Situata në veri/Eksperti i sigurisë tregon mesazhet e Vuçiqit për serbët, si të veprojë Kosova ndaj shpalljes së Asociacionit

Politika

Situata në veri/Eksperti i sigurisë tregon mesazhet e Vuçiqit për serbët, si të veprojë Kosova ndaj shpalljes së Asociacionit

Nga: G.B Më: 21 shtator 2021 Në ora: 12:06
Policia speciale e Kosovës me automjete të blinduara qëndron në rrugën pranë kalimit kufitar verior të Kosovës në Jarinje, e hënë, 20 shtator 2021. Fotografia Associated Press

Fillimi i zbatimit të reciprocitetit për targat dje nga ana e Kosovës, u bë lajm edhe në mediat botërore.

Tensione u raportuan pasi serbët për të kundërshtuar vendimin që automjetet e Serbisë nuk mund të hyjnë në Kosovë me targa të Serbisë, dolën në protestë dhe bllokuan rrugët në kufi.

E pranishme për zbatimin e reciprocitetit për targat në pikat kufitare ishte edhe Njësia Speciale e Kosovës.

Serbët më pas u vendosën me tenda për të kaluar natën atje dhe e shpallën “Asociacionin e Komunave Serbe në veri”.

Në anën tjetër, kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, tha se kjo nuk është kundër serbëve, por që po zbatohet marrëveshja e arritur me Serbinë, për të cilën ishte zotuar kjo e fundit.

Reagime të shumta pati edhe nga Serbia, derisa presidenti Aleksandër Vuçiq ka mbledhur Këshillin e Sigurisë.

E Bashkimi Evropian kërkoi që Kosova dhe Serbia të ulin tensionet.

Lidhur me gjithë këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur eksperti i sigurisë, Drizan Shala.

Image
Drizan Shala

Ai ka thënë se Vuçiq mbrëmë shihej i nervozuar, ndaj vendimit të drejtë të Kosovës, derisa ka vlerësuar se deklarimet e tyre japin mesazhe që tentojnë t’i thërrasin civilët serbë që t’i bashkohen politikës nacionaliste serbe.

“Nëse i referohemi mentorit të Gjuriqit që është Presidenti Serb Vuçiq, ky i fundit në paraqitjen e mbrëmshme para mediave, shihej si nervozuar por edhe i shqetësuar se si të veprojë në nivelin politik për ta shitur situatën e krijuar nga vendimi i qeverisë së Kosovës, i cili ishte i drejtë. Prandaj, deklarimet nga Gjuriqi por edhe nga Vuqiqi janë mesazhe që tregojnë se këta dy po tentojnë që të komunikojnë me qytetarët civilë serbë që t’i bashkohen politikës nacionaliste serbe mbi vendimin që mund ta marrë pas takimit të paralajmëruar të Këshillit Nacional të Sigurisë se Serbisë, që po ndodh sot”, është shprehur ai.

Sipas Shalës, Policia e Kosovës po vepron sipas planit operativ për zbatimin e vendimit të qeverisë, duke e mbrojtur kufirin nga ndonjë eskalim i situatës.

“Nga ana e Policisë së Kosovës mund të themi që janë duke vepruar sipas planit të tyre operativ për të jetësuar në zbatim vendimin e qeverisë së Kosovës e në anën tjetër për të garantuar shtrirje të autoritetit dhe sovranitetit nga Prishtina zyrtare për mbrojtjen e dy pikave kufitare nga ndonjë eskalim të koordinuar dhe motivuar nga strukturat kriminale politike serbe në atë pjesë”, ka theksuar eksperti i sigurisë.

Ndërsa, sa i përket shpalljes së “ASK” nga serbët, Shala ka thënë se kjo do të prodhojë kundër reagim nga institucionet e Kosovës, që janë të obliguara për ta mbrojtur sovranitetin territorial të Kosovës.

“Ndërsa, tentimi për të shpallur "AKS" në mënyre unilaterale nga ana e "Beogradit", Listës Serbe kjo në vete do t’i prodhojë kundër reagim nga institucionet e Kosovës, të cilat janë të obliguara për të ndërhyrë sepse përmes formës dhe mënyrës së shpallur të ASK-së do të cenohet sovraniteti territorial i Republikës se Kosovës”, ka deklaruar Drizan Shala për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat