“Kjo po tremb Serbinë”/ Ardhja e Kurtit ia ktheu dinjitetin Kosovës, ky pritet të jetë epilogu i dialogut

Politika

“Kjo po tremb Serbinë”/ Ardhja e Kurtit ia ktheu dinjitetin Kosovës, ky pritet të jetë epilogu i dialogut

Nga: A.SH Më: 22 shtator 2021 Në ora: 18:42
Kryeministri i Kosovës, Albin Kurti

Bisedimet mes Kosovës dhe Serbisë kanë kohë që janë duke vazhduar. Ishte viti 2011 kur ato filluan dhe nuk po iu shihet fundi pasi ka mosrespektim të marrëveshjeve sidomos nga ana e Serbisë.

Analisti Ruzhdi Peçani ka folur për “Bota sot”, lidhur me marrëdhëniet mes Kosovës dhe Serbisë që nga koha e fillimit të dialogut ndërmjet dy vendeve.

Ai ka thënë se Kosova në bisedime me Serbinë ka pësuar “fraktura” politike. Një ndër to Peçani përmend marrëveshjen e “për Asociacionin e Komunave me Shumicë serbe”.

“Kosova dhe Serbia nisën një proces të bisedimeve qysh në vitin 2011, me ndërmjetësimin e Bashkimit Evropian, proces ky që filloi si teknik, për t’u shndërruar shumë shpejt në proces politik. Në fund të vitit 2012, krahas bisedimeve teknike, filluar edhe bisedimet në nivelin politik për normalizimin e marrëdhënieve mes Kosovës dhe Serbisë. Kështu, në tetor të 2012, procesi i dialogut teknik kaloi në nivelin politik. Negociatat atëbotë u zhvilluan ndërmjet Prishtinës dhe Beogradit nga kryeministrat e atëhershëm, Hashim Thaçi dhe Ivica Daçiq. Marrëveshja e parë në kuadër të këtij procesi u arrit ndërmjet dy kryeministrave, në prill të vitit 2013. Ishte “Marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe”. Marrëveshje kjo që Kosova pësoi “fraktura” politike. Për të njëjtën marrëveshje në 2015, nënshkruar nga Isa Mustafa, pëson “frakturën e tretë politike”. Këtu të dy palët mund të interpretonin marrëveshjen sipas mënyrës së tyre. Marrëveshja e prillit është marrëveshje ndërkombëtare për Kosovën sepse është ratifikuar në kuvend, por nuk është e njëjtë edhe për Serbinë pasi nuk është ratifikuar në kuvend. Në fakt Gjykata Kushtetuese e shtetit serb kishte thënë se “është një dokument politik dhe prandaj nuk mund ta interpretoj në Serbi”. Duhet thënë se bisedimet teknike ishin qartë politike apo aventurë e bisedimeve politike. Serbia kishte bërë strategjinë e qasjes në këto bisedime, fillimit dhe evoluimin. Në vitin 2014, kryenegociator i Serbisë u bë Marko Gjuriq, drejtor i Zyrës për “Kosovë dhe Metohi” në Qeverinë serbe”, thotë analisti.

Image
Ruzhdi Peçani

 

Ai më tej ka bërë edhe dallimet mes kryeministrave të Kosovës sa i përket bisedimeve me Serbinë, duke thënë se ata nuk kishin përgatitje e duhur deri te ardhja e kryeministrit Kurti tani, me të cilin qasja veç se ka ndryshuar në cilësi dhe përmbajtje duke flakur ndjenjën e inferioritetit dhe duke kthyer dinjitetin.

“Më vonë, procesi u ngrit në negociata në nivel të presidentëve. Dhe këtu ndodhi gabimi i parë,ndodhi ”fracturë” tjetër politike, dhe Kosova do fillonte të çalonte – negocimi me drejtorinë e zyrës për “Kosovë e Metohi”. Marrëveshja për asociacionin e komunave me shumicë serbe, dhe kjo marrëveshje dhe sot Qeverisë Kurti 2, Kosovës i qëndron si “shpatë Demokleu” në dialog me Serbinë dhe si presion nga jashtë. Po pse ndodhnin që të “vetë-aksidentoheshin” ish presidenti dhe dy ish kryeministrat në dialogun politik që zhvillohej në Bruksel. Kjo nga mos përgatitja e duhur,thuhej se në ekipin kishte ekspert të lamive për temat që trajtoheshin, po mund të thuhet se për bisedimet politike, liderët tanë, nuk kishin afër këshilltarë të denjë dhe me ekspertizë të lartë në çështjet e dialogimit. Dhe në mungesë të kësaj ndiheshin dhe silleshin si inferior. Pra, që me fillim ekzistonte përshtypja se në dialog do jenë të mundur. Fitohej përshtypja se as që dinin apo nuk mund t´i kanalizonin tre parimet e Schopenhauerit. Në takime të kësaj natyre vërehen edhe në sjelljet, si kjo që delegacioni ynë, në të shumtën e rasteve, arrinte një apo edhe dy ditë para në Bruksel, pala serbe thuaj gjithnjë ditën e dialogut. Inferiroriteti dukej edhe kur hynin në sallën e dialogut. Bashkë biseduesit nuk i shkohet pas, rasti me ish kryeministrin Hoti. Këtu përjashtim bënë znj. Edita Tahiri, përherë dinjitoze. Në këso lëshimesh bashkëbiseduesi paraprakisht vendos epërsinë. Me Kryeministrin Albin Kurti qasja ndaj dialogut ndryshon si një “restart”,si në qasje cilësi dhe përmbajtje duke flakur ndjenjën e inferioritetit dhe kthimin e dinjitetit, kjo që presidentin serb e kishte shqetësuar. Nuk ishte e rastit, se që nga ardhja e z. Kurti kryeministër, Vuçiq kishte thënë se “me z. Albin Kurti bisedimet do jenë të vështira”. Takimet në Bruksel më nuk do mbahen, vetëm kur i konvenonte Serbisë. Nga viti në vit thuhej se në këtë vit do i vihej pika bisedimeve për normalizimin dhe njohjen reciproke mes Kosovës dhe Serbisë – ishin floskula politike diletantësh politik nga analistë dhe politikan. BE si ndërmjetësues sikur nuk dëshironte po edhe nuk kishte fuqinë që bisedimet të përfundonin. Po dhe sot, të pakta janë shpresat se ky dialog, monoton të përfundojë. Mendoj se së paku nga fundi i vitit 2022 mund të marrim sinjalet se fundin e ka afër. Mirëpritjet ishin se tani administrata e re amerikane me presidentin Joe Biden bisedimet do lëvziznin nga pika e vdekur, po ja që akoma nuk po ndodhë. Por, jo se sytë janë hequr nga Gjermania”, u shpreh analisti.

Ai shtoi se BE nuk tregoi unitet dhe aftësi që dialogu të përfundonte.

“Jo se nuk kishte instrumente ta bënte. Andaj dhe kërkohet që Uashingtoni të kyçet më fuqishëm në këtë dialog. Se do jetë e lehtë,vështirë të shpresohet,por gjendja duhet lëvizur dhe të ndryshoje. Përshtypjet janë, që në qarqet ndërkombëtare përflitet,se ekziston një iniciativë e fuqishme që dialogu të shpejtohet,për një minimum – minimumi,në të cilën bashkësia ndërkombëtare BE dhe SHBA do të insistojnë,kjo do ishte pranimi i Kosovës në OKB. Për këtë Serbia të kompenzohej me Bashkësinë e komunave serbe,e cila njëherë do ishte si një OJQ,në një variant pra pa kompetenca ekzekutive. Për këtë nuk flitet akoma publikisht,por se diçka e tillë qëndron në tavolinë”, nënvizoi Peqani.

Sipas tij, kjo është ajo që na u paralajmërua se “marrëveshja mund të jetë e dhimbshme”.

“Se a mund të jetë kjo e formës mere ose leje,vështirë të thuhet,ngase bota sapak ka ndryshuar,dhe këtu qëndrojnë edhe interesa ekonomike,nuk janë vetëm ato politike. Qëndron fakti se këtu Vuçiq, në anën tjetër të tavolinës qëndron në pozitë të pafavorshme,nuk ka mbështetje për qëndrimet e tija,që akoma nuk dimë se cilat janë. Brukseli dhe Uashingtoni, përfshirë edhe Berlinin dhe Parisin, fuqimisht mbështesin pavarësinë e Kosovës. Po vazhdon lufta në istikame që anëtaret e BE që nuk kanë njohur këtë pavarësi si Greqia dhe Spanja ta bëjnë këtë sa më shpejtë. Kjo po tremb Serbinë”, përfundon ai.

commentFirst article
Sot mund të lexoni Shfletoni kopertinat