“Kush nga kush është vrarë”/ LDK nuk arriti ta zbardhë asnjë vrasje të intelektualëve të saj, analistët kanë një thirrje

Politika

“Kush nga kush është vrarë”/ LDK nuk arriti ta zbardhë asnjë vrasje të intelektualëve të saj, analistët kanë një thirrje

Arife Morina Nga Arife Morina Më 19 shtator 2021 Në ora: 10:07
Foto ilustrim

Vrasja e intelektualëve dhe aktivistëve të Lidhjes Demokratike të Kosovës para, gjatë dhe pas luftës, është një nga temat më të ndjeshme.

Ku tash e sa vite, ende nuk është zbardhur asnjë nga këto vrasje, por akuzat mes partive politike nuk janë ndalur.

Fillimisht, ishte LDK ajo që ka akuzuar PDK-në tash e një kohë për vrasjen e intelektualëve të saj.

Mirëpo, ajo çfarë tërheq vëmendje është fakti se pikërisht Lidhja Demokratike e Kosovës ka qenë një nga partitë politike që ka qëndruar më së shumti në pushtet dhe nuk ka arritur ta zbardhë as edhe një vrasje të vetme.

Po ashtu, LDK sa ishte në Qeveri, kishte ndarë buxhet për të akuzuarit e mundshëm të Speciales, për mbrojtjen e tyre.

Duke u bazuar në këtë fakt, analistët politik për gazetën “Bota sot” komentuan kto akuza të LDK-së ndaj PDK-së dhe stopimin e saj për zbardhjen e këtyre rasteve.

Ata kërkuan që të ndalen akuzat dhe kjo çështje t’i lihet organeve të drejtësisë.

Kelmendi: Akuzat shabllon dhe pa fakte nuk zgjidhin asgjë

Image
Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi

Profesori dhe njohësi i çështjeve politike, Muhamet Kelmendi në një prononcim për gazetën “Bota sot” foli për vrasjet e intelektualëve të LDK-së.

Sipas tij, dy nga çështjet më të përfolura në këtë aspekt janë “UÇK-ja ka vrarë shqiptarë” dhe “akuzat e LDK-së për vrasjen e aktivistëve të saj nga PDK”.

“Aktualisht janë dy çështje që janë paraqitur apo po shprehen në media. E para, është për rastet se gjoja UÇK ka vrarë shqiptarë dhe, së dyti akuzat e LDK-së për vrasjen e aktivistëve të saj nga PDK”, deklaroi ai.

Fillimisht, profesori beson se akuzat e Speciales se Ushtria Çlirimtare e Kosovës ka vrarë shqiptarë nuk qëndron, pasi krimet më të mëdha i ka kryer regjimi serb.

Mirëpo, prapë se prapë Kelmendi nuk e përjashtoi mundësinë që ka pasur edhe vrasje ndërmjet shqiptarëve.

“E para, akuzat e prokurorit në Gjykatën Speciale, nuk qëndrojnë. Në Kosovë, dihet se vrasjet dhe masakrat makabre i ka kryer regjimi serbomadh me makinerinë kriminale.

Ata kanë vrarë fëmijë, gra e pleq, kanë përdhunuar mbi 20 mijë femra shqiptare dhe i kanë dëbuar me dhunë rreth 1 milion shqiptarë.

Këto janë gjëra të ditura. Kjo nuk dmth se nuk ka pasur edhe ndonjë vrasje midis shqiptarëve, është e mundshme! Unë nuk di”, theksoi profesori.

Kurse, sa i përket akuzave se PDK i ka vrarë aktivistët e LDK-së, kërkoi nga kjo e fundit që të mos bëjë përgjithësime, por të tregojë kush kë e ka vrarë.

“Lidhur me çështjen e dytë, të cilen LDK e ka lansuar tash e 20 vite për vrasjet e anëtarëve të LDK-së nga PDK, i takon Prokurorisë të Specializuar të merret me ato akuza.

Po kështu, është e rrugës që LDK mos të bëjë akuza të përgjithshme, por le të konkretizohet. Kjo dmth se duhet thënë kush nga kush është vrarë, pasi vetëm kështu ndihmohet prokuroria në kapjen dhe në dënimit e vrasësve”, nënvizoi Kelmendi.

Krejt në fund, profesori tha se lidhur me këto vrasje tash e 20 vite nuk është zbuluar asgjë, ndonëse LDK dhe PDK ishin dy partitë kryesore që e udhëhoqën vendin gjatë këtyre viteve.

“Përndryshe, akuzat shabllon dhe pa fakte nuk zgjidhin asgjë, aq më tepër kur që 20 vite është në pushtet LDK me PDK dhe asgjë nuk është zbuluar”, përfundoi Muhamet Kelmendi.

Krasniqi: LDK s’ ka dashur t'i dërgojë këto procese përpara për të gjetur të vërtetën

Image
Analisti politik, Islam Krasniqi

Ndërsa, analisti politik, Islam Krasniqi e cilësoi si turp të madh përmendjen e këtyre vrasjeve në prag të zgjedhjeve lokale.

Ai në një prononcim për gazetën “Bota sot” tha se kjo po bëhet vetëm për ta përçarë popullin tonë.

“Ky është turpi më i madh që në vendin tonë praktikohet gjithmonë që vetëm në kohë zgjedhje, të kërkohen vota në emër të atyre që sot nuk janë në mesin tonë, të cilët u ekzekutuan nga shërbime të caktuar vetëm e vetëm për ta përçarë popullin tone”, deklaroi analisti.

Tutje, Krasniqi përmendi faktin se si LDK ka qenë në pushtet vitet e kaluara dhe asnjëherë nuk ka ndërmarrë diçka konkrete në zbardhjen e vrasjeve të intelektualëve të saj.

“Unë nuk kam besuar asnjëherë lidhur me këto akuza as nuk besoj as sot, pasi që nuk ka logjik të shëndosh të mendohej ajo që potencoi prokurori i Dhomave të Specializuara. Por edhe ajo që citon LDK-ja, ku gjithmonë kanë qenë në pushtet në mënyrë direkte apo indirekte, por që s'ka dashur t'i dërgojë këto procese përpara për të gjetur të vërtetën, të cilën familjarët dhe populli e presin çdo ditë”, nënvizoi ai.

Ndër të tjera, analisti tha se nuk duhet të ngutemi në këtë proces, pasi është i ndjeshëm. Ai kërkoi t’iu lihet organeve të drejtësisë ta thonë epilogun e fundit, pasi në këtë mënyrë vetëm po ua shtojnë dhembjen familjarëve të të vrarëve.

“Nuk duhet të ngutemi në këtë proces që të gjejmë të vërtetën para organeve, të cilët janë të thirrur për këtë çështje, por të presim fundin e epilogut. Gjithashtu, edhe LDK-ja duhet të largohet nga këto ide sepse s'po na dërgojnë askund, pos dhembjes që ju shtojmë familjarëve të tyre të cilët kërkojnë çdo ditë drejtësi!”, theksoi Islam Krasniqi.

Duhanaj: Drejtësia le ta thotë fjalën e vetë

Image
Analisti Leon Duhanaj

Kurse, analisti tjetër, Leon Duhanaj vlerësoi se Specialja është një derivat i raportit të Dick Marty-it.

Gjithashtu, ai u shpreh se kjo gjykatë është dashur të themelohet për mbrojtjen e kauzës së UÇK-së dhe jo e kundërta.

“Siç edhe është e njohur për opinionin publik, Gjykata Speciale rrjedhë si derivat i raportit akuzues të senatorit Dick Marty në Këshillin e Evropës. Pra, kjo gjykatë, është dashur të themelohet në mënyrë që të mbrohet kauza e UÇK-së, njëherësh edhe të demantohen akuzat monstruoze, të Dick Martyt, akuza të cilat edhe u dëshmua që kanë qenë të pabazuara”, tha ai.

Duhanaj gjatë prononcimit për “Bota sot” potencoi se shumica e dosjeve në gjykatën e Hagës janë deponuar nga Serbia dhe bashkëpunëtorët e saj.

Po ashtu, ai i përmendi edhe vrasjet e shqiptarëve, në veçanti vrasjet e intelektualëve të LDK-së dhe akuzat publike në lidhje me këto raste.

“Tani, në Gjykatën Speciale, janë deponuar dosje nga gjithkah dhe nga gjithkush, por shumica e të cilave janë të fabrikuara nga Serbia me bashkëpunëtorët e vetë, e që për synim kanë komprometimin e luftës së UÇK-së dhe barazimin e krimit.

Në anën tjetër, sipas deklarimeve publike, është e ditur se ka edhe akuza të tjera, siç janë ato për vrasjen e akterëve politik, kryesisht të LDK-së. Nuk e di nëse këto akuza publike, të jenë dorëzuar si dosje pranë Gjykatës, por dihet se ka pohime dhe akuza publike”, u shpreh Duhanaj.

Në vazhdim, ai kërkoi që të bëhet një dallim thelbësor, ku fillimisht të mbrohet lufta e UÇK-së dhe nëse ndodhë që ndonjërit i dëshmohet ndonjë krim individual, atëherë ai duhet të trajtohet si i veçantë.

“Për mendimin tim, këtu duhet bërë një dallim thelbësor. Së pari, duhet të kemi kujdes dhe ta mbrojmë kauzën e përgjithshme, e që është mbrojtja e kauzës së luftës çlirimtare të UÇK-së. Për ketë edhe janë ndarë fondet.

Ndërsa, nëse ndodh që ndonjërit i dëshmohet ndonjë krim individual, atëherë ai duhet të trajtohet si i veçantë dhe mos të futet nën ombrellën e UÇK-së”, potencoi analisti.

Në fund, ai bëri apel që të ndalen akuzat dhe drejtësia ta thotë fjalën e fundit.

“Drejtësia le ta thotë fjalën e vetë, shqiptarët besojnë në drejtësi dhe besoj që edhe do dalim faqebardhë”, përmbylli, Leon Duhanaj për “Bota sot”.

Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat