të kancelares gjermane në pres konferencë derisa ajo me befasi e shikonte si vjell Rama helm ndaj Kosovës. Derisa Merkel ndoshta në mendjen e saj e konsideron Kosovën dhe Shqipërinë si dy Gjermanitë e ndara dikur, andaj ajo edhe me qëllim e zgjodhi Tiranën për takimin e saj të fundit me shqiptarët, një simbolikë e bukur”, ka thënë ai.

Sipas Bekteshit, Vuçiq ka thënë fjalë me peshë vetëm në prezencë të Merkelit, pasi sapo të shkojë ajo, ai vazhdon me retorikën e tij luftënxitëse dhe urrejtëse, derisa Merkel ka një përkrahje të fuqishme për Kosovën.

Image
Ramazan Bekteshi

“Derisa, Merkel dhe Gjermania kërkojnë njohjen e Kosovës para anëtarësimit të Serbisë në BE, Vuciqi vetëm bëhet demokrat dhe zgjedh fjalë për paqe por vetëm derisa është në prezencë me njerëz me peshë si Merkel, mirëpo, posa të shkojë ajo, dhe derisa ky ta adresojë Serbinë, ai zgjedh atë retorikën e tij luftënxitëse dhe urrejtëse si me ato fjalët bajate të ripërsëritura, “askush s’guxon të ofendojë Serbinë” edhe pse ajo ka kryer gjenocid ndaj shqiptarëve e boshnjakëve. Nuk ka dyshim se Merkel me përkrahjen e saj të fuqishme dhe shpesh shpresëdhënëse për qytetarët kosovarë ka pas një rendësi të madhe morale. Derisa Merkel po perëndon në politikë, mbetet të shihet se a do t’i përçojë pasardhësi i saj politikat e saja pragmatike për BE-në dhe Evropën”, është shprehur ai.

Më tej, ai ka shtuar se Vuçiq nuk është zbutur por ai është mjeshtër i mashtrimit dhe se derisa ai të jetë në pushtet, nuk ka paqe me shqiptarët dhe serbët. Sipas tij, opozita për inati të Kurtit është gati ta kall Kosovën, por janë ata që e falën Çakorrin e themeluan Asociacionin.

"Nëse Vuçiq e thotë një fjale më të butë për Kosovën, njerëzit e fitojnë atë përshtypjen e gabuar se ai është zbutur, se bashkësia evropiane bën presion etj. Por kjo nuk qëndron fare, sepse ai është mjeshtër i mashtrimit, ai i ndërron mendimet shpesh dhe në forma kontradiktore por pa u turpëruar ashtu si paraardhësit e tij që e rritën dhe e edukuan në frymën e tyre, (Millosheviqit dhe Sheshelit). Derisa të jetë në pushtet Vuçiq, nuk ka paqe me shqiptarët dhe serbët, edhe pse në orbitën e Vuçiqit navigojnë Shqipëria e Ramës, dhe Mali i Zi i Abazoviqit, dhe MV e Zaevit, partia e të cilit tradicionalisht ka qenë pro serbe. Këtyre zërave u ndihmon edhe heshtja e opozitës kosovare e që i bie se heshtja është aprovim. Bilës, Amb. Çitaku thotë se ‘Open Balkan” nuk është i dëmshëm derisa për Ramën thotë se nuk është tradhtar, edhe pranë asaj se Kancelarja Merkel është kundër nismës se Ramës e Vuçiqit, por ja që Çitaku qëndron në anën e Ramës edhe atëherë kur Kosova kërcënohet e kritikohet si sot në mes të Tiranës para syve të Merkelit...Pra, opozita kosovare për inat të Kurtit dhe nga inati se e humbi pushtetin dhe privilegjet është në gjendje të kall Kosovën, dhe dialogut t'i jep një domethënie tragjike e tradhtie akoma pa filluar nga qeveria. Por, tradhtinë e bënë vetë duke falur Çakorrin, duke themeluar Zajednicën, një kancer që vazhdon të përhapet në çdo pore të Kosovës, dhe kryesit e këtyre tradhtive jo vetëm që janë te lire, por edhe japin leksione urrejtje, pandërprerë", ka theksuar analisti nga Amerika.

Ai vlerëson se shanset për paqe do të rriten kur Vuçiq të përfundojë në Hagë për krime kundër njerëzimit, por që shton se derisa ka shqiptarë që ia zgjasin pushtetin, ai do të jetë në jetë ende, ndërsa që mendon se vetëm kundërpërgjigja e Gjermanisë dhe SHBA-ve, janë vendimtare për largimin e Vuçiqit dhe për një paqe të qëndrueshme në Ballkan.

"Sipas opinionit tim, derisa të jetë Vuçiq në pushtet nuk do të këtë paqe në mes Kosovës dhe Serbisë. Kur ai të përfundojë në Hagë për krime kundër njerëzimit mundet edhe të rriten shanset për paqe. Vetëm tradhtarët dhe njerëzit e marrë mund t’i besojnë Vuçiqit. Vuçiqi është një skile që e mban pushtetin me retorikë të ashpër ndaj shqiptarëve dhe ai s’ka nevojë që ta zbus atë politikë që të humb pushtetin. Por derisa ka vasalë shqiptarë që ia zgjasin jetën politike, Vuçiqin do ta shihni në ekrane për aq kohe sa Sanxhaku dhe Federata e Bosnjës të flenë, e derisa Rusia i rrit apetitet për Ballkanin. Vetëm kundërpërgjigjja e Gjermanisë dhe SHBA-ve janë vendimtare për largimin e Vuçiqit dhe për një paqe të qëndrueshme në Ballkan", ka deklaruar Ramazan Bekteshi për gazetën "Bota sot".

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat