Kurti i tregoi Serbisë se Kosova ka zot shtëpie, analisti tregon qëllimin e Vuçiq ndaj serbëve

Politika

Kurti i tregoi Serbisë se Kosova ka zot shtëpie, analisti tregon qëllimin e Vuçiq ndaj serbëve

Nga: A.Z Më: 22 shtator 2021 Në ora: 15:18
Albin Kurti

Policia e Kosovës ka filluar të heq targat e veturave që hyjnë nga Serbia, duke aplikuar masën e reciprocitetit ashtu siç deri sot kanë vepruar autoritetet serbe me veturat nga Kosovë.

Veturat që hyjnë nga Serbia duhet të pajisjen me targa të përkohshme në pikë-kalimet kufitare të Kosovës.

Lidhur me këtë, analisti politik Skënder Mulliqi, në një prononcim për “Bota sot”, ka deklaruar se po marrin fund hyrjet dhe daljet si në “bahçe të babës”.

Mulliqi thekson se Kurti po i tregon Serbisë, se ajo nuk mund të bëjë më lojëra siç ka bërë në kohën kur ishte Thaçi dhe Mustafa në pushtet.

“Hyrje daljet si në bahçe të babës me targa të Serbisë në Kosovë, me pushtetin e Albin Kurtit po marrin fund. U zbatua marrëveshja e Brukselit në mes të Kosovës dhe Serbisë dhe këtu gjithçka është në rregull. Në rregull nuk është nga ata që këtë gjest të funksionimit të shtetit po e shohin me syza të urrejtjes ndaj një vendimi të drejtë të Ministrisë të Punëve të Brendshme. Albin Kurti çdo ditë e më shumë po i tregon Serbisë, se ajo nuk mund të bëjë lojëra në kurriz të Kosovës, siç ka bërë sa ishin Thaçi dhe Mustafa në pushtet. Kështu siç po vepron Qeveria me masat e reciprocitetit mbrohet Kosova, mbrohet integriteti dhe sovraniteti dhe mbrohen edhe interesat nacionale”, tha ai.

Image
Skënder Mulliqi

Më tej, ai ka shtuar se deklaratat se marrëveshja e firmosur nga Brukseli është fushatë elektorale, janë deklarata jo serioze.

Mulliqi ka thënë se Kurti po i tregon Serbisë se Kosova është me zot shtëpie.

“Secili shtet sovran e ka të drejtën e masës të reciprocitetit, kështu edhe Kosova. Deklarimet e disave se masa e aplikuar apo e zbatuar nga një marrëveshje e firmosur e Brukselit është fushatë elektorale, janë deklarime jo serioze politike, të cilat qojnë ujë në mullirin e armikut serb. Natyrisht se Vuçiqi këtë gjë po e instrumentalizon për qëllime të caktuara politike, se gjoja po iu rrezikohet ekzistenca e serbëve në veri të Kosovës. Kurti në anën tjetër po i tregon Serbisë dhe Vuçiq, se Kosova ka Zot të shtëpisë”, përfundoi Mulliqi.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat