Çmenduri, le të provojë Vuçiq të futet në Kosovë/Tomë Gashi flet për reciprocitetin: Ja kush ia vendosi ‘stopin’ Serbisë

Politika

Çmenduri, le të provojë Vuçiq të futet në Kosovë/Tomë Gashi flet për reciprocitetin: Ja kush ia vendosi ‘stopin’ Serbisë

Nga: G.B Më: 21 shtator 2021 Në ora: 17:07
Policia speciale e Kosovës qëndron në rrugën pranë kalimit kufitar verior të Kosovës në Jarinje

Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti, sot është takuar me ambasadorët e shteteve të Quintit dhe shefin e Zyrës së BE-së në Kosovë, ku kanë diskutuar për situatën në veri të Kosovës, pas zbatimit të reciprocitetit për targat.

Kurti ka deklaruar se “vendimi i djeshëm nuk është provokim e as diskriminim ndaj askujt dhe se Policia e Kosovës ka qenë dhe është profesionale, korrekte dhe efikase”.

Po ashtu, ai ka thënë se Ligji është zbatuar, trajtimi i barabartë është siguruar dhe se njësitë speciale janë aty vetëm për të mbrojtur policinë kufitare dhe vendkalimet kufitare.

“Prania e tyre aktuale është aty për shkak se dhjetëra protestues kanë bllokuar me makineri rrugët që shpijnë te pikat kufitare 1 dhe 31 e në afërsi të tyre. Policia ka biseduar me protestuesit dhe nuk i ka cenuar ata. Liria e lëvizjes është e drejtë dhe vlerë që nuk bën të shkelet”, tha kryeministri Kurti.

Ai ka thënë se reciprociteti i targave ose do të mbahet nga të dyja shtetet, ose do të hiqet nga të dyja shtetet.

“Te ky reciprocitet i targave të përkohshme për vetura ose Kosova dhe Serbia kanë të dyja të drejtë, ose e kanë të dyja gabim. Pra, ose do t’i mbajmë aso lloj targash të dyja shtetet, ose le t’i heqim ato edhe Kosova edhe Serbia”, ka theksuar kryeministri Kurti.

Lidhur me këtë, për gazetën “Bota sot” ka folur avokati Tomë Gashi.

Image
Tomë Gashi

Ai ka thënë se Kosova më në fund ka një kryeministër që i thotë stop Serbisë dhe i bën qytetarët të ndihen se kanë shtet dhe nëse Serbia detyron qytetarët e Kosovës për targat, këtë e bën edhe Kosova.

“Më në fund Kosova ka një kryeministër që i bën qytetarët e saj të ndihen se kanë shtet. Më në fund kemi një kryeministër që i thotë stop Serbisë dhe i imponon reciprocitetin në përdorim të tabelave. Nëse Serbia ju imponon qytetarëve të Kosovës që t’i ndërrojnë tabelat me rastin e hyrjes në territorin e Serbisë, nga dje këtë detyrimisht duhet ta bëjnë edhe qytetarët e Serbisë kur hyjnë në territorin e Kosovës”, është shprehur ai.

Sipas Gashit, është çmenduri e Vuçiqit dhe atyre që e mbajnë në Kushtetutën e tyre Kosovën, derisa këtë që e ka bërë Kosova dje, Serbia e bën prej 22 vitesh, duke e trajtuar Kosovën si autonomi të saj.

“Çmenduria e presidentit të Serbisë dhe atyre që mendojnë sikur ai e që e mbajnë në Kushtetutën e tyre territorin e Kosovës si pjesë integrale të Serbisë duhet të ndalet por askush nuk mund t’ia ndalojë që Vuçiqi t’i manipulojë qytetarët serbë në Kosovë dhe qytetarët e Serbisë në Serbi duke proklamuar diçka jo normale dhe duke konsideruar Kosovën ende si autonomi të Serbisë. Atë që bën Serbia dhe Vuçiqi këto ditë, është njëjtë siç ka vepruar për 22 vite të kaluara, duke e trajtuar Kosovën si autonomi të saj, por të gjithë serbët normal e dinë, e kanë të qartë se Kosova është çliruar nga Serbia me 12 qershor 1999 dhe është shtet i pavarur që nga 17 shkurt 2008”, ka thënë avokati.

Gashi ka vlerësuar se Kurti veproi si burrështetas, gjë që për 20 vite nuk e bënë ata që ishin në pushtet, ish komandantët që ishin në pushtet ishin inferiorë ndaj Serbisë.

“Albin Kurti veproi si burrështetas gjë që të tjerët që ishin në pushtet për më tepër se 20 vite nuk e bënë për arsye të cilat vetëm ata i dinë. Ne kemi pasur një numër të konsiderueshëm të udhëheqësve të Kosovës që kanë qenë edhe ushtarë dhe komandantë të UÇK-së por në pozitat udhëheqëse në të cilat ishin për mbi 20 vite për arsye të panjohura, ishin inferiorë në raport me Serbinë”, ka theksuar Tomë Gashi për “Bota sot”.

Më tej, ai ka potencuar se flluskat e kërcënimeve të Serbisë dhe Vuçiqit nuk i merr askush seriozisht dhe nëse ky i fundit mendon se Kosova nuk është shtet, le të provojë të futet në territorin e Kosovës pa leje dhe do ta shohë çfarë e pret.

“Këto flluska të kërcënimeve të Serbisë & Vuçiqit ndaj Kosovës askush nuk i merr seriozisht, nëse Vuçiq mendon se Kosova nuk është shtet i pavarur, le të provojë dhe le të hyjë në territor të Republikës së Kosovës dhe do ta sheh, do ta përjetojë në lëkurën e tij peshën e imponimit të ligjit ndaj secilit që hyn ilegalisht apo pa leje në territorin e RKS. Nuk duhet ndonjë njohuri e veçantë për ta ditur dhe për ta pranuar që Kosova nuk mund të nxjerr ligje të veçanta në bazë të përkatësisë nacionale të qytetarëve të saj. Në Kosovë jetojnë shqiptarë, serbë, rom, egjiptianë, ashkali, turq, por ligji është një dhe vetëm një për secilin. Kosova si dhe çdo shtet tjetër normal nuk mund të nxjerr ligje të veçanta në baze të përkatësisë nacionale”, ka deklaruar avokati.

Krejt në fund, ai ka thënë se ekzistojnë dy zgjidhje për secilin serb që nuk i respekton ligjet e Kosovës.

“Ka kaluar koha prej 22 viteve prej 12 qershor 1999 dhe secili serb që nuk i respekton ligjet e Kosovës ka dy zgjidhje: Ose të mësohet dhe ta pranojë faktin që Kosova është shtet i pavarur, ose në mënyrë paqësore të largohet nga Kosova të shkojë në Serbi, sepse duke e pasur mendjen në Serbi e trupin në Kosovë gjithmonë mund të kenë probleme për ta kuptuar realitetin që Kosova është shtet i pavarur për secilin që jeton në Kosovë”, ka përfunduar Tomë Gashi për gazetën “Bota sot”.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat