Deklarata skandaloze/ Albin Kurti ta detyrojë ta bëjë këtë, ndryshe ta shkarkojë Glauk Konjufcën

Politika

Deklarata skandaloze/ Albin Kurti ta detyrojë ta bëjë këtë, ndryshe ta shkarkojë Glauk Konjufcën

Nga: P.R Më: 20 shtator 2021 Në ora: 17:13
Glauk Konjufca dhe Albin Kurti gjatë fushatës zgjedhore

Në një intervistë dhënë ditë më parë, kryetari i Kuvendit të Republikës së Kosovës, Glauk Konjufca ka deklaruar se duke marr parasysh pushtetin në Serbi, nuk beson se mund të arrihet marrëveshje përfundimtare Kosovë-Serbi pa u prekur Kushtetuta e Kosovës

“Unë mendoj se kjo [marrëveshje përfundimtare pa u prekur Kushtetuta e Kosovës] do të ishte opsioni më i mirë për Kosovën, por nuk jam shumë optimist që kjo do të arrihet. Përse nuk jam optimist? Pesimizmi im ka të bëjë me përmbajtjen e pushtetit në Serbi, çfarë natyre ka qeveria e Serbisë dhe le të themi koalicioni qeverisës atje, pra ai dominohet totalisht nga një forcë politike e cila rrënjët e saj politiko-ideologjike i ka në hegjemonizmin serb i cili ndoshta në momente të caktuara historike e ka përjetuar ndonjë modifikim dytësor, por orientimin esencial që një shekull e gjysmë, së paku prej Kongresit të Berlinit, e ka të njëjtë për të realizuar atë që e tha Aleksandar Vulini e të cilin e mbështeti Aleksandar Vuçiqi para rreth një muaji – krijimin e botës serbe. Kjo i bie politikisht përfshirja e çdo serbi brenda një shteti serb që i bie së paku shkatërrimi i Malit të Zi si shtet, Kosovës si shtet dhe Bosnjës si shtet”, ka deklaruar Konjufca.

E këtë deklarim të Konjufcës, e sheh si shfaqje frike profesor, doktor Enver Bytyçi.

Image
Enver Bytyçi

“Në prononcimin e kryetarit të Kuvendit të Kosovës, zotit Konjufca, më së paku shoh frikë! Frikë nga pafuqia e tij dhe forca që ka shteti i Serbisë! Ai thotë se është pesimist, por në fakt është i frikësuar! Frika e zotit Konjufca në pamje të parë duket e justifikuar! Qëllimet serbe për të zhbërë shtetin e Malit të Zi, atë të Bosnjë-Hercegovinës dhe shtetin e Kosovës dihen. Nuk janë sot në skenën e politikës beogradase. Kanë qenë edhe para Vuçiç. Politikanët shqiptarë në Kosovë nuk besoj e kanë pritur një Serbi të çliruar nga nacionalizmi! Nëse kanë pritur që të ndodhte kjo, atëherë duhet thënë se këta politikanë janë naivë”, thotë Bytyçi për gazetën “Bota sot”, duke shtuar se kjo lloj frike mund ta ketë shtyrë Thaçin të pajtohet me ndarjen e Kosovës.

“Ndoshta kjo lloj frike e çoi Hashim Thaçin të pajtohet me ndarjen e Kosovës, d.m.th me zhdukjen nga harta politike e shtetësisë së saj! Dhe rasti i Thaçit duhej të ishte një mësim për politikanët pasues. Shqiptarët në Kosovë kanë votuar me bindje një klasë të re politike, të pa korruptuar, të vendosur për të drejtën dhe mbrojtjen e shtetësisë së vendit. Prandaj nuk është e përligjur frika e zotit Konjufca”, shprehet Bytyçi.

Sipas tij, Glauk Konjufca në vend të argumenteve, po shpreh frikë për zhbërjen e shtetit të Kosovës.

“Serbia prej 180 vitesh ka në projekt krijimin e një Serbie të Madhe, pra për një shtet ku "të përfshihen të gjithë serbët"! Të njëjtin projekt ka Vladimir Putin, për të përfshirë në shtetin rus të gjithë rusët që jetojnë në shtetet fqinjë. Po imagjino sikur kjo politikë nacionalsite të ndiqej nga të gjitha shtetet e botës?! Apo të Ballkanit?! Do të kishim jo një luftë të pestë ballkanike, por edhe një luftë të tretë botërore. Konjufca, në vend që të mendojë për argumente në kundërshtim të përpjekjeve të Beogradit për krijimin e Serbisë së Madhe, shpreh frikën e tij për zhbërjen e shtetit të Kosovës?!”, thekson Bytyçi.

Ai e quan absurde dhe të rrezikshme deklaratën e Konjufcës, se mund të preket Kushtetuta e Kosovës me marrëveshjen përfundimtare me Serbinë.

“Në vend kryetari i Kuvendit të mendojë për krijimin e një aleance solide me Malin e Zi, Bosnjë-Hercegovinën dhe Kroacinë, përcjell te qytetarët mesazhe kapitullimi! Në vend që të shprehet i vendosur në mbrojtje të territorit, pavarësisë, shtetësisë, kushtetutës, shfaqet "pesimist' se mund të bëhet gardian i këtyre entiteteve shtetërore?! Kjo është absurde dhe e papranueshme për një politikan të rangut të zotit Konjufca! Ne të gjithë e dimë se askush nuk mund t'i detyrojë shtetarët e Kosovës të nënshkruajnë kapitullimin, nëse ata nuk kapitullojnë vetë. Kryetari i Kuvendit të Kosovës në mos pastë kapitulluar, po shkon me shpejtësi drejt kësaj. Është tragjike njëkohësisht kjo! Vetëm politikanët dhe njerëzit me vetëbesim janë e mund të jenë fitues! Kurrë nuk fitojnë frikacakët e pesimistët! Në këtë kuptim deklarata e zotit Konjufca është e rrezikshme!”, thekson profesor Bytyçi për “Bota sot”.

“Unë shpresoj të jetë kjo pasojë e një momenti emocional, të pa kontrolluar! Por nëse është kjo arsyeja, atëherë duhet dikush që kryetarin e Kuvendit të Kosovës ta mbajë nën kontroll! "Shteti i serbëve", thotë Konjufca! Po mirë atëherë pse nuk flet edhe për shtetin e shqiptarëve, në të cilin të bëjnë pjesë veç Kosovës edhe shqiptarët e Malit të Zi, përfshirë Tivarin, edhe shqiptarët nën Serbi, përfshirë Toplivcën, të dëshmuar me tapi, edhe shqiptarët e Maqedonisë së Veriut, përfshirë Shkupin, edhe shqiptarët e Çamërisë, me dëshmi të tapive që kanë [për pronat e pasuritë e tyre?!”, shpjegon më tej Bytyçi.

Ai shton se nëse shqiptarët pajtohen sot me Serbinë e Madhe, ata kurrë më nuk do të bëhen faktor në rajon.

“Nëse Vulin i mbështetur nga Vuçiç kërkon "shtetin serb" ku të jetojnë të gjithë serbët, pse shqiptarët nuk luftojnë për shtetin shqiptar ku të përfshihen të gjithë shqiptarët? Apo u dashka zhbërë Kosova që ajo të ndahet me Serbinë dhe trojet tjera shqiptare të qëndrojnë nën sundimin e shteteve tjera fqinjë, mundësisht nën sundimin e Serbisë?! Për këtë duhet të flasë Konjufca. Jo të bëjë rolin e lepurit! Nëse shqiptarët pajtohen sot me Serbinë e Madhe, ata kurrë më nuk do të bëhen faktor në rajon. Madje shqiptarët duhet ta kërcënojnë Serbinë edhe me Sanxhakun, popullsia e të cilit nuk është serbe. Krijimi I botës serbe do të thotë bashkimi i serbëve, por jo edhe i myslimanëve të Sanxhakut të ndarë në dy shtete, në Serbi e Mal të Zi”.

Sipas profesor Bytyçit, kryeministri Kurti duhet ta detyrojë Konjufcen që të kërkojë falje për deklaratën e bërë, ose të kërkohet shkarkimi i tij.

“Politikanët shqiptarë, nëse i tremben kaq shumë forcimit të Serbisë dhe duan zhbërjen e Kosovës, atëherë dihet të mbrojnë të drejtën që edhe shqiptarët bashkë me Sanxhakun shqiptar të bëhen pjesë e shtetit shqiptar, sepse ata nuk janë serbë, as sllavë, as maqedonas, as malazezë, as grekë, por janë shqiptarë! Kryeministri Kurti duhet ta detyrojë zotin Konjufca të kërkojë ndjesë ose të japë dorëheqjen. Nëse nuk e bën këtë, atëherë duhen filluar procedurat e shkarkimit të tij. Kjo masë do të shërbente për të rikthyer besimin e qytetarëve te Vetëvendosja dhe te Lëvizja Guxo”, thotë Bytyçi.

Në të kundërt, sipas Bytyçit, qytetarët kanë të drejtë të jenë skeptik për qëndrimet e kryeministrit të vendit.

“Deklarata e kreut të Kuvendit tingëllon e rrezikshme edhe në kuadër të asaj që shohim, ftesës dhe përpjekjeve për pajtim midis Ramës dhe Kurtit! Mundet që Rama ta ketë vënë si kusht kapitullimin para Serbisë për të rivendosur marrëdhënie të mira me Kosovën! Nuk e dimë pse Konjufca e bëri atë deklaratë. Në politikë asgjë nuk ndodh rastësisht! Gjithçka është e programuar dhe e planifikuar! Prandaj nuk besoj se zoti Konjufca nuk i paraprin një vendimmarrje të padëshirueshme për Kosovën dhe qytetarët e saj!”, përfundon për “Bota sot”, profesor, doktor Enver Bytyçi.

Shfaq komentet
comments powered by Disqus
Më të lexuarat
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat